Alarm për Vjosa Osmanin dhe Albin Kurtin: Kujdes, ja formula e Edi Ramës për ndarjen e Kosovës

Politika

Alarm për Vjosa Osmanin dhe Albin Kurtin: Kujdes, ja formula e Edi Ramës për ndarjen e Kosovës

Nga: P.R Më: 3 maj 2021 Në ora: 19:48
Edi Rama

Në zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri, parti fituese doli Partia Socialiste, duke lënë pas Partinë Demokratike. Kështu, Edi Rama do të jetë edhe për një mandat kryeministër i Shqipërisë.

E lidhur me fitoren e Edi Ramës në Shqipëri dhe ndikimin e tij në Kosovë, për gazetën “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi. Ai thotë se Edi Rama nuk do të ndryshojë aspak nga ai që jemi mësuar ta shohim në dy mandatet e kaluara.

“Askush nuk do të duhet ta mendojë se kryeministri shqiptar i mandatit të tretë ka ndryshuar ose do të ndryshojë. Përkundrazi, egoja e tij është shumëfishuar. Ai e shprehu këtë edhe në mitigun festues të “fitores” së vjedhur, kur tha se donte të bëhej kryeministër i të gjithë shqiptarëve. Kjo nuk është vetëm ambicia e tij. Është dhe detyra që ka marrë nga Beogradi dhe presidenti i Serbisë. Gazeta e njohur austriake thoshte sot se “ Edi Rama kishte rënë dakord para tri vitesh me projektin e ndryshimit të kufijve të Aleksandër Vuçiq”!”, thotë Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

Ai shton se Edi Rama ka qenë në dijeni për hartën e ndarjes së Kosovës, hartë kjo që u publikua së fundi si propozim i Janes Janshës.

“Kryeministri shqiptar tha para dy javësh se ai kishte dijeni për hartën e ndarjes së Ballkanit të shpallur publikisht si vepër e kryeministrit slloven. Ishte dhe mbetet i vetmi lider ballkanik e evropian që pranon se kishte dijeni për këtë non-papier destabilizues të Ballkanit. Ndonëse edhe Vuçiq kishte dijeni për të, presidenti i Serbisë nuk e pranoi një fakt të tillë. Edi Rama e pranoi se kishte dijeni. Dhe nuk tha asgjë se çfarë reagimi kishte më parë ose ka në të sotmen. Nuk e kundërshtoi dhe as e refuzoi këtë non papier”, thekson Bytyçi.

Sipas tij, në këto kushte askush nuk duhet të presë që qëndrimet e kryeministrit Rama do të ndryshojnë sa i përket Kosovës.

“Ai do të përpiqet në fillim të hedhë degën e ullirit para udhëheqësve të Kosovës, përkatësisht kryeministrit Kurti dhe presidentes Osmani. Do të deklarohet për pajtim. Do të thotë se “Na duhet të jemi të bashkuar”, ndryshe do të ketë pasoja të rënda për kombin shqiptar. Do të thotë se është kujdestar i ndryshimit në politikat e së shkuarës. Do të refuzojë se ka punuar për tjetërsimin e territorit të Kosovës. Nëse arrin dhe i bind zotin Kurti dhe zonjën Osmani në lidhjen e një pakti me ta, atëherë do të fillojë me intriga, por edhe me presion të kërkojë zbatimin e skemës serbe të “pajtimit të shqiptarëve me serbët””, shton më tej profesor Bytyçi për “Bota sot”.

Bytyçi ka treguar se çfarë do të kërkojë Edi Rama nga Kosova.

“Do të kërkojë që të hiqet dorë nga retorika “e urrejtjes”, sepse do ta konsiderojë si shprehje të urrejtjes kërkesën për të dënuar krimet dhe gjenocidin serb në Kosovë. Do të kërkojë që të bisedohet “për të ardhmen” e për ta harruar të shkuarën. Do ta justifikojë këtë me retorikën në emër të paqes e të ardhmërisë. Më në fund do të bëjë presion që të pranohen non-papierët serbë, së paku për ta pranuar autonominë e serbëve në veriun e Kosovës. Do të thotë se “Kosova nuk mund të jetojë e izoluar”! Dhe në fund, kur kryeministri dhe presidentja e Kosovës ta refuzojnë ofertën e Edi Ramës që ai do ta bëjë në emër të Beogradit, do të kërcënojë për “izolim” të Kosovës, për “dritëshkurtësi”, për “nacionalizëm” etj”, shprehet Bytyçi.

Krejt këtë, Bytyçi e sheh si formulë të Ramës për ndarjen e Kosovës.

“Por mos harrojmë: Edi Rama ka aftësinë që të hidhet në sulm në politikën dhe retorikën e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, me qëllim që të gënjejë qytetarët e dy vendeve me patriotizmin e rremë të tij. Me këtë formulë ai do të synojë ndarjen e Kosovës, si e vetmja mënyrë për bashkimin e saj me Shqipërinë. Nëse nuk e arrin këtë, ai do të llogarisë në përçarjen e klasës politikë të Kosovës. Prandaj nuk duhen artikuluar zërat për bashkim, por për shtetësi dinjitoze”, nënvizon Bytyçi.

Ai thekson se aleatët e Edi Ramës në Kosovë janë miqtë e Hashim Thaçit.

“Presidentja dhe qeveria e Kosovës duhet të llogarisin se Edi Rama do të ketë aleatë në Kosovë. Këta aleatë do të jenë miqtë e Hashim Thaçit në Partinë Demokratike, por edhe ndonjë tjetër në partitë e tjera. Përmes tyre do të përpiqet të përçajë skenën politike. Vetëm përmes përçarjes ai mund ta sundojë Kosovën dhe ta ndajë atë me Aleksandër Vuçiqin. Ndoshta do të marrë ndonjë mik ose mikeshë të Hashim Thaçit në kabinetin e qeverisë së tij të ardhshme. Gjithçka pritet të ndodhë”, thotë Bytyçi.

“Dhe mund të mos ndodhë asgjë, nëse liderët politikë në Prishtinë do të jenë të kujdesshëm dhe do të mbrojnë pozicionet që kanë në raport me dialogun dhe zgjidhjen e konfliktit me Serbinë. Kjo nuk do të thotë që liderët e Kosovës duhet të ngrehin pushkën kundër kryeministrit të Shqipërisë. Por në biseda jo publike ata duhet t’i bëjnë të qartë vendin që ai duhet të mbajë në raport me Kosovën, kufijtë që duhet të respektojë dhe t’i ofrohet bashkëpunim konkret midis dy vendeve. Nëse qeveria shqiptare nuk do të jetë e interesuar për projekte konkrete dhe do ta trajtojë marrëdhënien me Kosovën në mënyrë populiste, qeveria e Kosovës duhet të paraqesë gjithnjë projekte konkrete bashkëpunimi, deri te unifikimi i ligjeve të përbashkëta”, deklaron më tej Bytyçi.

Sipas tij, testi i parë do të jetë raporti me Minishengenin.

“Testi i parë do të jetë raporti me Minishengenin. Ai duhet refuzuar kategorikisht. Me këtë arrihet një objektiv madhor: Pamundësohet liderhsipi serb mbi Kosovën dhe rajonin. Dhe një objektiv më i vogël: Testohen nervat e Edi Ramës. Nëse nervozohet që në këtë start, atëherë do të kuptohet dhe do të bëhen llogaritë më mirë për të ardhmen!”.

Për fund, Bytyçi deklaron se zgjedhjet e 25 prillit të kaluar në Shqipëri ishin zgjedhje të blera, të vjedhura, të manipuluara e të grabitura nga makineria shtetërore.

Partia Demokratike konkurroi e vetme kundër shtetit dhe partisë-shtet, e cila zyrtarisht u dha mijëra shqiptarëve plot 40 milionë euro në këmbim të votës, duke e maskuar këtë me “shpërblime për dëmet e tërmetit“! Paratë e Evropës u mbajtën gati një vit në thesar, që ato të shpërndaheshin te shqiptarët tri ditë para zgjedhjeve. Një fitore e vjedhur në zgjedhje sjell në pushtet hajdutë, njerëz të krimit dhe të bandave. Mjafton të kuptosh këtë lidhje dhe të mos e besosh se qeverisja e dalë nga këto zgjedhje do të jetë shpresë për Shqipërinë dhe Kosovën. Marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën në tetë vitet e Edi Ramës në qeverisje ishin marrëdhënie konflikti të pandërprerë. Kosova u përball me frymën e përçarjes dhe të kundërvënies nga ana e kryeministrit të Shqipërisë”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat