Askush mbi ligjin/Të paarsyeshme thirrjet për protesta, ja çfarë kërkohet prej tyre

Politika

Askush mbi ligjin/Të paarsyeshme thirrjet për protesta, ja çfarë kërkohet prej tyre

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 10 qershor 2021 Në ora: 22:38
Foto ilustrim nga "Bota sot"

OVL e UÇK-së ka njoftuar se më 12 qershor do të mbahet protestë, ndërsa është thënë se kryeministri Albin Kurti dhe ministrat Donika Gërvalla e Xhelal Sveçla po e akuzojnë UÇK-në.

E tëra kjo ndodhi për shkak të rastit të veteranit Faik Fazliut, i cili para disa ditëve është arrestuar, pasi dyshohej se ka kanosur një zyrtar policor, në një kafiteri në Prizren, mirëpo që është liruar përsëri.

Ai ka mohuar se ka kanosur zyrtarin policor. Ndërsa, nga ana e policisë kanë deklaruar të kundërtën duke thënë se zyrtari policor ndodhej në detyrë zyrtare duke asistuar inspektorët e AUV-it në një kafiteri, lidhur me mosrespektimin e masave antiCovid19.

Për këtë rast nuk dihet saktësisht se çfarë ka ndodhur, derisa nuk ka as hetime.

“Rasti i arrestimit dhe dhunës së ushtruar ndaj Faik Fazliut, nuk duhet të trajtohet vetëm nga OVL e UÇK-së, por edhe nga partitë, e si çështje t’i mbetet organeve të drejtësisë dhe ne e respektojmë çdo vendim të tyre”, thuhet në komunikatën e tyre.

Mehmeti: Organizata e veteranëve është e diktuar nga politika

Image
Faton Mehmeti

Lidhur me këtë, analisti Faton Mehmeti, për “Bota sot” ka thënë se organizata e veteranëve është e diktuar nga politika dhe konkretisht është shndërruar në zyre të propagandës së PDK-së.

“Fatkeqësisht, organizata e veteranëve është e diktuar nga politika, konkretisht është shndërruar në zyrë të propagandës së PDK. Kjo e fundit po e përdor organizatën e veteranëve si mjet për të goditur qeverinë, gjë që është e papranueshme. Organizata e luftës duhet të jetë në favor të drejtësisë, të rendit dhe ligjit, që të gjithë të jemi të barabartë përpara ligjit, dhe jo dikush të jetë i favorizuar”, ka thënë Mehmeti.

Sipas tij, Faik Fazliu është shëmbëlltyra e keqe e veteranit, që nuk përfill ligj dhe as drejtësi.

“Faik Fazliu është shëmbëlltyra e keqe e veteranit, që nuk përfill ligj dhe as drejtësi, diçka të cilën nuk duhet ta lejojnë vet në organizatën e tyre, e cila fatkeqësisht nuk është organizatë e veteranëve por degë e PDK”, shprehet ai.

Për fund, ai thotë se veprime të tilla, organizata e veteranëve të UÇK-së po e humb respektin.

“Me këto veprime organizata e veteranëve të UÇK po e humb respektin, mbështetjen e qytetarëve, të cilën respektojnë veteranët e ndershëm, me ata që e respektojnë ligjin dhe të drejtën, jo ata që thonë "shteti jam unë". Është e turpshme të protestohet pse shteti zbaton ligjin, derisa po të njëjtin dikur e digjnin flamurin dardan, këta janë turpi i luftëtarit të ndershëm, të ushtarit të ndershëm, dhe veteranit të respektuar”, ka deklaruar Faton Mehmeti për “Bota sot”.

Bytyçi: Rastet e tilla nuk duhet të politizohen para se të vendos ligji

Image
Adem Bytyçi

Kurse, analisti politik Adem Bytyçi, në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se është vështirë të pohohet e vërteta si ka qenë sjellja e policisë në rastin konkret me Faik Fazliu, në mungesë të provave dhe dëshmive.

Sipas tij, organizimi i protestave të OVL e UÇK, për këtë rast nuk do të ishte e nevojshme akoma pa u ndriçuar ky rast ligjërisht në bazë të dëshmive.

“Është vështirë të pohohet e vërteta si ka qenë sjellja e policisë në rastin konkret me Faik Fazliu, në mungesë të provave dhe dëshmive. Po të gjykohet drejt sjellja e policisë ndaj Faik Fazliut, apo ndaj cilido qytetari tjetër në kuadër të kompetencave ligjore apo edhe në tejkalimin e autorizimeve ligjore është çështje ligjore dhe si e tillë duhet zgjidhur me ligj. Organizimi i protestave të OVL e UÇK, për këtë rast nuk do të ishte e nevojshme akoma pa u ndriçuar ky rast ligjërisht në bazë të dëshmive”, ka thënë Bytyçi.

Sipas tij, rastet e tilla nuk duhet të politizohen para se të vendos ligji.

“Rastet e tilla nuk duhet të politizohen para se të vendos ligji. Madje madje, duhet ta kuptojnë të gjithë qofshin ata ushtarakë, veteranë lufte, policë e deputetë, ministra e prokurorë, gjyqtarë dhe kushdo tjetër se askush nuk është mbi ligjin. Nuk duhet lejuar në asnjë mënyrë dhe me as një kusht që politika të ndërhyjë në drejtësi sepse në raste të tilla kemi drejtësi të mirëfilltë dhe të paanshme”, ka deklaruar Adem Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat