Paralajmërohet “shpërndarja” e PDK-së, analistët tregojnë rrezikun që e pret këtë parti

Politika

Paralajmërohet “shpërndarja” e PDK-së, analistët tregojnë rrezikun që e pret këtë parti

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 28 prill 2021 Në ora: 19:15
Enver Hoxhaj

Zgjedhjet e 14 shkurtit arritën që të sjellin “tërmetin” politik për partitë politike, nga i cili ende duket se nuk kanë arritur të këndellen.

Është Partia Demokratike e Kosovës e cila pësoi rënie në krahasim me zgjedhjet e kaluara që janë mbajtur.

Mirëpo përveç rënies në këto zgjedhje, si duket PDK-së nuk po i ndalen “të këqijat”, pasi së fundmi nga kjo parti u larguan dy figura të rëndësishme.

Ishte deputetja Adelina Grainca ajo e cila u largua nga PDK për të kaluar në LVV dhe më pas zëdhënësi Avni Bytyçi, i cili tregoi publikisht që është pozicionuar me grupin punues për Hagë dhe është larguar nga çdo pozitë në PDK.

“Rrugëtimi im në politikë është shkurtuar pa dëshirë nga rrethanat në të cilën gjinden themeluesit e shtetit të Kosovës dhe ish Kryetari i Partisë, z. Veseli. Gjatë muajve në vijim unë do të punoj ngushtë me ekipin mbrojtës të z. Veseli në Hagë. Për të ruajtur parimin e mos ndërhyrjes, paanshmërinë dhe për të siguruar që puna ime nuk konsiderohet ndërhyrje politike në asnjë formë, e pas një bisede të shkurtër me z. Veseli, po tërhiqem nga çdo funksion dhe pozitë që kam në Partinë Demokratike të Kosovës”, ka shkruar ndër të tjera në postimin në Facebook.

Këto largime të njëpasnjëshme nga PDK po tregojnë qartë që kjo parti ka filluar të humbasë balancin brenda partisë së saj, ka arritur të mos menaxhohet mirë duke përfunduar me largime të anëtarëve të saj.

PDK drejt shpërndarjes

Njohësit e çështjeve politike për “Bota sot”, u shprehen se PDK po shkon drejt shpërndarjes të anëtarëve të saj.

Ata thonë se kësaj partie do t’i ikin edhe anëtarët e tjerë, duke mos përjashtuar mundësinë për kalimin e tyre në LVV.

Bytyçi: PDK të ndjek rrugën e LDK-së, të fillojë me reformat

Image
Njohësi i çështjeve politike, Adem Bytyçi

Njohësi i çështjeve politike, Adem Bytyçi në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh se dorëheqjet e PDK-së, janë paralajmërim i pakënaqësive që po ndodhin në këtë parti pas humbjeve në zgjedhje.

Sipas tij PDK duhet të bëjë reforma brenda partisë sikurse LDK-ja.

“Dorëheqjet nga PDK, janë paralajmërim i pakënaqësive që po ndodhin në këtë parti pas humbjeve të zgjedhjeve të fundit. PDK, duhet të ndjek rrugën e LDK- së, të bëjë disa reforma kadrovike nëse mendon të këtë sukses në zgjedhjet e ardhshme kurdo që të mbahen ato në nivel vendi”, u shpreh Bytyçi.

Më tej, analisti përmend Arsim Bajramin, i cili sipas analistit mund të sjellë reforma në këtë parti politike.

Gjithashtu, ai shton se sulmet që po vazhdon të bëjë PDK-ja ndaj LVV-së, prishin imazhin tek qytetarët e vendit.

“Personaliteti i cili mund t'i bëjë ndryshimet e duhura në këtë parti është z. Arsim Bajrami, edhe në të kaluarën po të ishin përfillur këshillat e tij në interes të partisë, PDK sot do ishte në një nivel politik më të lakmueshëm në komperacion me subjektet tjera politike. Sulmet e kësaj partie kundër qeverisë aktuale duke iu kthyer të kaluarës së LVV-së, protestave të kësaj partie nuk ia PËRMIRËSOJNË imazhin e kësaj partie në sytë e qytetarëve të vendit”, ka theksuar analisti.

Tutje, Bytyçi ka thënë se PDK duhet të identifikojë gabimet e saj dhe të fillojë t’i përmirësojë që në zgjedhjet e ardhshme të bind qytetarin që t’ia besojë votën.

“PDK më shumë duhet të merret me të kaluarën e saj se si e ka qeverisur vendin, të identifikojë të metat dhe t'i përmirësojë gabimet, se sa të merret me Qeverinë Kurti. PDK-së i mbetet të bëjë shumë për t'i bindur qytetarët që në zgjedhjet e ardhshme nacionale, të cilat do të mbahen pas 4 (katër) vitesh, për t'ia besuar eventualisht qeverisjen e vetë”, ka deklaruar Adem Bytyçi për “Bota sot”.

Kapiti: Elektorati i PDK-së do t’i bashkëngjitet LVV-së

Image
Analisti politik, Skënder Kapiti

Ndërsa, analisti politik, Skënder Kapiti, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ka thënë se me largimin e anëtarëve nga PDK-ja, na lë të kuptojmë që elektorati i PDK-së po fillon të kalojë në LVV.

Sipas analistit, në Kosovë do të mbesin dy alternativa politike që do të jenë: E Majta me LVV dhe e Djathta LDK+ “GUXO”.

“Largimi i deputetes nga PDK dhe kalimi i saj në LVV dhe tani edhe largimi i zëdhënësit Avni Bytyqi, janë në vazhdën e asaj që e kam parashikuar dy vite më parë, se, LVV në Kosovë do të konsolidohet si alternativa e majtë dhe se elektorati nga Partia Demokratike kryesisht, por edhe nga NISMA do të orientohen dhe do të mbështesin LVV-në. Me Abdixhikun kryetar dhe me atë se LDK-ja tashmë po reformohet dhe nëse akoma më shumë po qe se edhe lista “Guxo” e Donika Gërvallës ose bashkohen ose bëjnë aleancë me LDK-në, atëherë në Kosovë do të ketë dy alternativa politike që do të jenë: E Majta me LVV dhe e Djathta LDK+”GUXO”, është shprehur ai.

Kapiti ndër të tjera ka vlerësuar se PDK-në e pret një rënie e lirë politike dhe se lojërat e saj për ta bindur qytetarin tashmë janë konsumuar.

Nga ana tjetër, analisti përmend të bëmat e Thaçit dhe heshtjen e anëtarëve të PDK-së gjatë kohës kur u prekën interesat kombëtare dhe shtetërore të Kosovës.

“Partia Demokratike e Kosovës me rezultatin që mori me 14 Shkurt 2021, le ta mbajë mend se ky rezultat asaj nuk do t’i vijë më, por PDK-në e pret një rënie e lirë politike pasi elektorati i saj do t’i bashkëngjitet LVV-së. Kështu e pësojnë të gjitha partitë politike të cilat janë të mbyllura dhe hermetike e që i shërbejnë korrupsionit dhe interesave me lidhje familjare, fisnore, krahinore e nepotike dhe me individëve të paftë politikisht dhe profesionalisht. PDK nuk do të mund të mashtrojë e të spekulojë më me vlerat e luftës dhe as me dëshmorët dhe as me veteranët. PDK është konsumuar tashmë, është diskredituar dhe gërryer nga korrupsioni e hajnia qeveritare dhe ajo vendore si dhe me qëndrimin kapitullativ dhe kundër interesave kombëtare të ish kryetarit të saj dhe të ish presidentit të Kosovës, Thaçi, për veprimet e të cilit do të mbajë përgjegjësi historike edhe vetë PDK-ja për mosreagim dhe moskundërshtim të marrëveshjeve dhe të pazareve të bëra nga Thaçi kundër interesave kombëtare dhe shtetërore të Kosovës”, ka vlerësuar Kapiti.

Duke vazhduar Kapiti paralajmëron largim të intelektualëve të tjerë nga PDK-ja, pasi që ata nuk do të mund të qëndrojnë në një parti ku ekziston ligji i “të fortit” dhe kështu do të drejtohen në partitë e tjera politike.

“Shumë intelektualë nga radhët e PDK-së do të largohen nga radhët e saj ,pasi ata nuk mund të qëndrojnë në një parti ku ligjin e bëjnë të “fortët” dhe injorantët dhe nuk mund ta pranojnë që t’u binden atyre dhe urdhrave verbalë të tyre. PDK-në këtë derexhe ku ndodhet ajo ndoshta edhe mund të ndahet ose të ketë rrjedhje të anëtarësisë së saj drejt partive politike të tjera, si p.sh. drejt LVV”, ka deklaruar Skënder Kapiti për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat