Shuhen dëshirat e Aleksandër Vuçiqit/ “Albin Kurti e thotë fjalën e fundit në dialogun Kosovë-Serbi”

Politika

Shuhen dëshirat e Aleksandër Vuçiqit/ “Albin Kurti e thotë fjalën e fundit në dialogun Kosovë-Serbi”

Nga: A.Morina Më: 3 maj 2021 Në ora: 17:04
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Gjatë qëndrimit në Bruksel, kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se dialogu me Serbinë pritet të rifillojë në muajin qershor, pasi qeverisë së re i duhet kohë të përgatitet për bisedime, në mënyrë që të mos bëhen gabime.

Për këtë deklaratë të kryeministrit Kurtit kanë reaguar kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe ish-kryeministri Avdullah Hoti duke thënë se Kurti i ka te gjitha dokumentet dhe raportet e nevojshme për rifillim të dialogut.

Madje, ata e kritikuan Kurtin, duke thënë se po sillet si viktimë.

Në lidhje me kritikat e Lidhjes Demokratike të Kosovës, adresuar kryeministrit Albin Kurti për rifillimin e dialogut me Serbinë, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka folur profesori dhe njohësi i çështjeve politike Sulejman Mehazi.

Mehazi përmendi seriozitetin e kryeministrit Kurti në raport me çështjen e dialogut me Serbinë, andaj sipas profesorit, kritikat e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe ish-kryeministrit Avdullah Hoti janë të padrejta.

Image
Profesor Sulejman Mehazi

“Se sa serioz është kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, rreth dialogut me Serbinë tregon vetë deklarata e tij se nuk pranon takime dëshirash private e të pa protokolluara të 11 majit me Vuçiqin, po kërkon takime serioze e të përgatitura mirë nga qeveria e Kosovës.

Prandaj reagimet e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut, dhe ish-kryeministrit Avdulla Hotit janë të padrejta pasi punët serioze shtetërore nuk bëhen aty për aty pa përgatitje dialoguese me Serbinë”, deklaroi ai.

Në vazhdim, profesori tha se me anulimin e takimit të 11 majit, Kurti ia bëri me dije presidentit serb, Vuçiq se kanë vdekur dëshirat për takime privat e formale për dialog dhe se bisedimet rifillojnë atëherë kur duan krerët e shtetit të Kosovës.

“Edhe ne dasmë nuk shkohet pa farë përgatitje e jo më në punët kyçe e serioze shtetërore sikurse që është dialogu me Serbinë. Që të jetë ironia më e madhe e LDK-së pa farë logjike i thonë kryeministrit Kurti "se po sillet si viktimë" ndaj dialogut me Serbinë. Vetëm me anulimin e dialogut të Kurtit që e kërkonte Vuçiq me 11 maj favorizon kryeministrin dhe Kosovën duke ia bërë me dije Vuçiqit se vdiqën dëshirat e tij të takimeve private e formale dhe se dialogu do rifillojë atëherë kur do duan të Kosovës”, theksoi ai.

Sipas Mehazi, tash e tutje dialogu do të jetë në duart e kryeministrit Albin Kurti dhe jo në duart e Aleksandër Vuçiqit.

Po ashtu, ai tha se tani Serbia do hyjë në dialog me Kosovën, vetëm kur do Kurti dhe jo si më parë kur donte Serbia (në kohën e Thaçit).

“Kapistrën apo dizgjinët politike tani e tutje të dialogut me Serbinë nuk do jenë në duart e Vuçiqit, po në duart e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Kur do dojë e kur do jetë e përgatitur qeveria e Kosovës do hyjë në dialog me Serbinë, e jo kur donte Serbia si më parë me Thaçin”, nënvizoi ai

Në fund, profesor Mehazi tha tani me Kurtin kryeministër nuk do të ketë takime restorantesh, kafenesh e reklamash mediatike brukseliane, por takime vepruese për të mirën e Kosovës

“Albini nuk dëshiron të bëjë takime rasti me Vuciqin, po takime vepruese për të mirën e Republikës së Kosovës. Vetë përgatitja e dialogut me Serbinë tregon se qeveria e Kosovës nuk është për takime restorantesh, kafenesh e reklamash mediatike brukseliane, po për veprime konkrete të njohjeve reciproke”, përfundoi Sulejman Mehazi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat