“Sulmet” ndaj Gërvallës, analisti “zbulon” adresën / Përmend djegien e flamurit të Dardanisë dhe skenarin që po përgatitet

Politika

“Sulmet” ndaj Gërvallës, analisti “zbulon” adresën / Përmend djegien e flamurit të Dardanisë dhe skenarin që po përgatitet

Nga: N. H Më: 11 qershor 2021 Në ora: 22:37
Donika Gërvalla

Ditë më parë kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Xhevdet Qeriqi, ka bërë të ditur se do të dërgojnë një shkresë në ekzekutiv ku do të kërkohet nga kryeministri, Albin Kurti, shkarkimi i Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

Në lidhje me këtë, ka folur profesori dhe njohësi i çështjeve politike në vend, shkruan gazeta “Bota sot”.

Profesori Enver Bytyçi, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se para se gjithash kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe çdo kush që e do dhe respekton UÇK-në e kontributin e saj për çlirimin e vendit e pavarësinë do të duhet të bëhen më shumë merak për atë pse disa eksponentë të UÇK-së në emër të saj e plaçkitën Kosovën.

Image
Prof. Dr. Enver Bytyçi

“Është në nderin e kësaj kategorie njerëzish me kontribute për atdheun që të kërkojnë llogari ndaj atyre që në vend që ta donin atdheun e vodhën atë. A ka fakte? Mjafton mijëra hektarë tokë publike, të cilën e blenë një euro arin dhe e shitën me 5000 euro këta komandantë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kryetari i kësaj organizate duhet ta dojë atdheun më shumë sesa të shqetësohet për punën e Donika Gërvallës. Dhe nëse e do atdheun duhet ta dënojë përpjekjen e Hashim Thaçit për tjetërsimin e territorit të Kosovës. Mbasi t’i bëjë këto punë atdhedashëse ky kryetar dhe bashkëpunëtorët e tij mundet që të kërkojnë llogari te qeveria e sotme dhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla. Por, mesa duket kjo që ndodh është vazhdim i konfliktit ideologjik që në gjallje të heroit të kombit, babait të zonjës Donika, Jusuf Gërvallës”, ka thënë Prof. Dr. Enver Bytyçi.

Ai shprehet se e sheh se adresa e sulmeve dhe goditjeve ndaj Donika Gërvallës ushqehet nga ish-stalinistët dhe enveristët e LPK-së në PDK e jashtë saj, si mundësi e një hakmarrjeje të vjetër ndaj familjes së saj.

“Unë nuk bëj pjesë te ata që mendoj e besoj se Donika Gërvalla është e përsosur. Perfeksioni nuk ekziston. Por besoj fort se ajo e do atdheun më shumë sesa disa ish-komandantë që e vodhën Kosovën e ndoshta luftuan kundër ushtrisë e policisë serbe pikërisht për ta grabitur atë. Më pas për t'ia rikthyer pjesë-pjesë përsëri Serbisë. Besoj fort se Donika Gërvalla edhe kur gabon e bën këtë në përpjekje për të arritur sa më shpejt më të mirën për vendin e saj, pra nga ngutia që ka, që ta ndryshojë Kosovën. Nuk gabon për qëllime të mbrapshta e keqbërëse ndaj atdheut që ia la amanet i ati. Së dyti, shoh se një pjesë e instrumentalizuar e ish-pjesëtarëve të UÇK-së, e lidhur me politikën, nuk pajtohen pse PDK dhe komandantët hajdutë në krye të saj janë në opozitë. Nuk pajtohen me llogaridhënien për krimet e kryera kryesisht kundër shqiptarëve gjatë e pas luftës”, ka thënë me tej ai.

Madje, ai ka bërë me dije se po synohet të krijohet një situatë të tillë çfarë ishte menjëherë Kosovë pasluftës në Kosovë.

“Atë situatë e njohim të gjithë. U dogj flamuri i Dardanisë për ta zëvendësuar me një flamur të imponuar. Mirë që e kemi dhe këtë flamur të Kosovës dhe duhet mbrojtur. Por, ata që e dogjën flamurin dardan e bënë këtë veprim si akt urrejtje ndaj Ibrahim Rugovës. Në pamundësi për ta mundur legalisht presidentin historik, i vunë bomba për ta eliminuar fizikisht. Të njëjtën situatë duan ta krijojnë edhe tani. Duan t’i bëjnë presion qytetarëve të Kosovës: Ose na jepni pushtetin, ose ne jemi gati ta kallim Kosovën dhe të rikthejmë vrasjet e linçimet politike”, ka deklaruar Bytyçi.

Krejt në fund, Bytyçi ka theksuar se lidhur me ketë kërkesë, kryeministri duhet të merret me qeverisjen, në vend që t’i kushtojë vëmendje orekseve të horrave dhe hajnave.

“Me këtë strategji nuk merret Ushtria Çlirimtare e Kosovës, as ushtarët e saj. Merren hajnat që i ka pas kjo ushtri, si çdo ushtri në botë. Hajnat janë ata që përfitojnë nga luftërat e konfliktet. Horrat janë atë që spekulojnë me luftën. Dhe hajnat e horrat pa pushtet nuk durojnë hiç. U duhet pushteti për t’i mbrojtur hajnitë dhe rrollëqet e tyre. Prandaj, dhe kryeministri Kurti duhet të merret me qeverisjen, në vend që t’i kushtojë vëmendje orekseve të horrave dhe hajnave. Përfundimisht është krejt e thjeshtë logjika: Donika nuk është si ata. Nuk është hajne e horrneshë. Prandaj, nuk e shohin dot me sy. E urrejnë dhe do të vazhdojnë ta urrejnë. Por ajo duhet të motivohet nga kjo më shumë për punë të dobishme për Kosovën”, ka thënë krejt në fund, profesori i njohur, Enver Bytyçi, për gazetën “Bota sot”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat