Rasti “Pronto” në rigjykim, reagon ish-agjenti i SHIK-ut: Ja çfarë thotë për Thaçin, Veselin, Grabovcin e Reçicën

Politika

Rasti “Pronto” në rigjykim, reagon ish-agjenti i SHIK-ut: Ja çfarë thotë për Thaçin, Veselin, Grabovcin e Reçicën

Nga: N.Sh Më: 8 maj 2021 Në ora: 12:55
Adem Grabovci

Rasti “Pronto”, është kthyer në rigjykim nga Gjykata Supreme e Kosovës.

Gjykata e Apelit më 30 qershor 2020 pati ndryshuar pjesërisht aktgjykimin e shkallës së parë për rastin “Pronto” dhe i kishte shpallur fajtorë Adem Grabovcin, Ilhami Gashin dhe Sedat Gashin.

Ata ishin të dyshuar për veprën penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”.

Në vendimin e Supremes, që është marrë më 19 prill, ky institucion ka aprovuar kërkesat e të akuzuarve për mbrojtjen e ligjshmërisë dhe rastin e ka kthyer në rigjykim.

Për këtë çështje ka folur ish-eprori i lartë i UÇK-së dhe ish-agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari.

Ai thotë se nuk pret ndryshime në gjykata pa u pastruar njerëzit, sekserët politikë në prokurori dhe gjyqësi.

Sipas tij,  duhet mbajtur shpresë për një rigjykim të ri kundër një pjese të klanit Pronto.

“Shumica e gjyqtarëve e prokurorëve deri te porta gjyqësore janë caktuar nga PRONTO e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Ilmi Reçicës e Adem Grabovcit”, pohon ai.

“E dhe vetë procesi gjyqësor ne tërësi ka qenë i pjesshëm dhe i inskenuar pasi krerët kryesor të aferës as që ka guxuar për ti trajtuar drejtësia, prokurori dhe gjyqtari i rastit. Pa u pastruar gjyqësori, prokuroria, policia dhe inteligjenca nga kokat e krimit të organizuar sidomos nga njerëzit e SHIK-ut dhe ish sistemit komunist nuk ka shpresë që vendi i jonë të bëhet shtet serioz ku sundon vetëm ligji i shtetit e jo ligji i shefit të shefit”, thotë Miftari.

Sipas tij, afera “Pronto” është vetëm një para gjellë nga krimi i organizuar politikë.

“Kjo sepse ka afera shumë më të rrezikshme, por që shteti as ligji i kontrolluar nga mafia politike nuk ka pasur guxim me u marr me to, sidomos me korrupsioni multi milordësh ku u vodh shteti dhe e tërë pasuria e popullit, duke u pasuruar disa politikan me disa ish komandantë të vetë quajtur, disa të quajtur edhe gjeneralë të lofatës. Nuk ka zgjidhje tjetër, vetëm VETING-u i përgjithshëm si pastrim serioz e shpëton vendin tonë nga dështimi nga kolapsi i përgjithshëm në çdo lami apo pore jetësore. Nuk pres që rigjykimi i ri i klanit PRONTO do të sjell ndonjë drejtësi apo risi e cila po vazhdon të kontrollohet pikërisht nga PRONTO mafia!”, përfundon Naim Miftari.

Adem Grabovci, i cili në nëntë raste u akuzua për shkelje të statusit të barabartë të qytetarëve në korrik të këtij viti u shpall fajtor nga Gjykata e Apelit për dy punësime të kundërligjshme, pasi paraprakisht ishte liruar nga akuzat nga Gjykata e Prishtinës.

Sipas Apelit, ai kishte krijuar privilegje në baza të përkatësisë politike në punësimin e Blerim Camajt dhe Afrim Dautit.

Bashkë me Grabovcin, me vendimin e Gjykatës së Apelit u dënuan edhe ish-sekretari i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ilhami Gashi dhe këshilltari politik Sadat Gashi.

Adem Grabovci u dënua me një vit e dy muaj burgim, Ilhami Gashi me një vit e katër muaj ndërsa Sadat Gashi me 8 muaj burgim.

Me këtë vendim, tre të dënuarit nuk shkojnë në burg në rast se brenda 2 viteve nuk do të kryejnë ndonjë vepër tjetër penale.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat