Shpresat te Specialja për krimet që tronditën Kosovën, gazetarët e “Bota sot” u vranë vetëm se e thanë të vërtetën

Politika

Shpresat te Specialja për krimet që tronditën Kosovën, gazetarët e “Bota sot” u vranë vetëm se e thanë të vërtetën

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 3 maj 2021 Në ora: 22:18
Xhemajl Mustafa, Bekim Kastrati dhe Bardhyl Ajeti

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, në bashkëpunim dhe me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ekipin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, sot ka shënuar 3 majin - Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit me moton “Blackout May”.

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, AGK-ja në bashkëpunim me partnerët e vetë si dhe këtë vit me mbështetjen edhe të Ambasadës Amerikane në Kosovë, mbajti një tryezë diskutimi me temën “Sfidat e lirisë së medieve dhe sigurisë së gazetarëve në Kosovë”.

Edhe sot, sikurse edhe vitet e kaluara, është anashkaluar përmendja me emër dhe mbiemër të gazetarëve të gazetës Kombëtare “Bota sot” të vrarë pasluftës, të cilët u vranë derisa po e kryenin punën e tyre të shenjtë, atë të gazetarit.

Këto vrasje, po vazhdojnë të anashkalohen edhe nga sistemi i drejtësisë në vend, shkruan “Bota sot”.

Përderisa vitet po kalojnë, vrasjet që tronditën Kosovën po vazhdojnë endje prej sirtarit në sirtar, gjersa shpresa e familjareve për drejtësi po zbehet në vazhdimësi.

Analistët politik janë të mendimit se gazetarët e gazetës “Bota sot” janë vrarë vetëm se guxuan ta thonë të vërtetën, në kohën kur të tjerët edhe pse e dinin nuk guxonin ta bënin një gjë të tillë publikisht. Gjersa, shprehen se presin që këto vrasje të jenë pjesë e gjykimeve që do të nisin në Hagë ndaj të arrestuarve që ndodhen atje.

E, njohësi i çështjeve juridike, konsideron se sistemit të drejtësisë në Kosovë ka nevojë që t’i bëhet Vetting rrënjësorë, pasi që ky sistem nuk mund të zbardh asnjëherë të vërtetën e vrasjeve enigmatike të gazetarëve të gazetës Kombëtare “Bota sot”; Bekim Kastrati e Bardhyl Ajeti.

Shahu: Vrasjet e gazetarëve janë bërë për të mos u zbuluar, sistemi ka dështuar

Gazetari i luftës dhe publicist, Rexhep Shahu, në një përgjigje dhënë për gazetën “Bota sot”, ka pohuar se drejtësia në vendin tonë ka dështuar.

Shahu shprehet se sikurse mos të dështonte sistemi i drejtësisë nuk do të ishte bërë domosdoshmëri krijimi i Gjykatës Speciale me seli në Hagë.

Image
Rexhep Shahu

“Drejtësia ka dështuar për shumëçka në Kosovë, se po të mos kishte dështuar nën presionin e kapjes së shtetit nga individë e banda në kohë të caktuara, nuk do të ishte bërë domosdoshmëri krijimi i Gjykatës Speciale të Kosovës me seli në Hagë. Besoj se edhe vrasjet e gazetarëve do të kenë dosjet e tyre në këtë gjykatë, pasi gazetarët janë vrarë pasluftës, në Kosovën e lirë prej serbëve. Vrasjet e gazetarëve janë bërë për të mos u zbuluar, por të shpresojmë se s’ka krim pa gjurmë, të shpresojmë në këtë gjykatë të specializuar”, ka thënë Shahu.

Ai me tej thekson se është me shpresën se drejtësia mbase do të vonojë, por se nuk do të mungojë. Gjersa ka nënvizuar se përkulet me mirënjohje të thellë para kolegëve që kanë humbur jetën.

“Është abuzuar me drejtësinë dhe aksiomën e saj që më mirë dhjetë kriminele në liri se një i pafajshëm në burg dhe shpesh organet e drejtësisë bëjnë një sy qorr e një vesh shurdh ndihmuar nga policia e kontrolluar dhe e urdhëruar që kur ka dashur apo kur është urdhëruar, ka prishur shenjat e gjurmët e krimit. Le të shpresojmë se në Kosovë drejtësia mbase do të vonojë, por besoj se nuk do të mungojë. Me këtë rast përulem me mirënjohje të thellë para kolegëve që kanë humbur jetën nga dora e krimit”, ka deklaruar gazetari i luftës dhe publicisti Rexhep Shahu, për gazetën “Bota sot”.

Krasniqi: Ky sistem nuk mund të zbardh asnjëherë vrasjen e Bekim Kastratit dhe Bardhyl Ajetiti, Kosova ka nevojë për Vetting

Ndërsa, nga ana tjetër, njohësi i çështjeve juridike, Islam Krasniqi, sistemit të drejtësisë në Kosovë ka nevojë që të bëhet Vetting rrënjësorë.

Image
Islam Krasniqi

“Sistemi i drejtësisë ka dështuara në vendin tonë, si ai prokurorial ashtu edhe ai gjyqësorë, pasi që kanë heshtur karshi së vërtetës. Sistemit të drejtësisë ka nevojë që t’i bëhet Vetting rrënjësorë, pasi që ky sistem nuk mund të zbardh asnjëherë të vërtetën, siç i kemi vrasjet enigmatike të gazetarëve të “Bota sot” Bekim Kastrati, Bardhyl Ajeti, që nuk u zbuluan kurrë, pos lënda e tyre ka mbetur në sirtar, e mbuluar nga pluhuri”, ka thënë Krasniqi.

Madje, Krasniqi shprehet se sistemi aktual i drejtësisë ka lënë në errësirë shumë vrasje.

“Pos vrasjeve të gazetarëve, kemi vrasjen e ish-kandidatit të PDK-së për deputet Elvis Pista ku lënda tij disa vite mbeti në prokurori në Gjakovë, pastaj kaloj në Prokurori Speciale, por që fati njëjtë e priti. Kemi vrasjen e Astrit Dehari i cili u vra në mbajtje e që institucionet e drejtësisë u munduan të shtrembërojnë të vërtetën e që askush nuk mban përgjegjësi ligjore e as morale”, tha Krasniqi për “Bota sot”.

Mehmeti: Gjykata Speciale të merret me këto raste

Kurse, analisti tjetër politik, Faton Mehmeti, është i mendimit se drejtësia në Kosovë është e kapur thellë.

Ai për gazetën “Bota sot”, ka deklaruar se është e pamundur që të ketë drejtësi të vërtetë derisa ky sistem qëndron në krye.

Image
Faton Mehmeti

“Drejtësia në Kosovë është e kapur, një drejtësi e tillë në fakt është padrejtësi në vete. Kështu që, duke pasur parasysh këtë gjë, është e pamundur që të ketë drejtësi të vërtetë derisa ky sistem qëndron në krye të organeve vendimmarrësve në gjykatat tona”, tha analisti politik.

Krejt në fund, Mehmeti ka potencuar se gazetarët e gazetës “Bota sot”, u vranë pasi që e thanë të vërtetën derisa të tjerët nuk guxonin ta bënin një gjë të tillë, ndërsa shprehet se pret që Specialja të merret me këto vrasje.

“Gazetarët e “Bota sot” janë vrarë vetëm se e thanë të vërtetën, në kohën kur të tjerët edhe pse e dinin nuk guxonin ta thonin publikisht, e kjo është vrasje e të vërtetës. Pres që Gjykata Speciale të merret me këto raste, e të cilat shpresoj shumë se janë pjesë e gjykimeve që do të nisin ndaj të arrestuarve që ndodhen atje. Vetëm Gjykata Special është shpresë për vrasjet e pasluftës, e ku spikasin ato të gazetarëve të “Bota sot”, ka thënë në fund, analisti politik, Faton Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat