Paralajmërohet përplasja e fortë brenda PDK-së, Sami Lushtaku dhe Ramiz Lladrovci...

Politika

Paralajmërohet përplasja e fortë brenda PDK-së, Sami Lushtaku dhe Ramiz Lladrovci...

Nga: P.R Më: 7 qershor 2021 Në ora: 19:51
Sami Lushtaku dhe Ramiz Lladrovci

Edhe pse kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se kandidati i kësaj partie për Drenas do të jetë Ramiz Lladrovci, dega e PDK-së në Drenas e dëshiron dikë tjetër në vend të Lladrovcit.

Është Driton Ajazi, i cili po synon që të marr vendin e Ramiz Lladrovcit, për të cilin thotë se do të jetë pjesë e ekipit të tij të fitores.

“PDK pas procesit zgjedhor më 14 shkurt e mori një mesazh nga votuesit e saj. Këto diskutime kanë qenë para zgjedhjeve të mbajtura dhe PDK-ja e mori një mesazh se qytetarët duan figura të reja për t’iu prirë proceseve dhe për këtë arsye Dega e PDK-së në Drenas më nominoi mua”, është shprehur Driton Ajazi.

E krejt këto zhvillime në PDK, analisti Faton Mehmeti i sheh si ‘luftë’ për pushtet mes rrymave që ekzistojnë brenda kësaj partie.

Image
Faton Mehmeti

“Tashmë po dalin në pah rrymat brenda PDK, e të cilat me kalimin e kohës vetëm sa do të bëhen më të dukshme. Ndonëse një kandidat e mbështet qendra dhe tjetrin dega, besoj se më në fund do të triumfojë vendimi i qendrës me Ramizin kandidat. Ky i fundit gëzon mbështetjen e kryesisë”, thotë Mehmeti për “Bota sot”.

Sipas tij, përplasje e fortë brenda PDK-së do të ndodhë në Skenderaj, e cila do ta prek edhe kryesinë qendrore.

“Akoma më shumë divergjenca do të shfaqën në rastin e Skenderajt, aty ku pritet që një pjesë të mbështes Samiun, disa të tjerë kandidatin e pavarur Bekim Jashari. Shoh përplasje të fortë mes Samiut dhe Bekimit, që do i sjell kokëçarje qendrës në Prishtinë. PDK po korr atë që ka mbjell tek partitë tjera. Frymën e ndasive tek të tjerët e ka mbjell PDK me argatët e saj, tani po i kthehet në bumerang”, shprehet analisti politik, Faton Mehmeti.

Me tej, Mehmeti deklaron se fryma e zgjedhjeve të 14 shkurtit, do të ndihet edhe në zgjedhjet lokale.

“Zgjedhjet lokale ndryshojnë nga ato qendrore, edhe pse në një farë mënyre do të bartet fryma e ndryshimit. Varet krejt nga kandidatët që do të propozojnë partitë politike, e të cilat pastaj do të mund të shihet se kush ka gjasa më shumë për të fituar”, thekson Mehmeti.

Për fund, analisti Mehmeti deklaron se Lëvizja Vetëvendosje do të shënojë fitore në shumicën e komunave në Kosovë.

“Për momentin s’kam ndonjë pasqyrë të qartë se cilat komuna mund t'i fitojnë partitë politike meqenëse akoma s’janë shpallur të gjithë kandidatët, pasi të ndodh kjo gjë do kemi një pasqyrë më të qartë për partitë se ku mund të korrin fitore. Në përgjithësi besoj se VV do ketë numrin më të madh të komunave”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik Faton Mehmeti.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat