“Një pyetje Hykmete Bajramit”, skandali me vjedhjen në Thesar sa ishte ministre, kjo është kërkesa për të

Politika

“Një pyetje Hykmete Bajramit”, skandali me vjedhjen në Thesar sa ishte ministre, kjo është kërkesa për të

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 22 maj 2021 Në ora: 11:36
Hykmete Bajrami

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, kërkoi nga Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të autorizojë prokurorinë të merret me rastin e 2.1 milionëshit.

Bajrami shtoi se kjo çështje duhet të pastrohet një herë e përgjithmonë.

“Hykmete Bajrami jeton në Prishtinë, vjen sa herë ka seanca dhe nuk fshihet asnjëherë. Ministrja e Drejtësisë që tha se ka autorizuar organet për t’u marrë me drogë, duhet të autorizojë prokurorinë të merret me rastin e 2.1 milionëshit dhe rastin e Hykmete Bajramit, sepse duhet të pastrohet një herë e përgjithmonë kjo çështje. Qëndroj këtu dhe jam ballëhapur, kështu që zbardheni këtë rast e mos u mundoni me ma mbyll gojën. Asgjë s’po bëni, krejt pushtetin e keni në dorë, të gjithë mund t’i ndërroni por pastrojeni këtë rast por mos provoni me ma mbyllë gojën sepse jam e pastër në këtë rast”, ka thënë Bajrami.

Por, ky skandal ndodhi gjatë qeverisë Hoti dhe kur deputetja e LDK, Hykmete Bajrami ishte ministre e financave. Ajo madje nuk kishte dhënë dorëheqje për këtë.

Lidhur me këtë kanë folur edhe disa njohës të çështjeve politike.

Analisti Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se Bajrami kur ishte në LDK, nuk fliste asgjë sepse i vinte mire, ndërsa tani që u rrëzua nga froni dhe u bë çdo gjë e keqe për të dhe LDK-në.

“Qeveria Kurti ua ndërpreu milionat bizneseve të LDK-së”

Mehazi ka edhe një pyetje për Bajramin, përderisa tani kërkon dorëheqjen e ministres Hahxiu, pse nuk ka dhënë dorëheqje Bajrami në momentin që janë zhdukur miliona eurot.

Image
Sulejman Mehazi

“Kritika e deputetes së LDK-së, Hykmete Bajrami, ndaj ministres së drejtësisë, Albulena Haxhiu me rastin e vjedhjes së 2.1 milionë euro nga thesari i shtetit, ka të bëjë me proverbin: "Kur jam mirë të gjithë janë mirë, kur jam keq të gjithë janë të këqij", kështu ndodh edhe me deputeten Hykmete Bajramin, e cila kur u zhdukën e u vodhën nga shteti 2.1 milionë eurot ishte ministre e LDK-së zëri nuk ju dëgjua se i vinte mirë, e kur u rrëzua nga froni i ministres çdo gjë është u bë keq e prapshtë për të dhe partinë e LDK-së. Është e palogjikshme e jo etike që skandalet e partisë së saj të LDK-së t'ua lë e mvesh LVV-së. Po t'ia bëjmë një pyetje deputetes Bajrami, se gjatë qeverisjes së LDK-së u zhdukën nga thesari i shtetit këto miliona eurot, pse ajo si ministre nuk reagoi e nuk dha dorëheqje?, në anën tjetër për skandalet e partisë së saj kërkon dorëheqjen e ministres së drejtësisë, Albulena Haxhiut”, deklaroi Mehazi.

Tutje, ai shtoi se kritikat e Bajramit janë për arsye se Qeveria Kurti, ua ka ndërprerë milionat bizneseve të LDK-së, prandaj edhe kërkesa e Bajramit është revoltë interesash personale.

“Kritika e Hykmete Bajramit e ka kuptimin e hidhërimit ndaj shkëputjes se interesave të saja nga Albulena Haxhiu e qeveria e Kurtit që ua ka ndërprerë shumat milionëshe biznesmenëve të LDK-së, të cilët, në emër të rimëkëmbjes ekonomike shpërndanin paratë në dobi të interesave të tyre personale. Kërkesa e deputetes së LDK-së, Hykmete Bajrami, për dorëheqjen e ministres Albulena Haxhiut për shkak zhvatjes së dy milionë eurove nga arka e shtetit, më shumë është revoltë interesash personale e kurrgjë më shumë. Ministrja Albulena me siguri Bajramit ia ka ndaluar "taxhinë" e parave në qeveri dhe deputetja Hykmete Bajrami mundohet t'i revanshohet me kërkesa absurde të vjedhjes së arkës së shtetit në kohën kur ishte ajo ministre e LDK-së”, përfundoi Sulejman Mehazi.

“Haxhiu ka fuqi ligjore dhe politike për zbardhjen e rastit”

Ndërsa, analisti Islam Krasniqi, është shprehur se këto janë vazhdimësi e skandaleve të qeverive të kaluara, prandaj edhe Barjami kërkon ta pastrojë veten nga ky skandal duke kërkuar nga Haxhiu zbardhjen e rastit.

Image
Islam Krasniqi

“Rasti i 2.1 milionëshit të thesarit të shtetit që u vodhën nga një zyrtar i shtetit ishte një vazhdimësi e skandaleve që i përcollën qeveritë e kaluara por që nuk u publikuan apo nuk patën një show mediatik. Ish ministrja Bajrami ka kërkuar nga znj.Haxhiu që të zbardh skandalin që u vodhën 2.1 milionë nga Thesari i Shtetit ka dashur që ta pastrojë veten nga ky skandal për të cilin nuk mund të akuzohet as znj. Bajrami, sepse atë askush nuk e ka pyetur”, tha ai.

Krasniqi thotë se Haxhiu ka fuqi ligjore për ta zbardhur të vërtetën dhe se dihet se ku janë transferuar dhe se përfitues kanë qenë edhe disa nga zyrtarët politikë, por që tani janë në liri.

“Duhet të kuptohet së znj. Haxhiu ka fuqi më të madhe edhe ligjore edhe politike dhe mund të shty këtë proces përpara për të zbardhur të vërtetën dhe kryesit për t'i venë para drejtësisë. Mos të harrojmë se nuk donë ndonjë ekspertizë të veçantë për këtë rast, pasi që dihet nga kanë shkuar mjetet, ku janë transferuar, e që përfitues nga ky skandal ishin edhe disa zyrtar publik e që sot ata janë në liri. Dorëheqja nuk është praktikuar ndonjë herë apo mos të themi janë raste të rralla pavarësisht skandaleve, ku ministrat dhe zyrtarët shtetërorë pozitën e tyre e kanë konsideruar si pronë private”, shtoi Krasniqi.

“Me të, të merren organet e rendit”

Kurse, juristi Blerim Burjani, ka theksuar se këtë skandal e kishte denoncuar Bajrami kur ishte ministre, dhe sipas tij, me këtë duhet të merren prokuroria dhe gjyqësia.

Image
Blerim Burjani

“Bajrami vet kishte denoncuar këtë skandal kur ishte ministre dhe atëherë kishte kërkuar zbardhje të rastit e cila deri më sot nuk është zbardhur. Kjo çështje si temë është e organeve të rendit të merren me të e jo e ministres së drejtësisë, prokuroria dhe gjyqësia janë të pavarur nga Ministria e Drejtësisë, pra është e pushtet i pavarur nga Qeveria”, deklaroi Burjani për gazetën “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat