Paralajmërimi i frikshëm për Kosovën: Është e saktë, ky është Plani B për Ballkanin

Politika

Paralajmërimi i frikshëm për Kosovën: Është e saktë, ky është Plani B për Ballkanin

Nga: P.R Më: 12 maj 2021 Në ora: 20:40
Harta e Ballkanit

Sipas politikanit dhe diplomatit gjerman Cark Biltd, Plani A për Ballkanin – integrimi me Bashkimin Evropian – nuk funksionon, atëherë do të shkohet drejt një Plani B, që përfshin konflikte dhe kufij të rinj në rajon.

“Dokumenti jo zyrtar dhe pa autor, po argumenton se nëse Plani A nuk funksionon më, ne duhet të bëhemi gati për një Plan B, që përfshin rishikimin e kujve dhe pranimin e një vale të re të zhvendosjes etnike të njerëzve në të gjithë rajonin (paqësor ose me dhunë). Ajo përbën një deklaratë brutale mbi realitetin brutal që mund të na presë në të ardhmen. Në këto kushte, mundet vetëm të shpresohet që ky dokument kondencial do të shërbejë si një thirrje zgjimi për BE-në dhe të tjerët mbi rreziqet e një procesi të bllokuar të zgjerimit, dhe interesit të zbehur me shpejtësi të Brukselit mbi punët e rajonit”, ka thënë Biltd.

E paralajmërimet e Carl Bildit, i quan konstatime të sakta edhe profesor, doktor Enver Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

“Ministri i Jashtëm i Suedisë, Carl Bild ka një eksperiencë të jashtëzakonshme në çështjet e Ballkanit Perëndimor. Ai është ndër të paktët që ka vazhduar të jetojë me problemet ballkanike edhe pasi është larguar nga detyra e përfaqësuesit të lartë të BE-së për Bosnjë-Hercegovinën. Duket se gjatë kohës që ai ishte në rajon, por edhe më pas, ka hyrë në detajet e psikologjisë, intrigave, qasjeve, politikave dhe diplomacisë hipokrite të Ballkanit. Konstatimi i tij se non-paper-i slloven është një plan B për rajonin tonë është i saktë”, thotë profesor Bytyçi.

Sipas tij, nëse Ballkani Perëndimor nuk do të integrohet në Bashkimin Evropian, është e sigurt se do të ketë desintegrime.

“Desintegrimet vijnë për shkak të prezencës së shumë Fuqive të Mëdha dhe jo vetëm të njërës ose dy prej tyre. Integrimi euro-atlantik çon automatikisht në njësimin e bashkësisë së shteteve ballkanike, në krijimin e një klime të re bashkëpunimi e gradualisht edhe besimi midis tyre. Mos-integrimi do të thotë desintegrim. Do të thotë që përveç NATO-s e BE-së në këtë rajon do të jetë prezent edhe Rusia dhe aktorë të tjerë të fuqishëm ndërkombëtarë. Fakti që në rajonin tonë sundojnë kastat autokratike dhe ato sillen me arrogancë të paparë e në bashkëpunimin me organizatat kriminale na dëshmon se në këtë lloj qeverisjeje investojnë aktorë jo euro-atlantikë”, shton Bytyçi për “Bota sot”.

Më tej, Bytyçi thotë se Plani B për Ballkanin i paralajmëruar nga Carl Bild, sponsor kryesor e ka Rusinë.

“Por unë habitem se si në BE dhe segmente të caktuara të diplomacisë amerikane pajtohen dhe përkrahin udhëheqësit autokratë të Ballkanit të sponsorizuar nga politika ruse dhe e të tjerëve?! Është vërtet një lloj qasjeje, të cilën shumë kush nuk e kupton, aq më pak e dëshiron. Të mbështetësh instalimin e një qeverisjeje një partiake, siç ndodhi në Shqipëri dy vitet e kaluara dhe siç e shohim aktualisht në parlamentin e Serbisë, mua më duket si një lloj inxheksioni për variantin e Planit B, të cilin e përmend zoti Bild. Pra, plani B sponsorizohet kryesisht prej Rusisë, e cila është e interesuar për desintegrimin evropian e jo vetëm për prezencën e saj në Ballkan. Ndërsa ushqehet mirë nga arroganca e sistemeve autoritare të qeverisjes. Shihni si sillen politikanët arrogantë të Shqipërisë dhe Serbisë ndaj Evropës! Pavarësisht se në qëndrimin ka pak ndryshim, mbasi presidenti serb sillet me hipokrizi, ndërkohë që kryeministri shqiptar me arrogancë të hapur. Dhe në BE heshtin. Nuk thonë asnjë fjalë. Nuk trazohen. Aq sa më duket se disave në Bashkimin Evropian iu intereson desintegrimin e Ballkanit”, shprehet Bytyçi.

Ai deklaron së brenda Bashkimit Evropian ka mos unitet për integrimin e Ballkanit Perëndimor.

“Nëse Carl Bild konstaton se nëse Ballkani Perëndimor nuk integrohet ai do të desintegrohet përmes ndryshimit të kufijve, atëherë kjo shpreh mos-unitetin e BE-së. Ky mos-unitet duket qartë në qëndrimin francez kundër liberalizimit të vizave më Kosovën, por edhe nga mos-njohja e shtetësisë së Kosovës nga ana e pesë vendeve anëtare të BE-së. Këto vende bëjnë obstruksion ndaj zgjerimit të BE-së dhe ato ndihmohen nga sundimi dhe jo qeverisja e politikanëve lokalë, nga lidhja e politikës me krimin e organizuar dhe korrupsioni I shfrenuar”, thotë Bytyçi.

“Duket se palët janë në harmoni. Kur qeverisja e kaluar e Kosovës i kërkonte Brukselit njohjen nga pesë vendet anëtare të BE-së, shumë kush në Evropë e shihte këtë kërkesë si hipokrizi të Prishtinës për shkak të qeverisjes së korruptuar e nepotike. Edhe kur sot Rama apo Vuçiç kritikojnë Evropën, auro-skeptikët nxjerrin gjithnjë si arsye mos zbatimin e kushteve për anëtarësim. Pra, palët janë bashkë. Udhëheqësit ballkanikë i ndihmojnë euro-skeptikët shumë fort që ata të kenë sukses në kundërshtitë e tyre për zgjerim. Dhe pasi dështojnë fillon retorika midis këtyre dy palëve anti-europiane”, shpjegon më tej profesor, doktor Enver Bytyçi.

Për fund, Bytyçi thotë se mos integrimi I Ballkanit Perëndimor, do të ishte akti i fundit i shpërbërjes së Bashkimit Evropian.

“Ajo që duhet bërë më nxitim është mos njohja dhe kundërshtimi i qeverive arrogante e autokratike në Ballkan, të cilat janë të tilla për shkak të korrupsionit dhe lidhjeve të pandashme me krimin e organizuar. Bashkimi Evropian duhet të bashkohet në këtë lloj qëndrimi, nëse vërtet dëshiron integrimin e rajonit në këtë bashkësi. Ata që nuk e duan integrimin gjenden në BE dhe në rajon. Të dy palët edhe nëse kundërshtojnë njëri-tjetrin, në fakt bashkëpunojnë midis tyre. Prandaj është e domosdoshme të ndryshojë kjo qasje. Desintegrimi i Ballkanit Perëndimor nuk sjell konflikte vetëm në këtë rajon, por do të ishte akti i fundit i shpërbërjes së Bashkimit Evropian. Sidomos Rusia do ta kishte shumë lehtë ta përçante Brukselin me prezencën e saj në Beograd, Banja Luka, ndoshta edhe Podgoricë dhe me ndikimin e vet edhe në Shkup e Tiranë”, përfundon për gazetën “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat