Paralajmërimi i frikshëm për Kosovën: Albin Kurti do të ndodhet përballë dy alternativave, kurse Vuçiq...

Politika

Paralajmërimi i frikshëm për Kosovën: Albin Kurti do të ndodhet përballë dy alternativave, kurse Vuçiq...

Nga: P.R Më: 10 qershor 2021 Në ora: 18:14
Albin Kurti

Tashmë është konfirmuar edhe zyrtarisht. Më 15 qershor, në Bruksel do të takohen për herë të parë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Këtë e ka konfirmuar Peter Stano, zëdhënësi për Politikë të Jashtme i Bashkimit Evropian.

Para këtij takimi, Kurti ka thënë se nuk mund të formohet asnjë asociacion njëetnik, kurse Vuçiq ka deklaruar se Kurti nuk ka nevojë të shkojë në Bruksel, nëse nuk dëshiron të bisedojë për formimin e Asociacionit.

Ndërsa nga BE këmbëngulin se gjatë procesit të dialogut do të flitet për të gjitha çështjet që janë hapur më herët.

“Të gjitha çështjet që janë diskutuar deri më tani dhe që do të diskutohen në të ardhmen brenda këtij dialogu të vazhdueshëm, janë thelbësore për normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Peter Stano.

Por çfarë do të diskutohet në Bruksel dhe cilat janë pritjet nga ky takim? Lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

“Takimi i zotit Kurti me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq që do të zhvillohet të martën e ardhshme nuk do të jetë takim për të diskutuar ndonjë temë të rëndësishme. Mendoj se në tavolinë do të shtrohen modalitetet dhe temat për të cilat do të diskutohen në të ardhmen. Prandaj deri diku kryeministri i Kosovës ka të drejtë kur thotë se "nuk do të takohet me Vuçiq në Bruksel për të dialoguar për ndonjë çështje të caktuar. Por presidenti i Serbisë këmbëngulë që të dialogohet për Asociacionin, pra për marrëveshjen e nënshkruar fillimisht nga Hashim Thaçi në vitin 2013 dhe më pas nga Isa Mustafa, në vitin 2015”, thotë Bytyçi.

Sipas tij në rast të formimit të Asociacionit të Komunave serbe në Kosovë, Serbia krijon dy instrumente politike e juridike në Kosovë.

“Në fakt Vuçiq ka në dorë një mundësi presioni me këtë, sepse janë autoritetet e Kosovës ato që kanë rënë dakord për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Veriun e Kosovës. Madje me kompetenca ekzekutive dhe si një asociacion që i imponohet shtetit dhe institucioneve të vendit.

Me Asociacionin në fjalë, nëse ai krijohet sipas marrëveshjeve të mëparshme Serbia krijon dy instrumente politikë e juridikë për të çimentuar prezencën e saj në Kosovë. Sipas pakos Ahtisaari, serbët në parlamentin e Kosovës i bllokojnë ndryshimet kushtetuese dhe kanë të drejtën e vetos për këtë. Kësisoj ata bllokuan nismën që ushtria e Kosovës të bëhet kategori kushtetuese dhe pa këtë kusht juridikisht është vështirë të legjitimohet ndërtimi i strukturave të forcave të armatosura në formën e një ushtrie”, shprehet profesor Bytyçi për “Bota sot”.

“Ndërsa ajo që quhet Zajednica në serbisht do të jetë një lloj vetoje e dytë, me të cilën Kosova dhe institucionet e saj ose bllokohen, ose detyrohen të zbatojnë politikat serbe në vend”, thekson më tej Bytyçi.

Ai shton se këtë çështje, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duhet ta elaborojë dhe shpjegojë saktë dhe qartë me partnerët amerikanë dhe evropianë.

“Duhet të mbështetet në ekspertizën juridike dhe politike për të sjellë argumente pse një Asociacion me kompetenca ekzekutive defunksionalizon shtetin dhe institucionet e tij. Duhet të sjellë në vëmendje politikat agresive e diversive të Serbisë në Kosovë dhe të provojë se qëllimet e saj janë jo vetëm dobësimi, por edhe eliminimi i shtetit të Kosovës. Ka materiale dhe fakte pa fund për këtë. Mjafton të evidentohen deklaratat e Vuçiq dhe autoriteteve të tjera të Beogradit dhe të provohet shumë lehtë se cilat janë synimet e Serbisë në Kosovë”, deklaron Bytyçi.

“Argumenti që përdor zoti Kurti, se Asociacioni nuk mund të jetë një etnik, është një argument që ndihmon, sepse me kushtetutë dhe me vullnetin evropian dhe amerikan Kosova është sanksionuar si shtet multietnik, megjithëse homogjineti i popullsisë shumicë është i njëjtë me homogjenitetin që krijojnë gjermanët në Gjermani. Madje as Franca nuk është e emërtuar si shtet multietnik, pavarësisht se një e katërta e popullsisë së saj është jo franceze. Por ky argument nuk është i mjaftueshëm”, shpjegon më tej profesor Bytyçi.

Por cfarë mund të ndodhë më 15 qershor në Bruksel? Profesor Bytyçi paralajmëron presion të madh drejtuar Kosovës, duke thënë se kryeministri Kurti do të ndodhet përballë dy alternativave.

“Presioni që pala e Kosovës ta pranojë Asociacionin është shumë i madh. Kundërshtarët e qeverisë Kurti, të cilët e kanë firmosur atë marrëveshje me Serbinë, sot janë bërë agresivë dhe deklarohen kundër këtij projekti. Vetë zoti Kurti ka kallë parlamentin duke e kundërshtuar ratifikimin e marrëveshjes në parlament. Duket se kryeministri ndodhet përballë dy alternativave dhe secilën prej tyre që ai do të zgjedhë do të jetë patate shumë e nxehtë në duart e tij. Nëse pranon një marrëveshje me një Asociacion me kompetenca ekzekutive e një-etnik, atëherë do të përballet me opinionin publik për veprimet që ai ka bërë në kundërshti të këtij opsioni. Nëse nuk e pranon do të përballet me presionin evropian dhe amerikan. Prandaj është detyrë e tij të gjejë një shteg kalimi dhe për këtë të kërkojë ndihmën e ekspertizës brenda dhe jashtë Kosovës. Duhet të harxhohet diçka nga buxheti i shtetit, me qëllim që të shkohet drejt një ekulibri në zgjidhje”, shprehet Bytyçi.

Për fund, Bytyçi thotë se Aleksandër Vuçiq po luan mrekullisht me temën e Asociacionit.

“Aleksandër Vuçiq pas rishpalljes së dekretit të Biden nuk mundet më të përmendë ndryshimin e kufijve. Por me Asociacionin ai po luan mrekullisht. Këtë lojë duhet prishur me diplomaci e zgjuarsi, jo me bërryla dhe muskuj. Dhe është e mundshme të ndodhë kjo, nëse qeveria e Kosovës tregohet e shkathët dhe e vendosur. Në fund të fundit, për të fituar kohë, mundet që t'i kërkohet Serbisë marrëveshja e njohjes dhe në kushtet e barazisë si shtete, mbështetur me modele evropiane në praktikë të pranohet pas njohjes diskutimi i çështjeve tjera, përfshirë dhe krijimin e Asociacionit”, përfundon për gazetën “Bota sot” profesor, doktor Enver Bytyçi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat