Gjermani në krah të Kosovës, mesazhet e ministrit gjerman në Kosovë

Politika

Gjermani në krah të Kosovës, mesazhet e ministrit gjerman në Kosovë

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 27 prill 2021 Në ora: 20:20
Heiko Maas

Gjatë javës që po lëmë pas, në Kosovë ishte për vizitë Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Maas.

Gjatë kësaj vizite, Ministri gjerman ka konfirmuar mbështetjen e vazhdueshme të shtetit gjerman për dialogun dhe normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai gjatë kësaj vizite zyrtare zhvilloi takime me presidentin e Kosovës, Vjosa Osmanin, me kryeministrin Albin Kurtin dhe Ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla

Përgjatë këtyre takimeve, temë diskutimi ishte edhe dialogu i Kosovës me Serbinë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Pas takimit me presidenten Osmani, Maas theksoi se është normale në dialogët për normalizim të ketë një kompromis.

“Natyrisht se njohja e Kosovës do të jetë një nga elementet e zgjidhjes, përndryshe nuk do të realizohet. Përtej kësaj nga dy anët është normale në dialogët për normalizim të ketë një kompromis. Nuk dua të tërheq linja të kuqe, por e di që edhe nga ana tjetër, për shkak të rrethanave historike do të jetë e vështirë dhe s’dua ta ngarkoj edhe më tej procesin, por në fund të procesit dëshiroj të gjejmë zgjidhje për të gjitha çështjet”, tha ai.

Ndërkaq, presidentja Osmani ka deklaruar në konferencën për media se dialogu ka nevojë për  ‘reset’ (që në gjuhen shqipe do të thotë rivendosje).

“Si institucione të Kosovës e informova ministrin që ne do të vazhdojmë të ngrisim zërin dhe të bëjmë çmos që të ketë drejtësi për gjitha këto viktima. Për ne ky proces i dialogut ka nevojë për një ‘reset’, pra nuk është thjeshtë një vazhdimësi dhe të gjitha institucionet tona vëmendshëm do të shqyrtojnë secilën marrëveshje të arritur, secilin dokument të shqyrtuar deri më tani. Do të zhvillojmë një dialog të bazuar në parime të qarta”, tha ajo.

 Burjani: Gjermania me qëndrim të njëjtë

Lidhur me çështjen e dialogut, njohësi i çështjeve politike, Blerim Burjani, ka theksuar se qëndrimet e Kosovës dhe të Gjermanisë janë të njëjta.

Image
Blerim Burjani

Ky konstatim i Burjanit vjen pas deklaratave të ministrit Mass.

“Qëllimet janë të njëjta, pasi që Gjermania mban qëndrim të njëjtë, që Serbia në fund të dialogut duhet ta njohë Kosovën “, ka theksuar ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, ai ka shtuar se zgjidhja e dialogut duhet të jetë njohja e ndërsjellët ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ndryshe s`ka kurrfarë marrëveshje për normalizim, kjo tash dihet me këtë strategji e mbronë edhe SHBA-ja. Të gjithë pajtohen se zgjidhja duhet të ndodhë përmes njohjes nëse nuk ka njohje s`ka gjë, pra ka vetëm riciklim të problemeve dhe konflikt të ngrirë”, ka deklaruar Burjani.

Më tej, ai ka treguar se çfarë i ka bërë me dije palës së Kosovës, gjatë vizitës në Prishtinë.

“Gjermania po ashtu bëri me dije se nuk duhet të luhet me dialog, duhet të jenë serioz dhe se nuk ka nevojë të fillojë ndonjë dialog duke vendos një periudhë 10 vjeçare jo ekzistente;  dialogu bëhet që 10 vjet, por pa finalizim. Pra duhet te pranohet dialogu pa kushte”, ka vlerësuar Blerim Burjani për “Bota sot”.

Shahu: Dialogu duhet të mbyllet

Ndërsa, analisti politik, Rexhep Shahu, në një prononcim për “Bota sot” ka komentuar vizitën e ministrit të jashtëm gjerman Maas në Kosovë.

Image
Rexhep Shahu

“Pas letrës së presidentit amerikan lidhurme dialogun Serbi - Kosovë, pas premtimit se Amerika është e do të jetë më ju, por duhen bërë bisedimet dhe duhen përballuar kompromiset, pra pas kësaj letre amerikane vjen në Prishtinë ministri i jashtëm gjerman, i shtetit lokomotivë të Evropës”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Sipas tij, dialogu Kosovë-Serbi duhet të përballet, ndërkaq ka hedhur kritika ndaj qeverisë së Kosovës.

“Dialogu shqiptaro-serb duhet bërë që kjo çështje të mbyllet pasi u bënë 4 dekada që diplomacia botërore merret me Kosovën dhe Amerika e Fuqitë e Mëdha bënë luftë për Kosovën e pavarësinë e saj. Mendoj se qeveria aktuale e Kosovës është përfshirë nga frika e përballjes në bisedime. Albin Kurtit sikur nuk po i mbushet mendja se është kryeministër dhe duhet të marrë vendime të forta”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, Shahu ka shtuar se Kosova e ka të qartë se nuk diskutohet liria, pavarësia, tërësia territoriale dhe sovraniteti.

“Vonesat e zhagitja e përballjes në dialog është dobësi. Kosova e ka të qartë se nuk diskutohet liria, pavarësia, tërësia territoriale dhe sovraniteti i Kosovës, pasi janë çështje të mbyllura. Diskutohen çështje të pajtimit e njohjes mes fqinjëve që fqinjësia të jetë e mirë dhe të mos rritet urrejtje në rajon. Kosova nuk ka ekzistuar as ekziston më leje të Serbisë por as Serbia jo me leje të Kosovës. Por sot rruga e Serbisë për ne Evropë kalon nëpër Kosovë. Serbia nuk mund të fqinjërohet e të jetojë si satelit rus, por mund të ketë perspektivë në Evropë”, ka vlerësuar ai për “Bota sot”.

“Në bisedime shpresojmë të mendohet shqip nga delegacioni shqiptar dhe të mos shkohet me ide të tipit se Albin Kurti e dridh Serbinë. Serbinë e ka dridhur Amerika e NATO kur ia kanë marrë dhe ia kanë hequr Kosovën, kur e kanë bërë Kosovën shtet të pavarur të shqiptarëve. Gjithë parullat e tjera të tipit sa sipër janë parulla enveriste”, ka potencuar Rexhep Shahu për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat