Eksperti i sigurisë i drejtohet Qeverisë Kurti: Të hetohen rasti i vjedhjes së “Thesarit”, Hykmete Bajrami dhe...

Politika

Eksperti i sigurisë i drejtohet Qeverisë Kurti: Të hetohen rasti i vjedhjes së “Thesarit”, Hykmete Bajrami dhe...

Nga: N.Sh Më: 10 maj 2021 Në ora: 16:53
Hykmete Bajrami

Në Gjykatën Speciale janë paraburgosur ku po hetohen për krime kundër njerëzimit ish-krerët e UÇK-së, duke përfshi edhe ish-liderin politik të saj Hashim Thaçin.

Qeveria e Kosovës për të akuzuarit ka ndarë miliona euro, për të paguar avokatët dhe shpenzimet që u takojnë.

Zëvendësministri i drejtësisë Blerim Sallahu ditë më parë ka thënë se dikush prej të akuzuarve nga Gjykata Speciale ka marrë para për mbrojtje më shumë se që duhet dhe parashihet për financimin e mbrojtjes së tyre.

Tutje, Sallahu ka thënë se si ministri kanë kërkuar që shpenzimet e ndara për të akuzuarit në Hagë të bëhen publike, prandaj së shpejt Qeveria do ta ndryshojë vendimin i cili ndalon bërjen publike të shpenzimeve për të akuzuarit.

E për këtë çështje ka folur ish-zëvendësministri i MPB-së dhe eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava.

Ai thotë se ky fakt tani e dëshmon edhe sikurse skandali me plaçkitjen spektakulare të 2 milionë e 77 mijë eurove nga Thesari i Shtetit si dhe skandalin tjetër me subvencionet në bujqësi.

Image
Hajrullah Tërnava

“Pas këtyre skandaleve Qeverisë Kurti i kërkohet t’i verifikojë këto raste dhe përse ish-ministrja Hykmete Bajrami dha dorëheqje vetëm tri jave para se me i përfunduar mandati qeverisë Hoti pa asnjë shkak, së paku nuk dha dorëheqje kur humben gjithë ato para, dhe më e rënda ishte kur opinionin e njoftoj për humbjen-vjedhjen e asaj shume aq të madhe”, thotë Tërnava për gazetën “Bota sot”.

Tërnava shton se, Bajrami e pati deklaruar një të thënë që ishte shqetësuese për opinionin.

“Asgjë nuk janë këto pare, çfarë ka me u njoftua opinioni edhe për raste tjera shumë më të rënda të vjedhjes se pareve, parave të humbura, dhe deri me sot tani asgjë nuk u zbulua përveç atij 2.7 milionë euro, prandaj kjo çështje po e mundon opinionin dhe deri sa nuk të zbardhet kjo e thënë nga një ish ministre, e qeverisjes së kaluar, edhe Qeveria Kurti do të jetë në sprovë. Kjo lloj situate tregon, dhe na bënë të dyshojmë se vetë skenari i prishjes së koalicionit paraprak me LVV-në nga LDK-ja kishte për qëllim krijimin e hapësirës për zhvatje”, shton ai.

Sipas tij, mund të thuhet se prandaj u krijua një qeveri artificialisht dhe kundërligjshëm, sikur që edhe përfundoi kundërligjshëm me konstatimin e Gjykatës kushtetuese.

“Ajo qeveri tash po dëshmohet se për qëllim kishte pasur skenarin e vazhdimit të kapjes së shtetit, zhvatjes dhe të abuzimit me paranë publike”, thekson ai.

Sipas tij, koha tani është për ti verifikua të këqijat që kanë ndodhë dhe të merren masat adekuate të përndjekjes përmes prokurorisë, dhe të gjithë atyre që kanë vjedhë dhe janë pasuruar jashtëligjshëm, të ju konfiskohet ajo pasuri.

“Në këtë mënyrë Qeverisë Kurti do ti shtohet besimi dhe zgjatet jeta, në të kundërtën shpejt do të devalvohet si ato të mëparshmet, nëse edhe kjo qeveri nuk arrin ta bëjë zbulimin dhe dokumentimin e besueshëm të vjedhjes së shtetit nga ish pushtetarët e kaluar”, përfundon Hajrullah Tërnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat