“Thaçi ishte i kushtëzuar me burgun e Hagës”, ish-zëvendësministri: Ja kush filloi planet sekrete për ndarjen e Kosovës

Politika

“Thaçi ishte i kushtëzuar me burgun e Hagës”, ish-zëvendësministri: Ja kush filloi planet sekrete për ndarjen e Kosovës

Nga: N.Sh Më: 13 maj 2021 Në ora: 22:52
Hashim Thaçi

Edhe pak kohë ka mbetur deri në takimin e Brukselit, ku do të ballafaqohet delegacioni i Kosovës, me atë të Serbisë.

Në muajin shkurt është paralajmëruar ky takim, që ndryshe edhe quhet rifillim i dialogut.

Është paralajmëruar disa herë nga oponent të ndryshëm që rezultati i dialogut do të jetë njohja reciproke Kosovë-Serbi.

E kjo mund të ndodh deri në fund të këtij viti.

Kështu e pohon edhe ish-zëvendësministri i MPB-së, Hajrullah Tërnava, i cili shton se, faktori ndërkombëtar është i interesuar që këto bisedime të përfundojnë me njohje reciproke, sepse deri më tani pati bisedime,por asnjëherë nuk përfunduan ato bisedime, sepse tema të dialogut ishin kryesisht çështjet periferike.

Image
Hajrullah Tërnava

“Për më keq përfaqësuesit tonë, sikur ishte Hashim Thaçi, ishin të kushtëzuar me akuzat dhe burgun që e priste me shpalljen e aktakuzës për t’u dërguar në Gjykatën Special në Hagë. Në bazë të këtyre kushtëzimeve bënte lëshime të vazhdueshme në favor të Serbisë, prandaj bisedimet nuk ishin asnjëherë afër përfundimit. Pasi ndodhi burgosja e Thaçit, tani në këto bisedime Kosovën do ta përfaqësojnë njerëz të pastër moralisht, materialisht dhe të shkolluar e të dijshëm, dhe këta nuk do të mundë të kushtëzohen me asgjë. Përfaqësuesit tanë tani do të bisedojnë për interesa të Kosovës, pa kushtëzime, sepse Serbia ishte shkaktarja e të gjitha luftërave që i ka bërë në ish republikat e Ish Jugosllavisë dhe në Kosovë, e jo sikur është sjell deri më tani ndaj nesh, sikur ne të ishim fajtor për ato lufta që i ka shkaktuar vetë Serbia, e që ne dhe shtetet kemi qenë të detyruar të mbrohemi në luftë me Serbinë, ishim viktima që për këtë të vërtetë është i njohur edhe faktori ndërkombëtar”, thotë Tërnava.

Sipas tij, bazuar në këto fakte bisedimet në ardhje duhet të zhvillohen në atë drejtim sikur që janë deklarimet e fundit të BE-së dhe SHBA-ve, me qëndrimet zyrtare për mos ndryshim të kufijve në Ballkan, do të jenë edhe një goditje tjetër, mbase e fundit vdekjeprurëse kundër projekteve nën konspiracion, sekrete që janë luajtur deri më tash për marrëveshje me kompromise të mëdha, edhe me shkëmbim territoresh, ndarje mes Kosovës e Serbisë, të ideuar nga Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiqi.

Ai shton se kundër opsionit të ndryshimit të kufijve tani më janë edhe SHBA por edhe BE-ja.

“Tani mundë të thuhet lirisht se po i qartësohet ngadalë por sigurt rruga edhe Qeverisë Kurti, për ndërtimit pa vonesë të platformës për dialog me Serbinë, pas këtyre deklarimeve të hapura rreth zgjidhjes së problemeve në Ballkan, e veçmas mes Kosovës dhe Serbisë, një problem që e patën ngatërruar keq dhe me rrezik të madh Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq me bisedimet dhe planet e tyre sekrete për ndarje. Dilema më e madhe dhe e paqartë ka qenë qëndrimi i pa definuar i BE-së, kurse deklarimi i përhershëm me një zë nga BE dhe SHBA, duhet ti shërbej Qeverisë Kurti dhe politikës në tërësi, që ti forcojnë akoma më shumë pozicionet e veta dhe qëndrimet shtetërorë të pa lëkundura në raport me kërkesat serbe të cilat së fundi po shpërfaqen edhe me lansimin e dytë të dokumentit jo zyrtar fantom dhe pa autorësi “non paper”, me projektin për autonomi territoriale, asociacion të distriktit të veçanta për veriun e banuar me shumicë serbe, plus Asociacioni i komunave me shumicë serbe”, shton eksperti i sigurisë.

Sipas tij, përfaqësuesit tonë duhen të kërkojnë nga Serbia dëmshpërblimet e krimeve të luftës dhe të vrarët e të pagjeturit që sot e kësaj dite nuk dihen as varret e tyre.

“Përveç kësaj edhe një padi të mundshme që do të duhej ta kërkojmë vetë ne, që ta bëjnë vetë BE dhe me këtë t’iu jepte mësime shteteve eventuale agresore, se kush do që provokon dhe nxitë luftë në të ardhmen do të ballafaqohet me aktakuzë ndërkombëtare të a gjenocidit dhe izolimit, sikur që pati ndodhur edhe me shtetin gjerman për Luftën e Dytë Botërore, për pasojat e së cilës ka vazhduar deri vonë të paguaj ato dëmshpërblime. Një ndëshkim të tillë duhet ta merr edhe shteti i Serbisë nga ana e BE-së që do të ishte një mësim i mirë për të gjitha shtetet që nxisin dhe shkaktojnë luftëra me shtetet tjera”, përfundon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat