Dialogu me Serbinë, analisti, porosi Kurtit: Ke kujdes me përzgjedhjen e ekspertëve

Politika

Dialogu me Serbinë, analisti, porosi Kurtit: Ke kujdes me përzgjedhjen e ekspertëve

Nga: A.Z Më: 30 prill 2021 Në ora: 20:36
Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paralajmëruar se në muajin qershor do të rifillojë dialogu me Serbinë.

Këtë herë në dialogun me Serbi do të përfshihen edhe një grup prej 6 ekspertësh.

Lidhur me atë se a është e nevojshme përfshirja e tyre në dialog, në një prononcim për “Bota sot”, analisti Mirsad Voca, e sheh veprim të drejtë, sepse duke qenë të përgatitur mirë do ia dalin me sukses.

Sipas Vocës, Kurti duhet të ftojë edhe ekspertë nga jashtë në mënyrë që të kenë këndvështrime në fusha të ndryshme.

“Dialogu me Serbinë duhet të përfshijë ekspertë të fushave të ndryshme, sepse tani bëhet fjalë dialog parimor, të drejtë dhe të barabartë. Vetëm të përgatitur mirë dhe pa u ngutur, Kosova do t’ia dalë me sukses të përmbyll edhe këtë fazë dialoguese me Serbinë të ndërmjetësuar nga BE. Kryeministri i Kosovës duhet të bëjë kujdes në përzgjedhjen e ekspertëve, sepse ata duhet të jenë ekskluzivisht të fokusuar në dialogun me Serbinë. Do të sugjeroja që kryeministri i Kosovës të ftojë edhe ekspertë nga jashtë, të cilët kanë bërë hulumtime që prej dekadash në çështje të Ballkanit perëndimor dhe në atë të Kosovës. E them këtë, sepse kjo do të gërshetoj sinteza e analiza dhe reflektim të shumanshëm nga këndvështrime nisur nga fusha të ndryshme varësisht ekspertizës së individëve”, theksoi ai.

Ai nuk e sheh të nevojshme qasjen e figurave që ishin pjesë e negociatave të mëparshme, sipas tij, duhet të jenë ekspertë, të cilët fokus hulumtimi kanë pasur çështjen e Kosovës në hapësirën ish-jugosllave.

“Dua të shtoj po ashtu se nuk është i domosdoshëm inkuadrimi i figurave paraprake, të cilët ishin pjesë e negociatave të mëparshme. Mirëpo, doemos është i nevojshëm inkuadrimi i ekspertëve, sidomos i atyre që kanë kryer madje hulumtime doktorale për çështjen e Kosovës. Do të theksoja në veçanti ata ekspertë që kanë specializuar në paqartësitë, ambivalencat dhe zgjidhjet në çështjen e së drejtës së pupujve për vetëvendosje, të cilët fokus hulumtimi kanë pasur çështjen e Kosovës në hapësirën ish-jugosllave”, përfundoi Mirsad Voca për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat