“Fshesa” e Gërvallës për ambasadorët, ky është paralajmërimi për emërimet e reja

Politika

“Fshesa” e Gërvallës për ambasadorët, ky është paralajmërimi për emërimet e reja

Armirë Shaqiri Nga Armirë Shaqiri Më 24 maj 2021 Në ora: 19:01
Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla ka vendosur të fillojë largimin e ambasadorëve të emëruar politikë. Këtë një vit më parë e kishte filluar edhe Glauk Konjufca, sa ishte ministër i këtij dikasteri.

Po që nga kjo ministri kanë thënë se ky vendim është marrë në përputhje me ligjin.

“Në përputhje me Ligjin, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), ka përcjellë gjatë kësaj jave tek Presidentja e Republikës së Kosovës, propozimin për lirim nga detyra dhe tërheqje nga misioni diplomatik për të gjithë ambasadorët e Republikës së Kosovës, të emëruar politikisht, duke i falënderuar për punën dhe angazhimin e deritanishëm”.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu, me kërkesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka liruar nga detyra të gjithë ambasadorët e Kosovës, që ishin të emëruar politikë.

Vendimin e ka përkrahur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Mirëpo ky vendim nuk është pritur mirë nga opozita të cilët kanë shprehur kundërshtimet e tyre sa i përket largimi të ambasadorëve.

Blakaj: Vendimi i Gërvallës mesazh i mirë drejt reformimit të shërbimit diplomatik

Image
Njohësi i çështjeve i integrimeve evropiane, Sami Blakaj

Njohësi i çështjeve i integrimeve evropiane, Sami Blakaj, në një përgjigje për këtë ka thënë se politika e Jashtme e Kosovës ka nevojë urgjente për një reformë dhe ristrukturim diplomatik.

“Politika e Jashtme e Kosovës ka nevojë urgjente për një reformë dhe ristrukturim diplomatik. Reforma dhe ristrukturimi i shërbimit të jashtëm diplomatik nënkupton para së gjithash, respektimin e bazës ligjore, respektivisht respektimin e rregullave procedurale që definojnë veprimtarinë e diplomacisë kosovare”, ka thënë Blakaj.

Sipas tij, në misionet diplomatike të Kosovës ka munguar rregulli diplomatik.

Tutje, ai ka shtuar se për shkak të mungesave të shumta sa i përket profesionalizimit, sot kemi një diplomaci të mbingarkuar dhe jo profesionale gjithandej nëpër botë.

“Deri më tani në rrjetin e misioneve tona diplomatike fatkeqësisht ka munguar rregulli diplomatik, ka munguar respektimi i standardeve ligjore dhe profesionale për emërimin e ambasadorëve politikë dhe si rezultat i shkeljeve të shumta ligjore dhe procedurale, sot kemi një diplomaci të mbingarkuar dhe jo profesionale gjithandej nëpër botë. Prandaj kjo gjendje e rëndë në shërbimin tonë të jashtëm duhet ndryshuar domosdoshmërish dhe urgjentisht. Duhet bërë një reformë e thellë e cila përkon me ligjin për shërbimin e jashtëm diplomatik, me konventën e Vjenës por edhe me standardet e tjera ndërkombëtare. Përzgjedhja e diplomatëve të rinj duhet të jetë e matshme, meritore dhe shumë profesionale”, ka deklaruar Sami Blakaj për “Bota sot”.

Burjani: Vendimi i Gërvallës i drejtë, pozitiv për të ndalë degradimin e vazhdueshëm të këtij shërbimi

Image
Njohësi i çështjeve politike dhe juridike, Blerim Burjani

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike dhe juridike, Blerim Burjani, ka thënë se ky vendim i ministres Gërvalla është vendim plotësisht i drejtë, për të ndalë degradimin e këtij shërbimi.

“Vendimi është plotësisht i drejtë dhe ishte kërkesë e kahershme nga të gjithë edhe nga shoqëria civile. Veprimi i zonjës Gërvalla është plotësisht i drejtë dhe është pozitiv për të ndalë degradimin e vazhdueshëm të këtij shërbimi”, është shprehur Burjani.

Sipas tij, ka ende të tillë që duhet shkarkuar e të cilët janë emëruar politikisht nga liderët e tyre, e që rrjedhimisht i tërë ky shërbim është politik dhe partiak.

“Gjithkush ishte ambasador dhe janë dërguar nga partitë politike dhe liderët e tyre, ky degradim ishte i dëmshëm i këtij shërbimi që duhet të jetë shërbim profesional për qytetarë të Kosovës, pra vendimi është një hap shumë pozitiv për të bërë një shërbim të pavarur politik dhe në dobi të përgjithshëm për qytetarët apo taksapaguesit, numri i të emëruarve politikë është larg më i madh se këta që janë shkarkuar, i tërë ky shërbim është politik dhe partiak, pra duhet të vazhdohet me depolitizimin dhe krijimin e një shërbimi diplomatik të mirëfilltë dhe në shërbim të qytetarëve”, ka vlerësuar Burjani.

Ai bën thirrje që edhe kur të zëvendësohen këta ambasadorë, të mos jenë njerëz të emëruar nga partia në pushtet.

“Unë përshëndes një veprim të tillë të duhur dhe të dobishëm për të gjithë. MPJ duhet të hap konkurse për të zëvendësuar këta ambasadorë dhe ambasadorë të tjerë që janë emëruar politikisht, pra jo të emërohen tash njerëz politik nga partia në pushtet”, ka përfunduar Blerim Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat