“Sulmet” ndaj qeverisë, profesori “zbulon” gjithçka pse gjithë ky inat ndaj Albin Kurtit

Politika

“Sulmet” ndaj qeverisë, profesori “zbulon” gjithçka pse gjithë ky inat ndaj Albin Kurtit

Nga: N. H Më: 11 maj 2021 Në ora: 22:35
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Sot janë bërë 50 ditë prej kur Qeveria Kurti mori mandatin për të udhëhequr me vendin. Me 67 vota për, 30 kundër dhe asnjë abstenim Albin Kurti e krijoi kabinetin e tij qeverisës.

Përkundër se edhe me tej nuk janë bërë 100 ditë pune, partitë politike për këto ditë kanë hedhur kritika në drejtim të qeverisë aktuale. Është Partia Socialdemokratike e Dardan Molliqajt, e cila përmes aksioneve simbolike po mundohet ta luaj rolin e opozitës, edhe pse nuk është pjesë e parlamentit të Kosovës.

Njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi, në një prononcim dhënë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se sulmet dhe kritikat ndaj qeverisë aktuale nga partitë opozitare janë të natyrshme, mirëpo ai i quan qesharake veprimet e partisë së Dardan Molliqajt, e cila përmes aksioneve po kritikon veprimet e ekzekutivit.

Image
Sulejman Mehazi

“Është e logjikshme dhe e arsyeshme të kritikohet e kundërshtohet qeveria e Kurtit nga partitë opozitare brenda parlamentit të Kosovës, ama të kundërshtohet e kritikohet qeveria nga PSD-ja e Molliqit pa kokë deputeti jo që s’është e arsyeshme, po edhe qesharake. Dardan Molliqaj e Fatmir Limaj aq janë të zëshëm ndaj qeverisë thua se kanë numër të madh deputetësh aq sa ua kalojnë partive opozitare të mbushur me deputetë në parlament. Habitemi se si nuk e kanë të qartë se kaçiku i tyre politikë aq është i vogël sa që askush prej qytetarëve të Kosovës s’i dëgjon”, ka thënë Mehazi, për “Bota sot”.

Mehazi flet edhe për mospjesëmarrjen në zgjedhje të Partisë Socialdemokrate, e cila sipas profesori për t’i ikur humbjes së thellë vendosi të mos jetë pjesë e zgjedheve të jashtëzakonshme të 14 shkurtit.

“Më e keqja është, se, Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, në vend që të jetë e shurdhër, ajo, ju replikon liderëve partiakë të opozitës jashtëparlamentare. Interesant, të PSD-së e Molliqajt duke e ditur se do humbin rëndë nuk morën pjesë në zgjedhjet parlamentare, a në anën tjetër e kanë hapur llaçkën e krrokamave kundër qeverisë së Kurtit duke e luajtë rolin e gazetarëve, opinionistëve e kurrsesi të një partie politike”, ka thënë ai.

Krejt në fund, Mehazi thekson se ‘sulmet’ ndaj Qeverisë Kurti nga ana e PSD-së po bëhen nga inati pasi dikur ishin pjesë e këtij subjekti politike.

“Si nuk e kanë të qartë të PSD-së se më shumë të kapshme para qytetarëve të Kosovës janë deklaratat kundërshtuese të opinionistëve dhe të njohësve të çështjeve politike ndaj qeverisë, sesa të Molliqajve e Limajve. Dihet, të PSD-së e kundërshtojnë Qeverinë e Kurtit vetëm pse kanë qenë brenda LVV-së e nga inati janë bërë borrozanë apo zëdhënës të partive parlamentare opozitare e asgjë më shumë, është shprehur krejt në fund, njohësi i cështjeve politike, Sulejman Mehazi, për gazetën “Bota sot”.

Kujtojmë se Partia Socialdemokrate së fundi ka mbajtur një aktivitet në oborrin e objektit të Qeverisë.

Zyrtarë të kësaj partie kanë hedhur ngjyrë të kuqe në drejtim të objektit të Qeverisë si dhe kanë vendosur mbishkrime “Gjakderdhje financiare”, ku si pasojë e këtij aksioni pati edhe të arrestuar nga ky subjekt politik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat