Sulmet ndaj Gërvallës, të njëjta me sulmet e orkestruara nga Serbia kundër Rugovës!

Politika

Sulmet ndaj Gërvallës, të njëjta me sulmet e orkestruara nga Serbia kundër Rugovës!

Nga: A.Morina Më: 7 maj 2021 Në ora: 21:27
Hashim Thaçi dhe Donika Gërvalla

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka filluar një fushatë të ‘egër’ politike kundër ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

Krejt këto akuza dhe sulme ndaj ministres Gërvalla, janë si pasojë e qëndrimeve të saj pro Gjykatës Speciale, gjykatë kjo të cilën e ka formuar vet PDK.

Partia e Enver Hoxhajt, ka shkuar aq larg sa krahas akuzave dhe ofendimeve, po kërkon edhe shkarkimin e Gërvallës.

Këto veprime dhe qëndrime kundër ministres, po lidhen edhe me qëndrimet e PDK-së në të kaluarën ndaj presidentit Ibrahim Rugova.

Tani, po hidhen dyshime se PDK njësoj siç ka tentuar t’i ndalë punët e mira dhe sukseset e presidentit Rugova, njësoj po tenton edhe me ministren Donika Gërvalla.

Profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Enver Bytyçi në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar lidhshmërinë e sulmeve të PDK-së ndaj ministres Donika Gërvalla, me sulmet ndaj presidentit historik Ibrahim Rugova.

Fillimisht, Bytyçi rikujtoi kohën kur ekstremistët e PDK-së e kundërshtonin shpalljen e pavarësisë së Kosovës nga Ibrahim Rugova, madje edhe përmendi mënyrën se si Thaçi ua mohoi shpalljen e pavarësisë president Sejdiut dhe krye parlamentarit Krasniqi.

Image
Profesor Enver Bytyçi

“Konstatimi juaj se Partia Demokratike e Kosovës mban një qëndrim permanent kundër institucioneve të drejtuara nga Lidhja Demokratike është një konstim real. Para 15-20 vitesh ekstremistët e PDK-së u angazhuan fuqishëm kundër Ibrahim Rugovës. Ia kundërshtuan idetë, simbolet, veprimtarinë e tij, vendimet që i merrte, gjithçka që ai përpiqej ta realizonte me mençuri dhe vizion për Kosovën. Demokratikasit e Thaçit arritën aso kohe të deklarojnë se "Më mirë nën Serbi, sesa pavarësinë ta shpallë Ibrahim Rugova"! Ia morën të drejtën e shpalljes së pavarësisë presidentit Fatmir Sejdiu dhe krye parlamentarit Jakup Krasniqi”, deklaroi ai.

Profesori konsideroi se sulmet e PDK-së ndaj Donika Gërvallës lidhen me ‘hesape të vjetra’, më saktësisht me LPK-në e marksistëve të PDK-së.

“Ekstremistët e Partisë Demokratike të Kosovës edhe sot janë të njëjtit. Nëse shohin se dikush do të jetë i suksesshëm në qeverisjen e vendit, do t'i kundërvihen me të gjitha format dhe me të gjitha mjetet. Kjo po ndodh me Donika Gërvallën. Unë dyshoj se do të ketë edhe hesape të vjetra që vijnë nga LPK-ja e marksistëve të PDK-së, të cilat kanë të bëjnë me babain e ndjerë të Donikës, Jusuf Gërvallën. Dikush do të thotë se Abdelard Tahiri nuk ka qenë i LPK-së! Dakord, por në Shqipëri po shohim se bijtë e ish-bllokmenëve të diktaturës na shfaqen edhe më të egër dhe të pabesë sesa baballarët e tyre!”, theksoi Bytyçi.

Tutje, ai tha se arsyet e linçimit të Donika Gërvallës janë të njëjta me ato të linçimit të presidentit Rugova.

Ai këtë mënyrë të kritikave dhe akuzave e cilësoi si sindromë egoiste e padurimit të suksesit të tjetrit nga ana e PDK-së. Profesori, krahas rastit të Rugovës dhe Gërvallës, përmendi edhe rastin e Vjosa Osmanit.

“Sindroma egoiste e padurimit të suksesit të tjetrit është arsyeja kryesore pse u linçua Ibrahim Rugova dhe e njëjta sindromë duket të jetë ringjallur edhe në rastin e zonjës Donika Gërvalla. U shfaq në një farë mënyre gjithashtu kundër Vjosa Osmanit në momentin e zgjedhjes së saj si presidente e vendit. Kjo sindromë është e pranishme edhe te një pjesë e socialistëve shqiptarë. Ata e bllokuan integrimin e Shqipërisë në vitet 2009-2013, sepse nuk donin që ky integrim të mbante vulën e Sali Berishës. Ndërkaq sot janë bërë pengesa kryesore e integrimeve dhe e zhvillimit të vendit”, nënvizoi profesori.

Sipas Bytyçit, Enver Hoxhaj nuk është kryetar i PDK-së, pasi ai mendon se kryetar de facto i kësaj partie vazhdon të jetë Hashim Thaçi.

Po ashtu, ai tregoi se si po përballet Hoxhaj me presionin e ekstremistëve të thaçistëve, duke ironizuar me deputetët dhe përfaqësuesit e PDK-së, të cilët i cilësoi si injorantë.

“E njëjëta gjë po ndodh me Hashim Thaçin, kryetarin de facto të Partisë Demokratike të Kosovës. Atë parti nuk e drejton Enver Hoxhaj. Hiqeni nga mendja këtë! Nëse zoti Hoxhaj hiqet ndonjëherë si ekstremist, e bën këtë nën presionin e ekstremizmit të thaçistëve brenda kësaj partie. Imagjinoni kush bën politikë aty. Një që quhet profesor universiteti dhe shan me nënë në parlament! Një tjetër që nuk di as shkrim e as këndim dhe e krahason Donika Gërvallën me garniturën e Milosheviçit! Imagjino kush e drejton PDK-në. Ose kur sheh se çfarë injorantësh ka promovuar si gazetarë e moderatorë në RTK, të duket vetja se nuk je në Kosovën e traditës dhe të kulturës, por në ndonjë xhungël të izoluar, ku nuk ka radio e TV, nuk ka libra e gazeta, sa për internet as bëhet fjalë!”, u shpreh ai.

Kurse, në vazhdim, profesori tregoi objektivin kryesore të cilin PDK po synon ta arrijë, përmes sulmeve dhe linçimit të ministres Donika Gërvalla.

Ai krahas këtyre sulmeve e veçoi edhe marrëveshjen e Kosovës me Serbinë, Zajednicën dhe temën e ndryshimit të kufijve.

“Ekstremistët e PDK-së po e dëshmojnë veten se janë pjesëmarrës ose së paku mbështetës të krimit në Kosovë. Dhe si të tillë nuk duan që të ndëshkohen. Duke mbrojtur ata që akuzohen për krime në Hagë, në fakt duan që të mbrohen vetë nga ligji që do t'i godasë për pasuri të paligjshme dhe shpërdorime në detyrën zyrtare. Sulmet kundër Donika Gërvallës kanë një objektiv tjetër gjithashtu: Të pengojnë qeverinë e Kosovës që të arrijë një marrëveshje në interes të vendit me Serbinë. Nëse do të ketë një marrëveshje të dobishme e të drejtë të Kosovës me Serbinë, atëherë prej kësaj pike vështrimi qytetarët e Kosovës do ta dallonin më mirë tradhtinë e Hashim Thaçit. Nëse do të arrihet një marrëveshje pa ndryshim kufijsh dhe pa zajednicë, atëherë do të binte përfundimisht alibia e Hashim Thaçit dhe përkrahësve të tij se ai na qenka investuar për ndryshimin e kufijve për të mos lejuar krijimin e zajednicës?!”, potencoi Bytyçi.

Kurse, sipas tij, ‘tabelë e qitjes’ nuk është vetëm Donika Gërvalla, por edhe Albin Kurti dhe Vjosa Osmani. Krejt këtë kaos politik, Bytyçi e ndërlidhi me suksesin e qeverisë dhe ministres Gërvalla në dialogun Kosovë-Serbi.

“Donika Gërvalla është goditja e parë e radhës. Nëse do kishin sukses në këtë goditje, ekstremistët e PDK-së do të sulmojnë më fort më pas Albin Kurtin e më tej Vjosa Osmanin. Kësisoj konsideroj se tabela e qitjes nuk është vetëm Donika. Tabelë qitje është suksesi i Donikës dhe qeverisë në bisedimet Kosovë-Serbi. Prandaj ka nis dhuna verbale dhe e të gjitha llojeve më së pari kundër ministres së Punëve të Jashtme. Kësisoj unë i shoh këto sulme, njëlloj si edhe sulmet kundër Rugovës para dy dekadave si të orkestruara nga Serbia dhe Beogradi”, deklaroi

Në fund, ai bëri apel te prokurorët e Hagës, të hetojnë dhunën politike në Kosovë, pasi e krejt kjo po ndodhë si shkak ndikimit dhe mjeteve që po përdor Hashim Thaçi.

“E njoh Enver Hoxhajn. Ai nuk është pro-serb. Eshtë pro-europian, njësoj si Donika. E njoh edhe Kadri Veselin nga larg. Nuk besoj se këta të dy entuziazmohen nga ekstremizmi në PDK. Më ka bërë përshtypje se si dhe pse pati angazhim ekstremist Memli Krasniqi, të cilin e kam respektuar si vlerë të PDK-së! Sigurisht që do vazhdoj ta respektoj, derisa të bindem se i përket ekstremizmit politik në Kosovë. Por është Hashim Thaçi ai që e nxit dhunën në Kosovë. Se cila është forma dhe mjeti që përdor, këtë duhet ta hetojnë prokurorët e Hagës! Ai ka struktura jo vetëm në PDK. Ai ka bashkëpunëtorë jo vetëm në PDK, përfshirë Isa Mustafën, i cili megjithëse në pension, nuk pushon së mbështeturi publikisht padronin e vet në Hagë”, përfundoi profesor Enver Bytyçi, përcjell “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat