Thirrja për liderët e shtetit për të akuzuarit e Speciales në adresë të gabuar, të dërgohet te PDK-ja

Politika

Thirrja për liderët e shtetit për të akuzuarit e Speciales në adresë të gabuar, të dërgohet te PDK-ja

Nga: A.Z Më: 26 prill 2021 Në ora: 16:21
Kadri Veseli, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi

Përfaqësuesi i Kongresit Panshqiptar Amerikan, Uk Lushi, ka bërë kërkesë për tre liderët, Vjosa Osmanin, Albin Kurtin e Glauk Konjufcën, që të kërkojnë nga Specialja, që të akuzuarit të mbrohen në liri. Lushi ka thënë se në Gjykatën Speciale po qëndrojnë kontribuesit e jashtëzakonshëm për lirinë e Kosovës.

Lushi shkruan se, Gjykata le të vendosë bazuar në fakte dhe prova, por nuk ka gjykatë në univers që mund të ta jep apo merr dinjitetin– as si individ, as si shtet dhe as si popull.

Sipas tij, shteti i Kosovës bashkë me organet policore të huaja të Gjykatës Speciale mund të mbikëqyrin qëndrimin në shtëpitë e tyre të ish-udhëhqësve të shtetit derisa të vendoset për verdiktin.

Lidhur me këtë, analisti Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se është një kërkesë humane për lirimin e të akuzuarve, sepse sipas Mehazit, ata janë më meritorët e krijimit të Republikës së Kosovës.

“Kërkesa e përfaqësuesit të Kongresit Panshqiptar Amerikan, Uk Lushit, drejtuar tre liderëve të Kosovës: Vjosa Osmanit, Albin Kurtit e Gllauk Konjufcës është për t'u përshëndetur, është një kërkesë humane e dashurore për lirimin e të akuzuarve në Gjykatën Speciale të Hagës. Nuk do ishim të sinqertë të thonim se të akuzuarit e Gjykatës Speciale të Hagës: Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi nuk janë themeluesit dhe më merritorët e pavarësisë së Kosovës, përkundrazi ata janë më meritorët e krijimit të Republikës së Kosovës, edhe sikur t'i mohonim, historia e pavarësisë së Kosovës do pohojë e argumentojë merritat e tyre”, ka theksuar ai.

Tutje shtoi se vetë ata janë fajtor për akuzat ndaj tyre, sepse vetë formuan Gjykatën Speciale. Prandaj, edhe kërkesa e Lushit është dërguar në adresë të gabuar, sepse fajtor nuk janë as Kurti, as Osmani dhe as Konjufca, por duhet të dërgohet te PDK-ja që e kanë votuar Gjykatën Speciale,

“Mirëpo, për akuzat e tyre nuk janë fajtor Albin Kurti, Konjufca e Vjosa, pro fajtor janë vetë të akuzuarit të cilët kur e kishin pushtetin e Kosovës në dorë me gishtat e deputetëve të tyre formuan Gjykatën Speciale për ta burgosur vetëveten. Faji i të akuzuarve në Hagë nuk del nga tre liderët e tanishëm të LVV-së: Kurti, Osmani e Konjufca të cilët si parti opozitare ishin kundër Gjykatës Speciale, po faji del nga vetë partia e PDK-së që përkrahu Gjykatën Speciale. Mendojmë se kërkesa e përfaqësuesit të Kongresit Panshqiptar Amerikan, Uk Lushit, është dërguar në adresë të gabuar, kërkesa e tyre është dashur të dërgohet te partia e të akuzuarve të PDK-së që votuan Gjykatën Speciale, për shkak se fajtor kryesor për burgosjen e Thaçit, Veselit, Krasniqit janë të PDK-së e jo të LVV-së që ishin kundër Gjykatës Speciale në parlamentin e Kosovës”, deklaroi Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat