Opozita në heshtje, pozita me qëllime të qarta për dialogun me Serbinë

Politika

Opozita në heshtje, pozita me qëllime të qarta për dialogun me Serbinë

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 14 maj 2021 Në ora: 17:15
Albin Kurti

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë do të rifillojë në muajin qershor.

Këtë e ka bërë të ditur përfaqësuesi i BE-së, Josep Borrell në një takim që muajin e kaluar mbajti me kryeministrin Kurti.

Ky takim pritet të normalizojë marrëdhëniet mes dy shteteve, duke shpresuar që sa më shpejtë të ketë një marrëveshje finale, shkruan “Bota sot”.

Ende pa ndodhur takimi, parapërgatitjet për dialog kanë filluar nga qeveria Kurti, e cila së fundmi u shpreh se do të takojë opozitën para se të shkojë në tavolinë me Serbinë.

Ishte zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu i cili ka thënë se Albin Kurti do të bisedojë me opozitën për çështje të interesit kombëtar.

Sipas tij, takimi i Kurtit me opozitën pritet të realizohet gjatë këtij muaji.

“Presim që takimet me opozitën të realizohen gjatë këtij muaji. Duhet të palët të jenë të barabarta në tryezën e dialogut, ku Kosova është palë e dialogut dhe jo temë, siç ka qenë deri tani. Dialogu duhet të jetë në shërbim të dy popujve, jo politikanëve”, është shprehur Kryeziu.

Gazeta ka provuar të kontaktoj me partitë opozitare në lidhje me qëndrimet që ato kanë karshi këtij takimi, por që nuk kanë dhënë përgjigje.

Ndërsa pozita shprehet shpresëdhënës që opozita kësaj radhe të jetë bashkëpunuese, në mënyrë që në dialog të ketë koordinim brenda shtetit të Kosovës.

Batusha: Opozita të jetë një zëri me pozitën

Image
Agon Batusha

Deputeti nga radhët e LVV-së, Agon Batusha në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh se Kosova për herë të parë ka një formacion politik i cili ka të qarta qëllimet dhe ka kërkesa legjitime të cilat do t’i paraqes në dialogun me Serbinë.

“Për herë të parë ekziston një formacion politik i cili e ka një vizion të qartë se çfarë do të nxjerrë nga dialogu. Këtu e kam fjalën për të gjitha ato kërkesa legjitime të cilat janë artikuluar nga kjo qeveri të cilat do të paraqiten në dialog. Kërkesa legjitime të cilat kanë qenë të pa adresuara tash e sa kohë”, u shpreh Batusha.

Deputeti më tej shton se VV ka qenë gjithmonë koherente në lidhje me dialogun dhe nuk mund të priten surpriza në përgatitje për dialog.

Ai thotë se do të ishte në interes të të gjithëve që opozita të jetë një zëri në dialog.

“Vetëvendosja ka qenë e qartë dhe koherente në çështjen e dialogut, andaj nuk ka asgjë risi dhe as nuk mund të priten surpriza nga kjo përgatitje për dialog. Që kështu është në interes të gjithsecilit/es akter politik që këto kërkesa të kenë zë unik dhe të jemi një zëri në dialog. Është në interes të shoqërisë dhe në interes të opozitës, po ashtu. Për më tepër ekziston një momentum i krijuar prej rrethanave të ndryshme që Kosova të përfitojë me të mirën nga dialogu”, potencoi Batusha për “Bota sot”.

Bytyçi: Takimi i Kurtit me opozitën, një veprim i drejtë

Image
Adem Bytyçi

Njohësi i çështjeve politike, Adem Bytyçi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, shprehet se takimi me opozitën nga ana e kryeministrit Kurti është i drejtë dhe i duhuri. Sipas analistit opozita duhet të tregohet e përgjegjshme dhe ta pranojë një takim të tillë.

“Iniciativa e Kryeministrit Kurti, për tu takuar me opozitën para se të takohet me Vuçiqin , është një veprim i drejtë dhe i duhur. Është vështirë të besohet se opozita do t'i përgjigjet pozitivisht ftesës së Kurtit për një takim të tillë edhe pse opozita do duhej të tregohej e përgjegjshme kur janë në pyetje rifillimi i negociatave Kosovë- Serbi”, theksoi analisti.

Tutje, Bytyçi thotë se opozita mund ta refuzojë këtë takim pasi që nga fillimi është treguar jo bashkëpunuese me pozitën, mirëpo që e njëjta duhet të pajtohet e të mos kundërshtojë vendimet e pozitës pasi që me veprime të tilla mund t'i largojë edhe qytetarët.

“Opozita me kohë është deklaruar kundër bashkëpunimit me Qeverinë Kurti, përkatësisht me opozitën, nëse opozita vazhdon të kundërshton të bashkëpunojë me pozitën edhe lidhur me vazhdimin e negociatave Kosovë - Serbi, përveç që mund të sabotojë negociatat do ta humb përkrahjenm mendoj unë edhe të qytetarëve, ndonëse nuk ka të drejtë të sillet në kundërshtim me interesat e Kosovës, sepse përfundimi sa më shpejtë i negociatave Kosovë - Serbi dhe arritja e një Marrëveshje paqësore e përhershme, është në interesin e të dyja shteteve”, ka thënë Bytyçi.

Analisti në fund cek që duhet forcat politike në Kosovë të jenë në përputhshmëri, në mënyrë që të ketë një marrëveshje pastaj me Serbinë.

“Pa një konsensus në mes të gjitha forcave politike në Kosovë, nuk mund të ketë marrëveshje paqësore të pranueshme në mes të Kosovës dhe Serbisë”, ka deklaruar Adem Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat