“Fati i Kosovës nuk luhet me letra të fshehta”, kush po e do ndarjen e Kosovës me “Non paper”?

Politika

“Fati i Kosovës nuk luhet me letra të fshehta”, kush po e do ndarjen e Kosovës me “Non paper”?

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 6 maj 2021 Në ora: 09:12
Janez Jansha

Njohësi i zhvillimeve politike në Ballkan, Daniel Serwer, e sheh anëtarësimin e shpejtë të Serbisë në Bashkimin Evropian si kompromis për njohjen e Kosovës, por sipas tij ajo po kërkon të përfitojë më shumë.

“Kompromisi përfundimtar është i qartë për mendimin tim: Njohja në këmbim të përshpejtimit të integrimit të Serbisë në Bashkimin Evropian. Serbia mund ta pranojë këtë marrëveshje tani, por do të presë të përfitojë pak më shumë”, tha Serwer.

Duke folur për “non paper-in” e fundit, Serwer ka thënë se qëllimi është që të ndikohet në dialog.

“Unë nuk e di se nga kush është shkruar ky “non paper”, por mund të imagjinoj se ka pasur qëllim t’i jep kah tjetër procesit të dialogut Kosovë-Serbi”, tha ai.

Duke qenë kështu, pse këto “Non paper” u publikuan pikërisht tani, kur pritet të fillojë dialogu Kosovë-Serbi dhe sa do të mund të ndikojnë ato në këtë dialog?

Për këtë, kanë komentuar njohës të çështjeve politike.

“Fati i Kosovës i vendosur me armë dhe gjak”

Analisti politik, Rexhep Shahu, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se më nuk duhet të testohet “non-paper”, sepse Kosova nuk mund të cenohet, madje as liria dhe pavarësia e saj, sepse fati i Kosovës është vendosur me luftë.

Image
Rexhep Shahu

 

“Në kushtet kur askush nuk e merr përsipër dhe as e mohon ekzistencën e “Non paper”, por ajo turbullon media dhe periferitë e politikës është e pashmangshme të mos flitet për të. Unë besoj se fuqitë nuk kanë arsye të testojnë me “Non paper” asgjë. Besoj në Amerikën, besoj në atë që çfarë u fitua me luftë nuk dhurohet në paqe, as nuk i merret kujt në paqe. Besoj se Kosova si unitet territorial nuk mund të cenohet as shteti nuk mund të dënohet as liria e pavarësia. Për më shumë të drejta serbëve dhe kishave të përvetësuar nuk e di çfarë ndodh, por serbët si të janë minoriteti më përfitues në botë. Nuk besoj se fati i Kosovës luhet me letra të fshehta, pasi fati i saj është vendosur me luftë të hapur me armë dhe me gjak”, ka deklaruar Shahu.

“Sipas “non paper”, humbësi më i madh është Kosova”

Ndërsa, juristi Muhamet Kelmendi, ka theksuar se “Non-paper” shihet si mundësi për zgjidhjen e raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë, meqë rast, Kosova do të jetë humbës i territoreve, ndërsa Serbia do të zgjerohet.

Si zgjidhje të kësaj çështje, Kelmendi thotë se është Asociacioni i komunave serbe në Kosovë, si dhe çështja në mes Kosovë dhe Serbisë, këto të cilat i janë të përkrahura edhe nga Borrell dhe Lajçak.

“Dokumenti "Non paper" është e krijuar nga grupet e ndryshme që janë mjaft të forta në skenën politike të Evropës dhe edhe më gjerë. Në planin e tillë, këtu nuk është me rëndësi se kush e publikoi atë, parashihet ndërrimi i territoreve si mundësi e zgjidhjes së raporteve me shtetin serb. Kuptohet se sipas “Non paper” humbës më i madh është Kosova, sepse parashihet ndarja e viseve shqiptare dhe zgjerimi i shtetit serb. Në këtë anë duhet thënë se në tavolinë, edhe pse po refuzohet gjoja nga UE e SHBA-të, është Asociacioni i komunave serbe në Kosovë me pushtet politiko-ekzekutiv, si formë e zgjidhjes së çështjes. Këtu si formë tjetër është mu plani i paraparë në "Non Paper" i zgjidhjes së çështjes në mes Kosovës dhe Serbisë. Të dy këto janë në tavolinë dhe forcat e ndryshme, vet z. Borrell dhe Lajçak, si përfaqësues të UE-së, e përkrahin njërin a planin tjetër”, ka thënë ai.

Image
Muhamet Kelmendi

 

Tutje, ai ka shtuar se këto plane janë duke u përkrahur nga shumë forca, madje edhe nga shteti i Francës dhe nga Spanja dhe që të dyja këto janë bazë edhe e dialogimit të shtetit serb.

“Këto dy plane po gjejnë mbështetje apo kanë pasur mbështetje edhe në ish administratën e SHBA-së, të z.Trump. Shikuar këtej, pra del se janë plane shumë të forta dhe të përkrahura nga shumë forca. Duket se edhe Spanja dhe Franca janë për ndarjen e Kosovës. Kështu kanë fituar këto dy plane në peshë dhe të dyja ekzistojnë në dialog në mes Kosovës dhe Serbisë. Të dy këto janë bazë e dialogimit të shtetit serb. Dhe këtu kërkohet të refuzohen kategorikisht planet e tilla, qoftë edhe me ndërprerjen përfundimtare të dialogut”, deklaroi Kelmendi.

Më tej, ai ka thënë se Kosova më nuk mund të funksionojë si shtet, nëse i merren sipërfaqet siç përcaktohen në “non paper”.

Sipas Kelmendit, njohjen dhe raportet në mes Kosovë dhe Serbisë, arrihen vetëm me gjetjen e të vdekurve, si dhe kthimin e mjeteve financiare nga serbët, pra pa këto tema nuk mund të ketë dialogim.

“Kosova ka humbur mjaft. Nga territori i Kosovës janë shkëputur në 100 vjetët e fundit rreth 22 mijë kilometra katror dhe janë asimiluar nga shteti serb. Nëse edhe tash i merren sipërfaqet e përcaktuara me "Non Paper" nuk ka jetë dhe nuk funksionon më Kosova si shtet. Temat për dialogim në Bruksel janë të qarta. Është gjetja e të vdekurve, dëmi material dhe moral, kthimi i mjeteve financiare të grabitura nga kriminelët serb dhe përgjegjësia penale e shtetit serb për gjenocide. Nuk mund të harrohen përdhunimet e 20 mijë motrave dhe të nënave shqiptare, sikundër as përdhunimet e qindra meshkujve shqiptarë. Kështu dhe në mes këto tema zgjidhen çështjet me shtetin kriminal serb. Kjo dërgon te njohja e shtetit që është baza kryesore e raporteve Kosovë-Serbi. Pa këto tema nuk ka dialogim”, përfundoi Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat