Kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj përmes një letre i është përgjigjur kryeministrit Albin Kurti duke e njoftuar se nuk do të shkojë në takimin me partitë opozitare, të thirrur nga Kurti.
Hoxhaj përmes kësaj letre është shprehur se çështjet e propozuara për diskutim nga Kurti pas vizitës së tij në Bruksel, siç janë marrëdhëniet me Belgjikën, me institucionet e BE-së dhe me vendet e rajonit, duhet të trajtohen nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
E Lidhur me këtë, analisti Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se nuk janë tema të cilat duhet të diskutohen në takime të mbyllura, sepse sipas Mehazit, duhet të jenë konkret që të jenë të mirëinformuar edhe qytetarët.
Pra, çdo çështje duhet të diskutohet edhe në interes të qytetarëve.
“Këto janë përgjegjësi të qeverisë dhe nuk janë tema të cilat duhet t’i diskutoni në takime të mbyllura me liderët e partive opozitare. Ndërsa, nëse përmes formulimit “çështje madhore” i jeni referuar ndonjë teme tjetër të rëndësishme, atëhere unë ju ftoj që të jeni më konkret dhe më transparent, në mënyrë që edhe qytetarët e vendit të jenë të mirëinformuar. Ju duhet t’i emërtoni saktë temat me emrat e tyre. Për çfarëdo “çështje madhore”, ju konfirmojmë gatishmërinë e Partisë Demokratike të Kosovës për të diskutuar hapur dhe në interes të qytetarëve dhe të shtetit në Kuvendin e Kosovës. “, ka shkruar ai.
Më tej theksoi se refuzimi nga Hoxhaj nxjerrë në pah gënjeshtrat parazgjedhore të PDK-së, madje PDK-ja nga refuzimi i takimit me Kurtin, dëmton veten, madje për takime mund ta refuzoj, ndërsa për takimet e çështjeve ndërkombëtare, jo që do të marrë pjesë por edhe do ta ndihmojë qeverinë Kurti.
“Refuzimi i ftesës se kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit nga PDK-ja e Hoxhaj nxjerrë në pah të gjitha gënjeshtrat parazgjedhore të PDK-së, se, Kurti nuk qenkësha autokrat, diktator, kryeneç e i vetëpelqyer sikurse që i thonin të PDK-së, se kryeministri i Kosovës sukseset e çështjeve të mëdha shtetërore, sikurse që është dialogu me Serbinë, do t'i ndajë së bashku me opozitën e jo vetëm me partinë e vetë të LVV-së. Me mospranimin e takimit me Kurtin, PDK-ja përkundrazi dëmton veten për shkak se inatet politike asnjë të mirë nuk i bien partisë së Hoxhajt e jo më Kosovës. PDK-së opozitare i lejohet të refuzojë, kundërshtojë, të kritikojë qeverinë e Kurtit brenda Kosovës, ama për çështja të mëdha ndërkombëtare, diplomatike shtetërore sikurse që është dialogu me Serbinë jo që duhet të marrë pjesë, por do të kontribojë e t'i ndihmojë qeverisë së Kurtit, pasi ky dialog nuk është ç'ështje partiake, por me vlerë të madhe shtetërore”, theksoi Mehazi.
Tutje ka shtuar se mos pranimi i ftesës nuk e dëmton LVV-në, por Republikën e Kosovës, meqë rast, PDK-ja si refuzuese e ushqen edhe Serbinë.
Mehazi shtoi se nëse PDK-ja e do Kosovën, duhet të pranoj edhe ftesen e Kurtit për tu bashkuar edhe ndaj dialogut me Serbinë.
“Nëse LDK-ja e AAK-ja kanë pranuar ftesën e Kurtit, pse mos ta pranojnë këtë ftesë bashkëpunimi edhe të PDK-ja, veprimet mohuese të dialogut me Serbinë nuk dëmton LVV-në e Kurtit, por Republikën e Kosovës, në anën tjetër PDK-ja si refuzuese e takimit me Kurtin ushqen Serbinë e jo Kosovën. Partitë e mençura opozitare aty ku duhet e kritikojnë e nuk pajtohen me qeverinë, mirëpo për çështjet vitale shtetërore bëhen tog me qeverinë. Me refuzimin e takimit me Kurtin PDK-ja jo vetëm që shpreh urrejtje ndaj Albin Kurtit, por urrejtje edhe ndaj Republikës së Kosovës. Nëse PDK-ja me të vërtetë e do Kosovën atëherë duhet të pranojë ftesën e takimit me Kurtin për t'u bashkuar tog ndaj dialogut me Serbinë”, përfundoi Sulejman Mehazi për gazetën “Bota sot”.