Juristi nga Belgjika jep parashikimin: Ja deri kur nuk do të përfundojë dialogu me Serbinë – jep kritika të rënda për Thaçin

Politika

Juristi nga Belgjika jep parashikimin: Ja deri kur nuk do të përfundojë dialogu me Serbinë – jep kritika të rënda për Thaçin

Nga: N. H Më: 6 qershor 2021 Në ora: 22:53
Aleksandar Vuçiq dhe Albin Kurti

Juristi që jeton dhe vepron në Bruksel të Belgjikës, Skënder Musliu, në një prononcim dhënë për gazetën “Bota sot”, ka folur për takimin mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Musliu fillimisht shprehet se kryeministri Kurti, krahasuar me përvojën e gjertanishme të dialogut, ka qasje krejtësisht tjetër, e që nuk është në përputhje me pritshmërinë të BE-së dhe SHBA-ve.

“Në kuadër të dialogut Kosovë - Serbi, ditëve të ardhshme është paraparë takimi i parë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq. Këtij takimi i parapriu vizita e dy diplomatëve, respektivisht Palmer dhe Lajçak në Kosovë, e që si qëllim kishin përgatitjen e këtij takimi. Këta diplomat, Zotit Kurti, dhe jo vetëm, ia kanë dorëzuar ‘udhërrëfyesin’ për zhvillimin e dialogut të ardhshëm. Personalisht dyshoj se Kurti është dakord me përmbajtjen e këtij udhërrëfyesi, sepse ajo përfshinë tema që i tejkalon vijat e kuqe për Kosovën. Po ashtu, kryeministri Kurti, krahasuar me përvojën e gjertanishme të dialogut, ka qasje krejtësisht tjetër, e që nuk është në përputhje me pritshmërinë të BE-së dhe SHBA-ve, që mund të ndikojë në procesin e bisedimeve”, ka thënë juristi Musliu.

Juristi thekson se nuk duhet harruar asnjëherë se bisedimet, fillimisht ishin të karakterit teknik, mirëpo me kalimin e kohës, fatkeqësisht u shndërruan në dialog politik.

Image
Skënder Musliu

“Kur dialogu mori kuptimin politik, duke e parë rrezikun e “rrëshqitjes” së dialogut, SHBA-të dhe BE-ja insistonin që bisedimet të zhvillohen vetëm për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, kurse Hashim Thaçi në bashkëpunim dhe bashkërenditje me Vuçiqin, flisnin për kompromise të dhimbshme që nënkuptonte ndryshimin e kufijve për njohje reciproke. Që donë të thotë se për atë që ishin dakordësuar Thaçi dhe Vuçiqi, ishte jashtë kornizave dhe parashikimeve të SHBA-së dhe BE-së, duke e komplikuar dhe degraduar dialogun”, tha ai.

Madje, ai është i mendimit se Thaçi është arkitekti kryesor dhe i vetëm që statusin e Kosovës a ka sjellë në pozitë të pazareve politike.

“Duhet theksuar se ajo çka sot po ndodh me dialogun, është rezultat i një procesi që ka filluar mbrapsht e që do të prodhojë pasoja të paparashikuar. Tani, parashtrohet pyetja, se kush e manipuloi dhe degradoi procesin e dialogut ?! Gjykoj se Hashim Thaçi është arkitekti kryesor dhe i vetëm që statusin e Kosovës a ka sjellë në pozitë të pazareve politike, duke shkelur mbi vullnetin e popullit dhe gjakun e dëshmorëve. Sepse, me dakordësi paraprake, ai ndau pjesën Veriore të Kosovës, me qëllim që pas intervenimit të NATO-s, atje të vendosen trupat franceze, që njihen si aleat historik i Serbisë. Po ashtu, Hashim Thaçi, rojet e urës, strukturat kriminale paralele serbe me paramilitarë dhe parapolic serb të Veriut, i institucionalizoi duke i bërë pjesë të shtetit të Kosovës, që sot janë pengesë e pakapërcyeshme e shtetësisë së Kosovës”, ka shtuar me tej ai.

Kurse, ka dhënë një parashikim se dialogu me Serbinë vështirë se mund të përfundojë, së paku, para fundit të vitit 2022.

“Hashim Thaçi i ndihmuar nga bashkëpunëtori i tij, Isa Mustafa, ishte dizajnuesi kryesor për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive, duke ia mundësuar serbëve të Kosovës t’a formojnë shtetin e tyre në kuadër të Kosovës. Hashim Thaçi në dakordësi të plotë me Vuçiqin, formuan Listën Srpska si parti politike, të cilës tani po ua shef sherrin Kosova gjatë vendimmarrjes. I përmenda këto fakte, për ta argumentuar të gjitha vështirësitë e dialogut të sotëm, të cilat janë rezultat i këtyre veprimeve të papërgjegjshme dhe kriminale, që qëndrojnë në kundërshtim të plotë me interesat vitale të Kosovës, që dikush është dashur të akuzohet për tradhti kombëtare. Për ndryshe, për takimin e ardhshëm Kurti – Vuçiq, në opinion pritjet janë të mëdha, mirëpo mendoj se nga konteksti aktual, këto nuk janë reale. Nuk mund të ketë avancim të dialogut para zgjedhjeve presidenciale të Serbisë që do të mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm. Edhe pse Palmer dhe Lajçak shprehen optimist, unë mendoj se ky dialog, vështirë se mund të përfundojë, së paku, para fundit të vitit 2022”, ka shpjeguar juristi.

Sa i përket rolit të opozitës, ai shprehet se partitë opozitare kanë një rol të veçantë në shtytjen e këtij procesi.

“Nga ajo çka po vërehet, rezulton e kundërta, sepse ato procesin e dialogut po e konsiderojnë si çështje partiake, e jo si projekt shtetëror. Mosimplikimi i opozitës në këtë poçes e ndihmon vetëm Serbinë, prandaj kur është në pyetje çështja nacionale, inatet primitive politike dhe personale, duhet lënë anash dhe mobilizimi i opozitës është i domosdoshëm. Kryeministri i Kosovës nuk është kundër dialogut, siç pretendon opozita, por ai është për konceptimin e dialogut në baza të reja, mirë të përgatitur, duke u munduar t’i eliminojë pengesat dhe të këqijat e të së kaluarës. Duke u nisur nga fakti se këmbimi i territoreve apo copëtimi i Kosovës ranë prej kombinimit, tani Serbisë i ka mbetur formimi i ‘Zajednicës’, eksterritorialiteti i kishave dhe monastireve, Ujmani, Trepça etj, për të cilat do të insistojë gjer në fund”, ka deklaruar ai.

Në fund, juristi Musliu ka theksuar se përkundër presioneve eventuale të SHBA-ve dhe BE-së, Kosova me këmbëngulësi duhet të jetë konsistonte në qëndrimet e saja politike dhe duhet të rezistojë gjer në fund.

“Serbia vazhdimisht deklarohet se arritja e një marrëveshje është e mundshme, vetëm në bazë të kompromisit reciprok. Mirëpo Kosova kompromiset e dhimbshme i ka bërë në Rambuje, me Pakon e Artisaarit dhe Konferencën e Vjenës, kështu që çdo koncesion tjetër, do ta dëmtonte, gjymtonte dhe destabilizonte shtetësinë e Kosovës, duke e bërë atë shtet jofunksional, madje edhe duke ia humbur kuptimin e pavarësisë. Rezultati dhe suksesi definitiv i arritjes së një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë konform interesave të Kosovës, është insistimi i mbrojtjes së Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Rendit Kushtetues, sovranitetit dhe integritetit territorial, gjithnjë duke u mbështetur në Vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”, ka thënë krejt në fund, juristi Skënder Musliu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat