“Gjak e shkëputje kokash”, PDK-së i vjen thirrja pas kërcënimeve të deputetëve, ja si të veprojnë

Politika

“Gjak e shkëputje kokash”, PDK-së i vjen thirrja pas kërcënimeve të deputetëve, ja si të veprojnë

Nga: G.B Më: 7 maj 2021 Në ora: 19:20
Përplasja në Kuvend

Skena aspak të duhura për tu parë në një Kuvend të një shteti, ndodhën dje në Kuvendin e Kosovës.

Pas përplasjeve në mes të deputetëve të opozitës e ministrave të Qeverisë, për pak sa nuk pati dhe përleshje.

Fyerje e ofendime të ulëta u përdorën nga deputetët e PDK-së në drejtim të ministrave e deputetëve të pozitës.

Pamjet u bënë virale e reagimet ishin të shumta që dënuan këto pamje, nga përfaqësues të popullit, të cilët paguhen me paga të majme.

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Fadil Lepaja, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se gjuha e përdorur nga PDK dhe kërcënimet me prerje koke, e tregojnë mendësinë agresive të partisë.

Image
Njohësi i çështjeve politike, Fadil Lepaja

“Gjuha e përdorur nga deputetët e PDK dhe kërcënimet morbide me prerje koke tregojnë mendësinë agresive të kësaj partie dhe e shpjegojnë përse opinioni ka bindjet e njohura për këtë parti. Fatmirësisht jo të gjithë në këtë parti janë me një shkallë aq të ulët vetëkontrolli dhe përgjegjësisë për sjellje publike”, është shprehur ai.

Sipas Lepajës, PDK duhet ta zbusë ashpërsinë dhe arrogancën e pa arsyetueshme në komunikim dhe të bëhet opozitë konstruktive.

“Mendoj se kjo parti duhet të zbusë ashpërsinë dhe arrogancën e pa arsyetueshme në komunikim dhe të bëhet opozitë konstruktive, e cila merret me probleme reale dhe bashkëpunon edhe me pozitën rreth çështjeve me interes nacional”, ka vlerësuar analisti.

Ai shton se nëse ndonjë deputet ka prirje për të treguar fuqinë fizike, mund të merret me sporte luftarake, ndërsa ata që kanë dëshira për gjak e prerje kokash, le te zbrazin këtë nevojë në ndonjë fermë pulash.

“Nëse ndonjë deputet ka prirje për të shfaqur fuqinë fizike, le të merret pas parlamentit me sporte luftarake dhe në parlament dhe në politikë të sillet me edukatë. Nëse ka dëshirë për gjak dhe këputje kokash, le te zbrazë këtë nevojë në ndonjë fermë pulash (paraprakisht kërkoj ndjesë nga aktivistët për mbrojtjen e shtazëve). Mendoj se PDK duhet të merret me sjelljen e deputetëve të vet”, ka deklaruar Fadil Lepaja për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat