Padia për gjenocid ndaj Serbisë/ Ja dallimi i Albin Kurtit me Hashim Thaçin, këto shtete mund ta ndihmojnë Kosovën

Politika

Padia për gjenocid ndaj Serbisë/ Ja dallimi i Albin Kurtit me Hashim Thaçin, këto shtete mund ta ndihmojnë Kosovën

Nga: P.R Më: 10 maj 2021 Në ora: 20:45
Hashim Thaçi dhe Albin Kurti

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në programin qeverisës e ka futur edhe padinë ndaj Serbisë për gjenocid.

“Do të bëjmë dialog parimor, të përgatitur e të barabartë me Serbinë me marrëveshje të njohjes së ndërsjellë. Do ta përgatisim padinë për gjenocid ndaj Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë”, është shprehur kryeministri Kurti teksa ka shpalosur programin e tij qeverisës për mandatin e parë 2021-2025.

E padinë ndaj Serbisë për gjenocidin e kryer në Kosovë, e kishte paralajmëruar edhe Hashim Thaçi shumë vite më parë, por një gjë e tillë nuk ndodhi kurrë.

Por a do ta realizojë Albin Kurti premtimin e tij për padinë ndaj Serbisë?

Lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur politologu, Gurakuç Kuçi.

Image
Gurakuç Kuçi

“Politikanët që e kuptojnë diplomacinë bëjnë edhe veprime diplomatike prioritare si veprimi i Kurtit mbi prioritizimin e dialogut në nivelin e katërt. Ky prioritizim e bëri më përgjegjëse ndaj dialogut BE-në që ta konsiderojë Kosovën si një palë në dialog dhe jo si kukull që është konsideruar deri më tani”, thotë Kuçi për “Bota sot”.

Sipas tij, Hashim Thaçi asnjëherë nuk e ka pasur seriozisht padinë ndaj shtetit serb për gjenocid.

“Hashim Thaçi kurrë nuk e ka pasur padinë ndaj Serbisë pjesë të planit qeverisës e ai po ashtu edhe kurrë nuk e ka mbajtur fjalën që do ta padisë Dick Martyn për akuzat për trafikim të organeve njerëzore nga disa udhëheqës të UÇK-së. Madje për më tepër, Thaçi edhe e uli pazarin për Serbinë në minimum në të gjitha sferat. Duke mos ngritur padi ndaj Martyt iu bë Kosovës dëm nga i cili regresi po ndodh çdo ditë që nga ajo kohë”, ka shtuar Kuçi.

Por si mund ta paditë Kosova në Gjykatën Ndërkombëtare Serbinë për gjenocid?

“Qeverisja e tanishme e futi çështjen e padisë ndaj Serbisë për gjenocid në luftën e fundit në Kosovë, mirëpo për tu realizuar një gjë e tillë ka disa rregulla juridike të cilat ia vështirësojnë Kosovës këtë gjë.

Kosova nuk ka drejtë të bëjë padi si palë në GJND pasi nuk është vend anëtar në OKB dhe kjo mund të bëhet vetëm nga një shtet tjetër në emër të Kosovës. Një gjë të tillë afërmendsh mund ta bënte Shqipëria në emër të Kosovës, por duke pasur parasysh që atje në pushtet është një qeveri që është më e afërt me Vuçiçin se sa Kurtin vështirë mund të realizohet një gjë e tillë. Po ashtu një padi e tillë duhet të bëhet në koordinim edhe me SHBA-në”, thekosn Kuçi.

Një shtet tjetër që mund ta ndihmojë Kosovën, sipas Kuçit është edhe Norvegjia.

“Një mundësi që në emër të Kosovës ta ngritë padinë në GJND është edhe Norvegjia, gruaja e z. Kurti atje gëzon një imazh shumë të mirë dhe në këtë mënyrë të hyjë në negociata me këtë shtet. Mundësi është edhe Turqia, Holanda, Izraeli, SHBA-ja, Japonia apo edhe Arabia Saudite”, deklaron politologu Kuçi.

“Sidoqoftë, Kosova duhet ta gjejë mënyrën ta bëjë një gjë të tillë dhe përveç tjerash duhet ta dërgoj në GJND edhe zhvlerësimin e rezolutës 1244 e cila është shpallur e pavlefshme realisht me rastin kur GJND-ja ka dhënë opinionin këshillues të saj mbi shpalljen e pavarësisë së Kosovës”, përfundon për gazetën “Bota sot”, politologu Gurakuq Kuçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat