PDK po e përdorë metodën e gabuar ndaj Qeverisë Kurti, paralajmërohet dështimi i planit të saj

Politika

PDK po e përdorë metodën e gabuar ndaj Qeverisë Kurti, paralajmërohet dështimi i planit të saj

Arife Morina Nga Arife Morina Më 20 prill 2021 Në ora: 18:20
Qeveria Kurti

Ende nuk janë bërë një muaj nga krijimi i Qeverisë Kurti dhe partitë opozitare kanë filluar me akuzat  dhe linçime ndaj saj. 

Madje, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ditë më parë befasoi me paralajmërimin e saj për protesta, në kohë pandemia. 

Zyrtari i PDK-së, Betim Gjoshi deklaroi se subjekti i tij do të përdorë të gjitha mjetet demokratike, përfshirë edhe protestat, për të kundërshtuar Qeverinë Kurti. E gjithë kjo për të mbrojtur interesin qytetar nëse ai cenohet nga ekzekutivi i ri.  

“Janë mjete demokratike, por asnjëherë duke e dëmtuar shtetin e Kosovës. Të gjitha mjetet që janë të lejueshme, përfshirë edhe protesta, është pjesë e jetës qytetare dhe reagimit qytetar. Si e tillë do të përdorim të gjitha mjetet për ta mbrojtur interesin qytetar. Sidomos kur cenohet sovraniteti, funksionimi i shtetit, demokracia dhe integriteti qytetarë ne do të jemi në ballë të mbrojtjes së tyre”, deklaron Gjoshi. 

Ky paralajmërim i protestave nga ana e PDK-së, nxiti reagime të mëdha, ku u kundërshtua ashpër nga analistët politik dhe personat e tjerë. 

Mirëpo, prapë se prapë këto kundërshti nuk i mjaftuan PDK-së të tërhiqet nga ideja e saj për protesta. 

PDK nuk heq dorë nga ideja për protesta kundër Qeverisë Kurti 

Pas Gjoshit, edhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri nuk e ka përjashtuar mundësinë e protestës së PDK-së kundër Qeverisë Kurti, nëse paralizohet e ardhmja e Kosovës si rezultat i krijimit të ndonjë strukture e cila do të ishte sikur Republika Srpska. 

“Në momentin që shohim se qeveria Kurti do ta qojë vendin në një drejtim të rrezikshëm, si në të kaluarën kur Kurti deklaronte se është kundër Asociacionit, Zajendicës siç e quante ai, kundër Minishengenit, janë disa projekte që Kurti nuk po ka qartësi. 

Në momentin që shohim në një drejtim të caktuar e cila do të paralizon në të ardhmen si rezultat i krijimit të ndonjë strukturë e cila do të ishte sikur Republika Srpska apo strukturë e cila do të bllokonte qeverisjen në vend, atëherë në nuk do ta lejojmë do të shfrytëzojmë të gjitha të drejtat tona që Kurti mos të realizojë projekte të rrezikshme për vendin tonë”, tha Tahiri. 

Njohësit e çështjeve politike, e vlerësuan si veprim të paarsyeshëm paralajmërimin për protesta nga PDK.  

Ata deklaruan se ky vendim erdhi si pasojë e humbjes së madhe në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit. 

Mehazi: Paralajmërimet për protesta, shaka të skaduara të PDK-së 

Profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar protestat e paralajmëruara nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ndaj Qeverisë Kurti. 

Image
Sulejman Mehazi

Mehazi ka thënë se këto paralajmërime të PDK-së nuk janë të arsyeshme dhe nuk do ta kenë përkrahjen e qytetarëve të Kosovës.

“Veprimet e partisë së PDK-së kundër Qeverisë Kurti do jenë të arsyeshme pas 100 ditëshit të qeverisje, kurse pa bërë as tridhjetë ditë qeverisje, kritikat, protestat e PDK-së nuk do jenë bindëse e nuk do kenë përkrahjen e qytetarëve të Kosovës”, ka deklaruar ai. 

Profesori tha se në rast të organizimit, protesta e PDK-së do të dështojë, pasi kritikat ndaj Qeverisë Kurti ende pa marrë rrogat e para mujore ministrore, janë të palogjikshme.

“Organizimi i protestës së PDK-së kundër qeverisë Kurti nuk do ketë sukses e shkas që të përkrahet nga qytetarët përveç simpatizantëve e anëtarëve të PDK-së askush nuk do i përkrahë, është e palogjikshme të kritikohet e të protestohet ndaj qeverisë së re, të sapo formuar të Kurtit, ende pa marrë rrogat e para mujore ministrore të kërkohet përgjegjësi kjo e ka kuptimin e non sensit politik të PDK-së opozitare”, theksoi ai. 

Tutje, Mehazi rikujtoi se si qytetarët për dy dekada me radhë kanë duruar gënjeshtrat dhe premtimet e PDK-së, ndërsa tani njerëzit e kësaj partie nuk mund ta durojnë Vetëvendosjen, as për edhe një muaj të vetëm. 

“PDK-ja dy dekada ka qenë në pushtet me gënjeshtra premtimesh e qytetarët e Kosovës dhe LVV-ja i kanë duruar, në anën tjetër, kur votuesit e dërguan PDK-në në opozitë, Kurti ende pa bërë një muaj qeverisje, Hoxhaj përmblidhet për të kritikuar e protestuar kundër qeverisë së Kurtit. Qytetarët njëzet vjet i duruan të PDK-së në pushtet, të PDK-së një muaj nuk mund t'i durojnë të LVV-së në pushtet”, ka potencuar ai. 

Krejt në fund, profesor Mehazi këto paralajmërime për protesta i cilësoi si ‘fore’ të PDK-së, të cilat nuk i përtyp më populli i Kosovës. 

“Foret e PDK-së nuk i përtypë më popullata e Kosovës, pas zgjedhjeve parlamentare partia e Hoxhajt, PDK-ja, shkoi në grupin e partive të skaduara politike së bashku me LDK-në e AAK-në”, ka deklaruar Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

Mehmeti: PDK po e shpërfaq fytyrën e saj të vërtetë 

Ndërsa, analisti politik Faton Mehmeti, organizimin e protestave në kohë pandemie e cilësoi si vrasje kolektive. 

Image
Faton Mehmeti

Madje, ai kujtoi edhe kohën kur PDK i kundërshtonte protestat e VV-së, tani ajo vetë po ‘kërcënon’ me zgjedhje. 

“Të organizosh protesta në kohë pandemie është vrasje kolektive, duke qenë se virusi është shumë i rrezikshëm. Mos të harrojmë se kur VV organizonte protesta, PDK e akuzonte se po vret popullin për interesa politike, kjo ka ndodhur menjëherë pas rënies së Qeverisë Kurti”, ka deklaruar Mehmeti. 

Në vazhdim, analisti tha se protesta janë vetëm një mënyrë për t’u këndellur pas humbjes së zgjedhjeve të 14 shkurtit. 

“PDK po mundohet të gjejë forma dhe mënyra për tu këndellur pas debaklit që e pësoi me 14 shkurt. Nëse PDK bën protesta në kohë pandemie, do të bëjë një krim ndaj qytetarëve, por në anën tjetër do ta kuptojë se mbështetja për ta vetëm sa do të pakësohet”, theksoi Mehmeti. 

Në fund, analisti me pak fjalë tha se PDK me një veprim po e shpërfaq fytyrën e saj të vërtet, ku qëllimin kryesor e ka pushtetin, pavarësisht metodave për ta arritur atë. 

“Me pak fjalë, me një veprim të tillë PDK vetëm sa e shpërfaq fytyrën e saj të vërtetë, ku është në gjendje të rrezikojë edhe jetën e qytetarëve për pushtet. Në fakt kjo edhe është PDK e vërtetë, një parti ku si cak e ka pushtetin, pavarësisht metodave për ta arritur atë”, ka përfunduar Faton Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat