Alarmon Kelmendi, Veton Surroi është jugosllavist i përbetuar – ky është kërcënimi i madh për Kosovën

Politika

Alarmon Kelmendi, Veton Surroi është jugosllavist i përbetuar – ky është kërcënimi i madh për Kosovën

Nga: N. H Më: 26 maj 2021 Në ora: 15:39
Veton Surroi, foto ilustrim “Bota sot”

Publicisti Veton Surroi e ka konfirmuar edhe publikisht se do të jetë këshilltar i jashtëm i ekipit negociator në dialogun me Serbinë në Qeverinë Kurti 2.

Surroi mbrëmë në një intervistë ka thënë se Qeveria e Kosovës ka kërkuar një grup njerëzish për këtë funksion dhe se dakordimi është arritur duke u krijuar një ekip këshillëdhënës.

“Angazhimi im është në cilësinë e këshilltarit të jashtëm për nevojat e procesit negociator. Jemi në dispozicion të Qeverisë për nevojat e procesit negociator, në këtë rast zëvendëskryeministrit Besnik Bilimi, i cili është i angazhuar, si dhe nevojave të kryeministrit, pra kurdo që ai të ketë nevojë. Është proces interaktiv që si çdo proces këshillëdhënie ekziston një këmbim mendimesh. Kjo ka të bëjë vetëm me procesin negociator. Qeverisë i është ofruar një numër njerëzish, Qeveria ka kërkuar një numër njerëzish, është arritur dakordanca dhe është krijuar ky ekip”, ka konfirmuar Surroi.

Në lidhje me këtë vendim të qeverisë aktuale, ka folur njohësi i çështjeve politike.

Analisti politik, dhe profesori i shkencave politike, Jeton Kelmendi, në një prononcim dhënë për gazetën “Bota sot” është i mendimit se vendimi për ta emëruar si këshilltar të jashtëm, Veton Surroin, është një gabim tejet i madh i Qeverisë së Kosovës.

Madje, njohësi i çështjeve politike hedh kritika edhe për ekzekutivin aktual, duke thënë se është duke bërë gabime të pafalshme.

Image
Jeton Kelmendi

“Vendimi për t’u emëruar Veton Surroi në çdo pozicion të lartë shtator është një gabim i madh i Kosovës. Padyshim, që Veton Surroi është një djalë politik i Serbisë i cili krejt jetën e ka të ngritur mbi parimet serbe. Mendoj se Qeveria Kurti, është një nga qeveritë më të dobëta, dhe është duke vazhduar me mashtrimet e tyre ordinere. Hipnoza që iu ka shkaktuar qytetarëve të vendit, se do të ketë bileteralitet, do të ketë atë e këtë, kurse në parim në anën tjetër është duke punuar në krijimin e Jugosllavisë së re, pasi kryeministri Albin Kurti është një njeri i fuqishëm, që i ka votat dhe i ka të gjitha”, ka thënë Kelmendi, për “Bota sot”.

Profesori Kelmendi tutje publicistin Surroi e ka quajtur si një jugosllavist të përbetuar, e që sipas tij, me përkushtim do të kthejë Jugosllavinë e re.

“Në krijimin e kësaj Jugosllavie të re, tashmë po ndodhet edhe jugosllavisti më i përbetuar, e ai është Veton Surroi. Për këto nuk do asnjë dëshmi dhe as një koment. Pra, ky është kërcënimi më i madh për Kosovën, sepse Veton Surroi dhe surroit e tjerë me shumë përkushtim do e kthejnë Jugosllavinë e re”, ka deklaruar analisti e profesori i shkencave politike, Jeton Kelmendi, për “Bota sot”.

Ndryshe, kujtojmë se përveç Veton Surroit, edhe Bernard Nikaj, Leon Malazogu, Robert Muharremi, Muhamet Mustafa, pritet të jenë ekspertët e angazhuar në procesin e dialogut. Këtij ekipi pritet t’i bashkohet edhe Blerim Shala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat