“Sulmet” e frikshme ndaj Gërvallës, opinionisti u përgjigjet ashpër: Janë të papranueshme – ky është qëllimi

Politika

“Sulmet” e frikshme ndaj Gërvallës, opinionisti u përgjigjet ashpër: Janë të papranueshme – ky është qëllimi

Nga: N. H Më: 5 maj 2021 Në ora: 12:35
Donika Gërvalla gjatë fushatës elektorale, ku përballë ka flamurin e Dardanisë, të UÇK-së, dhe portretin e presidentit historik dr. Ibrahim Rugova.

Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, ka qenë objekt sulmi këto dy ditët e fundit, për shkak të një deklarate që kishte dhënë shumë kohë më parë, kur edhe kishte thënë se do të ndihmonte me materiale sapo të formohej Gjykata Speciale kundër, siç thoshte ajo, kokave të organizatës kriminale Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli.

Në lidhje me këtë çështje, gazeta “Bota sot”, ka kontaktuar opinionistin, Dedë Preqi, për të marrë një koment lidhur me këto sulme.

Opinionisti, Dedë Preqi, në një prononcim dhënë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se sulmet e djeshme ndaj kryediplomatës Donika Gërvalla, janë të papranueshme, dhe gjë të cilën mund ta bëjnë vetëm njerëzit e dobët.

Ai shprehet se tek Gërvalla gjejmë njeriun e vërtetë dhe fisnikërinë e saj me traditë familjare.

Image
Dedë Preqi

“Sulmet e fundit ndaj ministres dhe kryediplomatës Donika Gërvalla, janë të papranueshme, janë sulme që tiparin e tyre e gjejmë vetëm te njerëzit e dobët, që kanë prirje primitive dhe elemente denigruese, kështu lind edhe kompleksi i tyre, sikur edhe në këtë rast qasja e opozitës së sotme ndaj zonjës Gërvalla. Pse pikërisht te zonja Gërvalla, perceptime të prekshme, që janë të papranueshme dhe ndjeshme, tek e cila gjejmë njeriun e vërtetë dhe fisnikërinë e saj me traditë familjare, si nga natyra e veprës kulturore, poashtu edhe nga natyra e virtyteve njerëzore e me vlera kombëtare”, ka thënë fillimisht opinionisti Preqi.

Tutje, ai konsideron se deklarimet Gërvallës, gjatë një prononcimi për Gjykatën Speciale dhe të akuzuarit e kësaj gjykate, janë deklarime të kaluara dhe të shkëputura që nga 2015-ta dhe që i takojnë të së kaluarës.

“Do të tregohemi të padrejtë, apo si një shoqëri shkurt pamëse, nëse në këtë mënyrë e bëjmë linçimin ndaj femrave tonë shqiptare, sikur më parë ndaj zonjës Vjosa Osmani, dhe tani ndaj zonjës Donika Gërvalla, dhe çka pritët të ndodh në të ardhmen edhe me të tjera. Deklarimet e zonjës Donika Gërvalla, gjatë një prononcimi për Gjykatën Speciale dhe të akuzuarit e kësaj gjykate, janë deklarime të kaluara dhe të shkëputura që nga 2015-ta, dhe kjo është një çështje e cila ka të bëjë me krimet në kohën e pasluftës në Kosovë, dhe në fund të fundit për një miratim të tillë të kësaj Gjykate Speciale, janë vetë përgjegjës dhe fajtor ata që e votuan”, shprehet ai.

Ai thekson se sulmet ndaj ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, janë sulme të logjikës primitive, të cilat kanë për qëllim t’i mëveshët ministres për Specialen, e që ai mendon se nuk është fare fajtore për një gjë të tillë.

“Dhe deklarimet e zonjës Gërvalla, ishin deklarata të një qytetare të thjeshtë, e cila nuk kishte ndonjë post publik dhe fjalori i saj nuk kishte ndonjë ndryshim ndaj atyre që ishin pro- kësaj gjykate, të cilën vetë e votuan dhe tani të gjitha ato forma dhe organizime paraqesin një kompleks të mjegulluar, duke u kërkuar fajtori, apo t’i mëveshët dikujt tjetër, që nuk është fare fajtor për një gjë të tillë. Sulmet ndaj Donikës, janë sulme të logjikës primitive, të cilat nuk kanë asnjë qëllim për të ndërtuar apo krijuar një imazh të mirë që i dedikohet këtij populli dhe vendi, apo që i shërbejnë një qëllimi të arsyeshëm, por janë vetëm ndërsyerje e opozitës, të cilët e kanë nisë aksionin dhe funksionin e tyre më shumë për të bërë zhurmë se për të dhënë një kontribut të nevojshëm si një opozitë e mirëfilltë”, tha ai.

Në fund, opinionisti Preqi nënvizon se Gërvalla nuk duhet të pengohet, pasi që sipas tij, ajo është e vendosur në detyrën e saj si ministre e jashtme e Kosovës.

“Zonja Donika Gërvalla, ka të drejtë sikur gjithë të tjerët që kërkojnë drejtësi për krimet e luftës dhe të tjerat pasluftës, dhe në të vërtetë secili njeri e kupton në vetvete dhembjen që ka në shpirt, por në veçanti më së miri e kuptojnë vetëm ata, të cilëve u mungon dikush në familje, sikur edhe zonjës Donikë, të cilës i vranë babën kriminelët para syve të saj. Pse duhet të pengohet kryediplomatja e Kosovës, zonja Donika Gërvalla, kur ajo është e vendosur në detyrën e saj si ministre e jashtme e Kosovës, dhe mbresat që na lë, janë në frymën e atdhedashurisë dhe ndaj popullit të vet, që nënkupton se në ushtrimin e detyrës së saj,ajo do të jetë plot me kritika dhe forma të tilla, por e pastër dhe e hapur, e cila dinë ta ruaj në mënyrë të veçantë tiparin e besimit ndaj detyrave dhe përgjegjësive shtetërore që ka marrë në interes të këtij vendi dhe populli”, ka përfunduar opinionisti Dedë Preqi për gazetën “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat