Rrugëtimi drejt BE-së dhe anëtarësimi në organizata ndërkombëtare, si duhet të veprojë Kosova?

Politika

Rrugëtimi drejt BE-së dhe anëtarësimi në organizata ndërkombëtare, si duhet të veprojë Kosova?

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 20 prill 2021 Në ora: 13:27
Fotografi ilustruese

Ka trembëdhjetë vite që kur Kosova ka shpallur pavarësinë e saj.

Edhe pas kaq vitesh, Serbia ende nuk e ka njohur Kosovën si shtet dhe kjo po i dëmton dy vendet.

Përveç mosnjohjes dhe mos arritjes së një marrëveshjeve në mes të dyja shteteve, që do të mund të sillte njohje reciproke, Serbia po vazhdon t’i bëjë dëm Kosovës edhe për anëtarësimin në mekanizmat ndërkombëtarë.

Ajo vazhdimisht ka lobuar për ç’njohjen e Kosovës nga shtete që e kanë njohur atë.

E përmes marrëveshjes së arritur në Shtëpinë e Bardhë në shtator të vitit të kaluar, Kosovës i ndalohet aplikimi për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Po ashtu, Serbisë i ndalohet që të lobojë kundër njohjeve të Kosovës.

Pavarësisht tentimeve që Kosova që nga pavarësia ka bërë që të jetë pjesë e BE-së, që të jetë në INTERPOL dhe UNESCO, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Mirëpo për qeverinë e Kosovës ndër prioritetet kryesore janë përpjekjet për anëtarësimin e vendit në dy mekanizma ndërkombëtarë, në INTERPOL dhe në Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Kulturë, Shkencë dhe Arsim (UNESCO).

Por, deri të skadojë afati që Kosova të mos aplikojë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, a duhet ajo që të punojë e lobojë dhe të përgatitet për këtë, në mënyrë që kur të ketë mundësi për anëtarësim, ta arrijë atë dhe a duhet Kosova këtë vit të aplikojë për anëtarësim në këto organizata?

Dëmet nga mosanëtarësimi në BE

Kosova duke mos qenë pjesë e këtyre organizata dhe pjesë e BE-së, padyshim që dëmtohet. Qytetarët e saj nuk mund të lëvizin lirshëm, derisa liberalizimi i vizave nga ana e BE-së vazhdon të mos ndodhë, pasi ka shtete që bllokojnë këtë, e pesë prej tyre ende nuk e kanë njohur Kosovën.

Voca: Kosova duhet të jetë gjithnjë e përgatitur për politikën e jashtme

Në lidhje me këtë temë, Mirsad Voca, doktor shkence dhe ligjërues i gjeopolitikës në Paris, për gazetën “Bota sot”, ka thënë se Kosova duhet të jetë gjithmonë e përgatitur për politikën e jashtme.

Image
Mirsad Voca

Sipas profesorit, Kosova duhet të vazhdojë të lobojë për njohje dhe të shikojë mundësitë për të aplikuar në organizata ndërkombëtare e njëherësh të synojë prapë të anëtarësohet në UNESCO, INTERPOL dhe Këshill të Evropës.

“Patjetër që Kosova duhet gjithnjë të jetë e përgatitur dhe duhet të ndërtojë e synojë objektivat e saj në politikën e jashtme. Mendoj se Kosova duhet vazhduar me lobime për njohje dhe të shikojë mundësitë në koordinim me vendet mike për aplikime anëtarësimi në organizata ndërkombëtare. Kosova duhet të synojë prapë për tu anëtarësuar në UNESCO, Interpol dhe Këshill të Evropës. Natyrisht që duhet përgatitur që tani për të aplikuar edhe në Organizata tjera ndërkombëtare”, u shpreh Voca.

Më tej, ligjëruesi në Paris përmend disa nga veprimet që shteti i Kosovës duhet të bëjë edhe me shtetet që tashmë e kanë njohur, duke filluar nga tërheqja e investimeve nga jashtë e deri tek hapja e disa qendrave kulturore.

“Me qëllim të përforcimit të raporteve me Shtete që tashmë e kanë njohur Kosovën po ashtu është e nevojshme që të zgjerohet dhe pasurohet shërbimi diplomatik duke krijuar një sistem më efektiv për lobim në shumë drejtime si në njohje të reja, tërheqje të investimeve nga jashtë, zgjerim të shërbimit diplomatik në vende që e kanë njohur Kosovën, hapje të disa qendrave kulturore sidomos në ato kryeqytete metropolitane ku do të mund të investohet edhe në përmirësim të imazhit”, ka thënë profesori.

Ndër të tjera, Voca thekson që Kosova duhet të punojë pa ndalur për të përforcuar praninë e saj në arenën ndërkombëtare dhe kjo mund të arrihet duke u harmonizuar me shtetet që tashmë e kanë njohur Kosovën.

“Pa u hamendur se a ka apo jo gjasa për anëtarësim në UNESCO apo Interpol, Kosova duhet të punojë pa reshtur në vazhdën e përforcimit të pranisë së saj në arenën ndërkombëtare dhe këtë do e arrijë, natyrisht duke u harmonizuar me shtetet që tashmë kanë njohur Kosovën dhe të cilët kanë investuar në pavarësimin dhe ndërtimin e saj”, ka potencuar Voca për “Bota sot”.

Krasniqi: Kosova të kërkojë ndihmë nga shtetet mike për ta ndihmuar në anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike dhe njëherësh avokati i shtetit, Islam Krasniqi, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka thënë se shteti i Kosovës duhet vazhdimisht të punojë në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare.

Image
Islam Krasniqi

Gjithashtu ai shton se Kosova duhet të lobojë tek vendet mike, në mënyrë që t’i ndihmojnë për t’ia lehtësuar më shumë procedurat e anëtarësimit.

“Gjithsesi duhet Kosova të punojë në këtë rrugëtim pavarësisht marrëveshjes së Ëashingtonit, pasi që edhe shteti serb nuk e ka respektuar këtë marrëveshje i cili nuk e ka ndalur asnjëherë fushatën kundër Republikës së Kosovës. Kosova duhet të lobojë të vendet mike, por jo të aplikojë deri në shtator pasi që në kemi dhënë premtimin para një shteti mik, i cili nuk na lëshoi dorën asnjëherë deri këtu”, është shprehur Krasniqi.

Analisti shton se ne si shtet duhet t’i bindim edhe shtetet mike që i kemi plotësuar kushtet për të u bërë pjesë e INTERPOL-it dhe UNESCO-së dhe pse jo të kërkojmë ndihmë nga ato.

“Ne duhet t'i bindim shtetet mike që të na përkrahin dhe t’i bindim të tjerët së janë pjekur kushtet që të jemi pjesë e INTERPOL-it UNESCO-s. Ne duhet të shfrytëzojmë edhe miqësinë e shteteve mike duke kërkuar edhe ndihmën e tyre që të na ndihmojë dhe lehtësojnë procedurat rreth aplikimit dhe pranimit në organizatat ndërkombëtare”, ka deklaruar Islam Krasniqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat