“Shpresa e fundit e Vuçiqit”, humbja e Ramës e eliminon atë nga skena e shteteve ballkanike

Politika

“Shpresa e fundit e Vuçiqit”, humbja e Ramës e eliminon atë nga skena e shteteve ballkanike

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 23 prill 2021 Në ora: 20:07
Edi Rama dhe Aleksander Vuçiq

Shqipëria është në prag të Zgjedhjeve Parlamentare 2021, që do të zhvillohen më 25 prill. Partia Socialiste (PS) e drejtuar nga kryeministri Edi Rama, kërkon një mandat të tretë qeverisës. Partia Demokratike, (PD) e drejtuar nga Lulzim Basha, që kryeson koalicionin opozitar, kërkon ta marrë ajo drejtimin e vendit, pas 8 vitesh në opozitë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në një intervistë të dhënë së fundmi ka folur rreth zgjedhjeve në Shqipëri. Vuçiq duke u bërë presidenti i parë serb që flet për zgjedhjet në Shqipëri, ka thënë se po i ndjek sondazhet e dhëna, ku sipas tij kundërshtarët politik janë me nga dy për qind larg.

“Unë jam duke ndjekur nga afër hulumtimet e opinionit publik, dhe dallimi është rreth 2 për qind dhe unë nuk përcjell hulumtime pa lidhje jo serioze të hulumtimit publik po ato që janë shumë serioze. Dhe në fakt dallimi është nga 1 në 3 për qind”, ka thënë Vuçiq.

Sipas asaj që pretendon Vuçiq, pas kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha qëndron ish-kryeministri Sali Berisha.

Sipas Vuçiq, ata flasin për një Shqipëri Etnike dhe ai ndihet krenar që po i pengon.

“Pas Lulzim Bashës qëndron Sali Berisha dhe ju e dini, e gjithë historia pas saj, nga veriu i Shqipërisë, me gjithë barrën e së kaluarës, por kjo është çështje e tyre. Dhe sigurisht që unë jam krenar që jam pengesa e tyre më e madhe sepse ata flasin hapur për krijimin e Shqipërisë së Madhe. Dhe ata flasin hapur për këtë gjë dhe askush nuk reagon” ka thënë Vuçiq.

Por, pse presidenti serb po shqetësohet aq shumë për humbjen e Edi Ramës në këto zgjedhje dhe pse ka frikë nga Basha se mund të fitojë?

Lidhur me këtë kanë folur njohës të çështjeve politike.

“Vuçiç duke dashur ta ndihmojë Edi Ramën, e dëmtoi atë”

Kështu, në një prononcim për “Bota sot, analisti Rexhep Shahu, ka thënë se synimi i Vuçiçit është t’i përçajë shqiptarët, derisa deklaratën e tij e quan akuzë kundër PD-së, Bashës dhe Berishës dhe se fjalimin e tij ai e ka mësuar përmendsh, ashtu siç i ka thënë Rama.

Sipas Shahut, Vuçiç në qeverisjen e Bashës nuk mundet t’i fusë hundët, siç ka bërë tek Rama, që ka bashkëpunuar me të.

Image
Rexhep Shahu

“Synimi i Vuçiqit është të ndajë e përçajë shqiptarët, tu thotë jugorëve se lideri i PD-së është verior, ndërsa ju votoni jugorin Edi Rama. Vuçiq nuk shprehet asgjë pa miratim të Edi Ramës në raport me Shqipërinë. Aleksandër Vuçiq këto ditë në një bisedë televizive në Beograd duke folur për zgjedhjet në Shqipëri, bëri thirrje të votohet Edi Rama në Shqipëri. Ai u deklarua palë me Edi Ramën e Rilindjes dhe njëlloj si Edi Rama në Tiranë, ai bëri akuza në Beograd kundër Partisë Demokratike e ardhjes së saj në pushtet, kundër Lulzim Bashës e Sali Berishës që, sipas tij e Edi Ramës, qëndron pas Lulzim Bashës, se këta janë për Shqipërinë e madhe etj. etj. Vuçiq e kishte mësuar përmendësh fjalinë që ia ka thënë Rama ta artikulojë. Shqipëria nuk është as e madhe as e vogël, por është sa është, e bashkë me Kosovën janë dy shtete shqiptare, por Vuçiq nuk mund të fusë hundët në Shqipëri në qeverisjen e Lulzim Bashës siç ka futur hundët në qeverisjen e Edi Ramës, i cili ka shfaqur dobësi emocionale për Vuçiqin e Serbinë dhe ka bashkëpunuar me të, më shumë se sa ka bashkëpunuar me liderët e Kosovës”, ka deklaruar Shahu.

Sipas tij, Vuçiç vetëm e ka dëmtuar Ramën dhe se nuk mund të ketë shqiptarë që e dëgjojnë atë për të votuar kundër PD-së, madje nuk mund të jenë as dakord që Rama të përkrahet nga Vuçiqi, i cili u ka bërë dëme shqiptarëve.

Ai shton se shqiptarët nuk do t’ia bëjnë qejfin Vuçiçit për ta votuar Ramën.

“Vuçiq duke dashtur ta ndihmojë Edi Ramën, e dëmtoi atë. E dëmtoi pasi shqiptarët nuk janë ithtarë të Vuçiqit që ta dëgjojnë thirrjen e tij, mos votoni Partinë Demokratikë e Lulzim Bashën. Nuk besoj se ka shqiptar që e dëgjon thirrjen e Vuçiçit, që për hatër të Vuçiqit votojnë kundër Partisë Demokratike. Pse kjo armiqësi kaq e madhe e Beogradit kundër Partisë Demokratike të Shqipërisë. Nuk besoj se ka shqiptarë të çfarëdo partie shqiptare që u vjen mirë apo gëzohen që Vuçiç bën thirrje e fushatë pro Edi Ramës. Nuk besoj se shqiptarët janë dakord që Edi Rama i Partisë Socialiste të Shqipërisë të përkrahet nga Vuçiqi i Serbisë, i këtij shteti që u ka sjellë dëme të pallogaritshme shqiptarëve në shekuj, që ka shpërngulur shqiptarët nga trojet e tyre, e ua ka marrë trojet, që ua ka marrë shqiptarëve Toplicën, që ka bërë masakra e gjenocid në Kosovë e Lumë, nuk besoj se shqiptarët ia plotësojnë qejfin e dëshirën Vuçiqit e për hatër të tij të votojnë Edi Ramën”, është shprehur ai.

Shahu po ashtu ka vlerësuar se shteti serb gjithmonë ka futur hundët në politikën shqiptare, derisa ka shtuar se një ditë Vuçiq do t’i përgjigjet thirrjes së tij që “për një serb, do të vrasin njëqind myslimanë”.

“Serbia gjithmonë ka futur hundët në politikën shqiptare, që para krijimit prej saj të Partisë komuniste të Shqipërisë, në shumë vite mjalti me Enver Hoxhën, por kështu hapur si tani me thirrjen e presidentit serb Vuçiq që shqiptarët të votojnë Edi Ramën, nuk kishte ndodhur kaq hapur. Vuçiq mund të ketë frikë se ndoshta ndonjë ditë do të përgjigjet për thirrjen e tij publike “Për një serb vrasim njëqind myslimanë, do të thotë vrasim njëqind shqiptar. Dita e gjyqit të madh vonon, por për askënd nuk harron”, ka deklaruar Rexhep Shahu për “Bota sot”.

Mehazi: Rama shpresa e fundit e planeve gjeopolitike serbe

Ndërsa, njohësi i çështjeve politik dhe profesori Sulejman Mehazi, ka thënë se humbja e Ramës është shqetësuese për Vuçiqin, duke pasur parasysh që Rama është shpresa e fundit e planeve gjeopolitike serbe, madje atë e kanë eliminuar nga shtetet ballkanike edhe humbja e Trumpit dhe fitorja e Kurtit.

Image
Sulejman Mehazi

“Me të vërtetë është për t'u shqetësuar e për t'u brengosur presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për humbjen e Ramës gjatë zgjedhjeve në Shqipëri. Si mos të brengoset Vuçiqi për Ramën, pasi kryeministri i Shqipërisë është shpresa e fundit e planeve gjeopolitike serbe, humbja e Ramës, Vuçiqit ia humbë të gjitha shpresat serbe në regjion. Shkuarja e mikut të tij Thaçit në Hagë, humbja e Trumpit dhe fitorja e presidentit amerikan Biden në SHBA, fitorja e Albin Kurtit në Kosovë, politikisht Vuçiqin e kanë eliminuar nga skena e shteteve ballkanike, përveç Ramës të gjithë janë kundër ambicieve politike serbe”, ka theksuar Mehazi.

Sipas tij, Rama është shpresa e fundit e Vuçiqit, prandaj nëse Rama humbë, atëherë Vuçiq do të mbetet pa miq të projekteve serbe dhe do të mbetet humbës i madh ndaj politikës së Kosovës.

“Shpresa e fundit e Vuçiqit është Ram,a për shkak se kryeministri i Shqipërisë është i vetmi që përkrahë projektet minishengeniane të Serbisë, përkrah shkëmbime territoresh, nëse Rama humb në Shqipëri, Vuçiqi do mbetet kukuvajka politike dhe diplomatike ballkanike, i vetmuar pa miq e shokë të projekteve serbe. Pa Ramën, Vuçiqi do mbetet dele e zezë, i pasigurt, inferior e humbës i madh ndaj politikës kosovare të Albin Kurtit e Vjosa Osmanit. Pra, largimi i Ramës, Vuçiqit ia humbë të gjitha favoret serbe në Kosovë e gjetiu. Tanimë, Vuçiqi miqtë e tij të dashur i ka humbur: Trumpin, Grenellin, Thaçin, tani i ka mbetur vetëm Rama, nëse dhe ky humb atëherë Vuçiqi do jetë i detyruar ta ruajë veten dhe partinë e vet nga qytetarët e Serbisë, e kurrsesi nuk do mund të ndikojë jashtë Serbisë”, ka përfunduar Sulejman Mehazi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat