Ikja e Thaçit dhe tani e Ramës, paralajmëron edhe ikjen e Vuçiçit nga skena politike

Politika

Ikja e Thaçit dhe tani e Ramës, paralajmëron edhe ikjen e Vuçiçit nga skena politike

Nga: A.Z Më: 23 prill 2021 Në ora: 18:01
Hashim Thaçi, Aleksandër Vuçiq dhe Edi Rama

Te dielën qytetarët e Shqipërisë do të votojnë për të preferuarin e tyre në zgjedhjet parlamentare.

Lidhur me këto zgjedhje, ditë më parë pati një deklaratë nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, që bëri bujë.

Ai tentoi tu tregonte shqiptarëve që të mos votojnë Lulzim Bashën por Edi Rama, derisa tha se Basha dhe Berisha duan Shqipërinë e Madhe.

Por, pse ai shqetësohet për këtë, nëse humb Rama dhe fiton Basha?

Lidhur me këtë, profesori universitar, Enver Bytyçi, ka thënë se Vuçiq përmes deklaratës së tij, na bëri me dije se ai e ndjek situatën zgjedhore, madje duke ditur edhe rezultatin e Ramës në sondazhe.

Sipas Bytyçit, ai përmes kësaj deklarate i ka paralajmëruar edhe shërbëtorët e tij të votojnë Ramën dhe se me ardhjen në pushtet të Bashës do të jetë fatkeqësi për Serbinë.

“Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, vërtet duket shumë i shqetësuar për fatin e mikut të tij në Tiranë, kryeministrit në detyrë të Shqipërisë, Edi Ramës. Në deklaratën e tij për zgjedhjet në Shqipëri ai na bëri me dije se e ndjek situatën zgjedhore dhe sondazhet çdo orë. Ai dinte me përpikmëri rezultatin e sondazheve pro-Ramës, të cilat edhe si të tilla e nxjerrin atë humbës të zgjedhjeve të 25 prillit. Në panik e sipër Vuçiq i lajmëroi të gjithë spiunët dhe shërbëtorët e tij në Shqipëri që të mobilizohen në përkrahje të kryeministrit Rama. I paralajmëroi ata se ardhja në pushtet e Lulzim Bashës është fatkeqësi për Serbinë. Pas deklaratës së Zaevit në përkrahje të Ramës pritej që edhe Vuçiq ta bënte një gjë të tillë. Dhe e bëri në zemërim e sipër, sepse nga pikëpamja pragmatiste ai nuk kishte e nuk ka asnjë dobi nga një pohim i tillë”, ka deklaruar Bytyçi.

Tutje, ai ka theksuar se një deklaratë e tillë, i nxjerr Ramës flirtet tetë vjeçare me Beogradin, kështu duke i pakësuar edhe votat atij.

Bytyçi shprehet se Vuçiqit i iku edhe Thaçi, gjë që po ta dinte se ai do të përfundonte në Hagë, nuk do ta paguante asnjëherë Dick-Marty-n për të sajuar akuza ndaj tij.

“Në fund të fundit spiunët e shërbëtorët e Vuçiçit në Shqipëri edhe pa thirrjen publike të shefit të shtetit të Serbisë janë në krah të mikut të tij në Titanë, Edi Ramës dhe nuk kishte arsye pse të bëhej kjo. Përkundrazi një deklaratë e tillë e nxjerr zbuluar kryeministrin shqiptar dhe i provon atij flirtet tetë vjeçare me Beogradin. Në këto kushte nuk i shtohen, por i pakësohen votat. Por, presidenti i Serbisë nuk është në panik thjesht se po humbë pushtetin Edi Rama. Atij i iku nga patronazhi edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Në fakt Vuçiç po ta dinte se Thaçi përfundonte në Hagë kurrë nuk do të paguante Dick Marty-n për të sajuar akuzat e tmerrshme kundër tij. Por, ja që me duart e veta e çoi mikun e tij të kauzës së ndarjes së territorit të Kosovës drejt "gijotinës"! Ndërkaq në Kosovë erdhën në pushtet politikanë të rinj”, ka shtuar ai.

Sipas Bytyçit, Serbia ka pak akses për të përçarë skenën politike dhe se fitorja atdhetare në Kosovë është e shoqëruar nga fitorja e opozitës në Shqipëri, kjo do të bëjë që Beogradi të humbë të gjitha benefitet.

Tutje, ai thotë se përveç Ramës dhe Thaçit, nuk ka ndonjë tjetër që ka promovuar më shumë rolin e Serbisë në rajon.

“Supozohet se Serbia ka shumë pak akses tek të rinjtë për ta manipuluar dhe përçarë skenën politike shqiptare. Kjo gjë e tmerron presidentin serb. Humbja e tij në Kosovë do të shoqërohet me humbjen e Serbisë edhe në Shqipëri. Fitorja e forcave progresive dhe atdhetare në Kosovë shoqërohet patjetër nga fitorja e opozitës në Shqipëri. Në këtë rast Beogradi humbet të gjitha benefitet që ia krijojnë vetë shqiptarët në Kosovë dhe në Shqipëri. Mos harrojmë se shërbimet e Edi Ramës ndaj Aleksandër Vuçiq janë të jashtëzakonshme. Nuk gjendet ndonjë politikan tjetër shqiptar, përveç Edi Ramës dhe Hashim Thaçit, që ta ketë promovuar rolin e Serbisë në rajon më shumë se këta”, ka theksuar më tej Bytyçi.

Profesori ka vlerësuar se Rama dhe Thaçi e kanë ndihmuar shtetin e Serbisë dhe Vuçiqin, sa që do të pajtoheshin edhe me cenimin e vendit të tij, kështu që Vuçiq ka të drejtë të dëshpërohet për humbjen e Ramës, sepse me ikjen e tij dhe të Thaçit do të ikë edhe Vuçiq nga skena politike, prandaj Vuçiq bën të pamundur që të jetë Rama prapë në pushtet.

“Nuk gjendet asnjë politikan shqiptar në të gjitha kohët që ta ketë ndihmuar rehabilitimin e Serbisë e të presidentit të saj në kancelaritë e perëndimit, sa Edi Rama dhe Hashim Thaçi. Nuk ka tjetër politikan e nuk do të ketë një të tillë kurrë në të ardhmen që do të dëshmojë aq harmoni idesh dhe veprimesh me një president ose kryeministër të Serbisë, sa të pajtohet edhe me cenimin e territorit të vendit të tij. Prandaj Vuçiq ka të drejtë të dëshpërohet për humbjen e vëllait të tij Edi Ramës. Gjithashtu duhet thënë se Vuçiq e ndjen se edhe atij po i ngushtohet laku. Nëse iku Hashim Thaçi, si dhe ikja e Edi Ramës paralajmëron ikjen e Aleksandër Vuçiq nga skena politike. Në këtë rast lidershipi serb do të përshtatet me lidershipin e ri shqiptar në Shqipëri dhe në Kosovë, dhe jo e kundërta, siç ka ndodhur në të shkuarën. Këtë e di presidenti serb, ndaj dhe bën të pamundurën që ta mbajë Edi Ramën në pushtet”, ka përfunduar Enver Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat