Kjo është përkrahja e radhës e SHBA-së për Kosovën

Politika

Kjo është përkrahja e radhës e SHBA-së për Kosovën

Nga: A.SH Më: 20 prill 2021 Në ora: 17:55
Vjosa Osmani

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden i ka dërguar letër presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit duke ia konfirmuar edhe një herë mbështetjen amerikane për Kosovën.

Në letër thuhet që SHBA do të ndihmojë Kosovën në sigurimin e vaksinave.

“ShBA-të do të vazhdojnë t`i mbështesin përpjekjet për sigurimin e paqes së qëndrueshme dhe dialogut produktiv ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe përfundimisht marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizim, e cila besojmë se do të duhej të përqendrohej në njohjen reciproke”, thuhet ndër tjera në letrën e Biden.

Analisti politik, Adem Bytyçi në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se, Biden është mik i shqiptarëve që do ta ndihmoi Kosovën në të gjitha aspektet.

“SHBA, e ka ndihmuar Kosovën në mënyrë konstante. z. Biden është mik i shqiptarëve do ta ndihmoi Kosovën në të gjitha aspektet. Përkitazi me marrëveshjen Kosovë-Serbi, që nënkupton edhe njohjen reciproke, nuk besoj që kjo marrëveshje të arrihet edhe aq shpejtë pavarësisht nga dëshira e SHBA, përshkak të qëndrimeve destruktive të Serbisë ndaj një marrëveshje të tillë”, ka thënë Bytyçi.

Ai ka treguar edhe qëllimin e Serbisë duke përdorur mënyrën e krijimit të Asociacionit.

“Qëllimi i Serbisë është që përmes Asociacionit të komunave me shumicë serbe të realizojë krijimin i një Republike serbe në Kosovë, të ngjashme me Republikën serbe të Bosnjës. Kosova do ta këtë të pamundur të pranojë një zgjidhje të tillë e cila do ta rrënonte rendin e brendshëm Kushtetues të Kosovës dhe në të ardhmen një zgjidhje eventuale e tillë do krijonte premisa për ndarjen e Kosovës në pjesën shqiptare dhe atë serbe”. “E stabiliteti politik i Kosovës, pas vendimit të Gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë me të cilin legjitimohej shpallja e pavarësisë së Kosovës, në negociata me palën serbe i kanë bërë koncesione Serbisë në dëm të Kosovës, që do të thotë se korrigjimi i këtyre koncesioneve nga pala e Kosovës në negociatat në vazhdim duket të jetë i pamundur”, përfundon Bytyçi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat