Garë e ‘nxehtë’ mes VV-së e LDK-së për Prishtinën

Politika

Garë e ‘nxehtë’ mes VV-së e LDK-së për Prishtinën

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 5 qershor 2021 Në ora: 08:31
Foto ilustrim nga "Bota sot"

Kur dihet se kanë mbetur vetëm edhe pak muaj nga shpallja e zgjedhjeve të rregullta lokale, subjektet politike në vend tashmë kanë nisur zyrtarizmin e kandidatëve për kryetar nëpër komuna.

E, gara më e nxehtë padyshim se e pret kryeqendrën e Kosovës, Prishtinën. “Lufta” kryesore sipas njohësve të çështjeve politike pritet të zhvillohet mes LVV-së dhe LDK-së, shkruan gazeta “Bota sot”.

Deri më tani kandidaturën për kryetar të Prishtinës e kanë zyrtarizuar Lidhja Demokratike e Kosovës me arkitektin Përparim Rama, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me ish-deputetin Daut Haradinaj, dhe Aleanca Kosova e Re me nënkryetarin e Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli.

Edhe pse ende jo zyrtarisht, krerët më të lartë të Partisë Demokratiket e Kosovës, në vazhdimësi e kanë bërë të ditur se emri i mundshëm për të qenë në garë për Prishtinën është ai i ish-ministrit të Shëndetësisë në “Qeverinë Haradinaj”, Uran Ismali.

“Bota sot” ka provuar të marrë një qëndrim për këtë çështje edhe nga zyrtarët e Partisë Demokratike të Kosovës, mirëpo këta të fundit nuk kanë kthyer një përgjigje për gazetën.

E, për dallim nga PDK-ja, nga Lëvizja Vetëvendosje për gazetën “Bota sot” kanë pohuar se edhe me tej nuk ka hyrë në fazën e përzgjedhjes së kandidatëve për kryetarë komunash. Kurse, emri më i lakuar nga kjo parti është i ministrit aktual të Shëndetësisë, Arben Vitia.

Për zgjedhjet lokale, gjithashtu pritet që shumë shpejt edhe presidentja Vjosa Osmani, t’i ftojë për konsultime përfaqësuesit e partive politike.

Sipas të gjitha gjasave, e para e shtetit të Kosovës tashmë ka vendosur që t’i thërras për konsultime partitë politike, ku pritet të merret edhe vendimi për caktimin e datës së Zgjedhjeve Lokale.

Bazuar se zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë u mbajtën në muajin tetor të vitit 2017, ka gjasa që edhe zgjedhjet e sivjetme lokale të mbahen në po këtë muaj.

Manxhuka: Vetëvendosje ende nuk ka hyrë në fazën e përzgjedhjes së kandidatëve

Partia e Albin Kurtit edhe më tej nuk ka hyrë në fazën e përzgjedhjes së kandidatëve për zgjedhjet lokale që priten të mbahen në tetor të këtij viti.

Lajmin për gazetën “Bota sot”, e ka konfirmuar zyrtari nga VV-ja, Arlind Manxhuka, i cili ka thënë se kjo parti edhe me tej nuk ka shpallur ndonjë kandidim.

Image
Arlind Manxhuka

“Lëvizja Vetëvendosje ende nuk ka hyrë në fazën e përzgjedhjes së kandidatëve për kryetarë komunash. Pra, nuk ka iniciuar ndonjë shpallje të kandidimit para kësaj faze”, ka thënë Manxhuka, për gazetën “Bota sot”.

Tutje, zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosjes ka bërë me dije se kjo çështje është e rregulluar me statutin e partisë, kurse ka potencuar se përbrenda afateve, në secilën qendër kandidatët janë të lirë të kandidojnë për t’u votuar pastaj në këshillet e qendrave ku kandidojnë.

“Përzgjedhja e kandidatëve është e rregulluar me statutin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe në bazë të tij, përbrenda afateve, në secilën qendër kandidatët janë të lirë të kandidojnë për t’u votuar pastaj në këshillet e qendrave ku kandidojnë. Lëvizja Vetëvendosje gjithnjë përmes komunikimit publik njofton anëtarësinë e saj për hapjen e këtyre afateve për aplikim”, ka deklaruar zyrtari nga Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, për gazetën “Bota sot”.

Politologu: Gara mes LVV-së dhe LDK-së

Ndërsa, politologu Gurakuç Kuçi, në një bisedë dhënë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se gara kryesore për Prishtinën do të zhvillohet mes partisë së Albin Kurtit dhe partisë së Lumir Abdixhikut.

Image
Gurakuç Kuçi

Por, ai konsideron se rivaliteti nuk do të jetë edhe aq i lartë, pasi mendon se vetëm keqqeverisja në nivel qendror do mund të bënte që votuesit ta rikthenin votën kundër LVV-së në pro LDK-së në nivel lokal.

“Në garën për Prishtinën do jenë dy parti rivale LVV-ja dhe LDK-ja dhe partitë tjera të cilat do të tentojnë që të bëhen pjesë e qeverisjes duke ia bërë shumicën në asamble partisë apo kandidatit fitues dhe të marrin disa drejtori, një praktikë kjo shumë e keqe nga partitë e vogla. Rivaliteti megjithatë nuk do jetë i lartë dhe vetëm dështime të mëdha të LVV-së në qeverisjen qendrore mund ta rikthejnë votën kundër LVV-së dhe pro LDK-së në nivelin lokal, gjegjësisht në Prishtinë”, ka thënë politologu Kuçi.

Mirëpo, Kuçi është skeptik se Lidhja Demokratike e Kosovës do mund ta fitojë ndonjë komunë nga zgjedhjet e ardhshme lokale.

“Kjo për faktin se gjithë kryetarët e komunave janë të dështuar, dy raste që nuk mund t’i mbajë janë edhe Peja e Istogu. Abdixhiku për ngritje në krye të partisë ka bërë gabime duke lejuar t’i ofrohen njerëz si Gazmend Muhaxheri, i cili luajti lojën të bëhej me fituesin pasi si njeri e qeverisës është i diskredituar. Po ashtu LDK-ja akoma nuk është një parti unike dhe ka përçarje të brendshme dhe një luftë të heshtur për ta kontrolluar partinë. Të gjitha këto do i ndikojnë edhe kandidatit të LDK-së në Prishtinë sado që ai është i mirë”, ka thënë njohësi i çështjeve politike në vend”, tha me tej ai.

Krejt në fund, politologu i njohur ka folur edhe për partinë e Enver Hoxhajt, për të cilën ka thënë se është një parti që nuk reformohet, dhe e cila në çdo komunë ku ka qeverisur ka kapur institucionet.

“Ndërsa sa i përket Partisë Demokratike të Kosovës nuk bëhet fjalë të jetë ndonjë rival për askënd, PDK-ja është parti që nuk reformohet dhe është ajo e cila në çdo komunë ku ka qeverisur apo bashkëqeverisur dhe vazhdon akoma ka kapur institucionet duke punuar kundër qytetarëve”, ka përfunduar politologu e analisti i çështjeve politike, Gurakuç Kuçi, për gazetën “Bota sot”.

Kujtojmë se Neni 4(2) i Ligjit Nr. 03/L-072 për Zgjedhjet Lokale përcakton se zgjedhjet lokale nuk mund të mbahen më herët se gjashtëdhjetë ditë para përfundimit të mandatit dhe jo më vonë se tridhjetë ditë pas përfundimit të mandatit të organeve aktuale komunale. Neni 4(3) i po këtij ligji parasheh se vendimi i presidentes për të caktuar datën e zgjedhjeve bëhet jo më vonë se katër (4) muaj dhe jo më herët se gjashtë (6) muaj para datës së zgjedhjeve

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat