Kurti paralajmëroi padi ndaj Serbisë, juristët tregojnë cili shtet mund të bëjë – ja pse është mirë që të bëhet nga SHBA-ja

Politika

Kurti paralajmëroi padi ndaj Serbisë, juristët tregojnë cili shtet mund të bëjë – ja pse është mirë që të bëhet nga SHBA-ja

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 15 qershor 2021 Në ora: 18:54
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ish-bashkëpunëtori i “Kasapit të Ballkanit”

Shefi i Qeverisë së Kosovës, kryeministri Albin Kurti, edhe njëherë ka folur për fillimin e një çështje gjyqësore ndërkombëtare kundër Serbisë për gjenocidin e kryer gjatë luftës së viteve 1998-1999.

Këtë deklaratë kryeministri Kurti e bëri në Poklek të Drenasit, ku u mbajt manifestimi qendror për shënimin e Ditës së Paqes.

“Serbia ende qeveriset nga persona që kanë qenë ministra e zyrtarë të lartë në kohën kur këto masakra janë urdhëruar e zbatuar. Sigurisht, ata sot nuk mund të vijnë më të na pushtojnë e të na vrasin, por ëndrrat e tyre jo vetëm nuk i mohojnë por i proklamojnë vazhdimisht, me investimet e shfrenuara për armatim modern duke blerë armë prej Rusisë, Bjellorusisë e të tjera. Pse armatoset Serbia, ky vend që ende nuk ka kërkuar falje për krimet masive që ka bërë 22 vite më parë. Duhet ta padisim Serbinë për gjenocid. Vrasjet e civilëve, grave shtatzëna, të miturve, foshnjave, pleqve, përdhunimi i përdorur si armë luftë janë dokumentuar e po dokumentohen”, ka deklaruar kryeministri Albin Kurti.

Njohësit e çështjeve juridike, lidhur me këtë çështje shprehen se parimisht padia ndaj Serbisë është e qëlluar dhe është dashur të paraqitet para shumë kohësh, mirëpo konsiderojnë se as tash nuk është vonë.

Ata janë të mendimit se padia mund të jetë gati ka fundi i vitit 2021, nëse deri atëherë nuk arrihet marrëveshja finale, në të kundërtën do të ketë imponime për këtë çështje për gjenocidin që shteti serb e kreu ndaj civilëve shqiptarë.

Kelmendi: Padia për gjenocid e drejtë legjitime e Kosovës

Profesori universitar dhe njohësi i çështjeve juridike, Muhamet Kelmendi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka deklaruar se parimisht padia ndaj Serbisë është e qëlluar.

Image
Muhamet Kelmendi

“Në planin e Qeverisë Kurti është planifikuar paraqitja e padisë për gjenocid kundër shtetit serb. Parimisht është kjo një padi e qëlluar dhe e cila është dashur të paraqitet para shumë kohesh. Mirëpo, as tash nuk është vonë. Dështimet e mëhershme duhet të tejkalohen dhe është shume e qëlluar kjo padi”, ka thënë Kelmendi.

Sa i përket se përmes kujt mund të bëhet një padi e tillë, profesori i së drejtës shpjegon se një gjë e tillë mund të përmes Shqipërisë ose të ndonjë shteti tjetër që shprehet i gatshëm për padi.

“Natyrisht se i takon Qeverisë të shikojë modalitetet e paraqitjes së padisë. Kjo për faktin se ajo mund të refuzohet pa u hapur fare procedura. Nëse juridikisht nuk bëhet nga Kosova ka modalitete tjera. Një modalitet është nëpërmjet Shqipërisë ose të ndonjë shteti tjetër që shprehet i gatshëm për padi. E mira është të bëhet nga ndonjë shtet i BE-së apo nga SHBA-ja. E nëse kjo nuk shkon, i takon Shqipërisë të bëjë padinë e tillë”, ka thënë Kelmendi.

Mirëpo, të rëndësishëm Kelmendi e quan faktin se duhet të bëhet padia, pasi që përmes saj, mund të ketë shumë anë pozitive.

“Pavarësisht suksesit a mossuksesit, padia ka shumë anë pozitive. Së pari, sepse vihet Serbia në pozitën e të paditurit për gjenocid, së dyti, sillen prova dhe dëshmi për veprat e tilla të rënda penale dhe së treti, zhvillohet një luftë e suksesshme kundër shtetit faktikisht kriminal. E këtu kjo është më e rëndësishme”, ka deklaruar Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

Burjani: Hartimi i padisë merr kohë

Edhe juristi tjetër, Blerim Burjani, në një prononcim dhënë për gazetën “Bota sot”, ka deklaruar se nga Qeveria Kurti duhet të ketë hapa konkret.

Burjani deklaron se Serbia është përgjegjësja kryesore për luftërat e bëra.

Image
Blerim Burjani

“Po tash duhet të ketë hapa konkret, gjasat dihet çfarë janë. Se a mund të shpallet Serbia gjenocidiale, fatkeqësisht, deri më sot nuk u shpall shtet gjenocidial Serbia, e cila është përgjegjëse kryesore për luftërat e bëra”, ka deklaruar juristi Burjani.

Tutje, ai ka ka treguar se për të bërë një padi ndaj një shteti gjenocidal merr shumë kohë, por që nuk është e pamundur.

“Hartimi i padisë merr kohë, por kjo nuk është e pamundur duhet të gjendet një shtet tjetër për të padit Serbinë në emër të Kosovës, pasi që Kosova nuk është anëtare e OKB-së dhe e ka problem të padisë në gjykatën ndërkombëtare për drejtësi”, ka shtuar njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani, për gazetën “Bota sot”.

Krasniqi: Padia do të jetë gati ka fundi i vitit 2021, nëse deri atëherë nuk arrihet marrëveshja finale

Edhe Islam Krasniqi, njohësi i çështjeve juridike, në një prononcim dhënë për gazetën “Bota sot”, duke folur për padinë ndaj Serbisë, ka thënë se një gjë e tillë është dashur shumë vite më parë të iniciohej.

Por, ai e quan fatkeqësi, faktin se qeverive të kaluara iu është errësuar rruga nga rehatia në pushtet.

Image
Islam Krasniqi

“Institucionet tona është dashur shumë vite me parë t’i iniciojnë këto procedura, fatkeqësisht, rahatia në pushtet e ka errësuar rrugën e tyre rreth asaj që ka qenë primare dhe shumë thelbësore, duke shkuar deri në atë pikë sa që ta shfajësojnë regjimin kriminal serb”, ka thënë juristi Krasniqi.

Duke folur për padinë, Krasniqi një gjë të tillë e quan të realizueshme. Mirëpo, ai thekson se një gjë e tillë duhet të bëhet vetëm përmes rrugëve alternative.

“Një gjë e tillë është e realizueshme, por duhet të sigurohet rruga së nga kush mund të iniciohet kjo procedurë sepse ne nuk mund të padisim Serbinë në Gjykatën Ndërkombëtare, por vetëm në rrugë alternative, përmes shtetit shqiptar pas që të tjerët nuk e di sa do të jenë në gjendje të na përkrahin, pa harruar të cekim së çdo vonim për inicimin e kësaj procedure shpresat janë më të vogla për realizimin e kësaj të drejte”, ka deklaruar njohësi i çështjeve juridike.

Krejt në fund, ai ka nënvizuar se ka shumë gjasa që padia ndaj Serbisë do të jetë e gatshme deri në fund të këtij viti.

“Besoj së padia do të jetë gati ka fundi i vitit 2021, nëse deri atëherë nuk arrihet marrëveshja finale në të kundërt do të na imponojnë që t’i mbyllim sytë dhe t’i falim të gjitha krimet dhe gjenocidin që shteti serb e kreu ndaj civilëve të pa mbrojtur dhe pasurisë apo ekonomisë familjare”, ka thënë krejt në fund, njohësi i çështjeve juridike, Islam Krasniqi, për gazetën “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat