Takimi ballë për ballë Kurti-Vuçiq dhe propozimet që ‘shtrënguan diplomacinë evropiane’

Politika

Takimi ballë për ballë Kurti-Vuçiq dhe propozimet që ‘shtrënguan diplomacinë evropiane’

Nga: N.Sh Më: 17 qershor 2021 Në ora: 23:02
Pamje nga Brukseli

E marta e kësaj jave, i bëri përballë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiqin.

Miroslav Lajçak dhe shefi i diplomacisë së BE, Josep Borrell, ishin në rolin e ndërmjetësuesve në këtë takim.

Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun mes Kosovës e Serbisë, Miroslav Lajçak, tha se negociatat e së martës nuk ishin të lehta, por ishte e rëndësishme që takimi të ndodhte.

“Të dy udhëheqësit ishin jashtëzakonisht të hapur dhe të sinqertë në lidhje me atë që duan nga dialogu. Kjo është e rëndësishme për BE, sepse nuk ka rrugë tjetër përpara, përveç normalizimit të marrëdhënieve. Të dy udhëheqësit janë të përkushtuar të punojnë për normalizimin përmes dialogut”, u tha Lajçakk gazetarëve pas takimit.

Në lidhje me këtë takim dr. Sadri Ramabaja thotë se, fillimi i dialogut në Bruksel u karakterizua me disa të papritura për presidentin serb: “e para, narrativa e diplomacisë së Kosovës ishte krejtësisht moderne. Përmes katër propozimeve që i parashtroi në këtë takim, Albin Kurti i dha ton dhe drejtim dialogut, duke e sjellë ekipin serb para dilemave të paparashikuara”, thotë Ramabaja.

Sipas tij, diskursi politik e diplomatik i ekipit kosovar që u shpërfaq në Bruksel, u dëshmua se është në përputhje me doktrinën e paralajmëruar të Joe Biden-it mbi alternativën e re demokratike.

“E dyta, takimi u mbajt në javën kur në Bruksel dhe qendra tjera evropiane kishte ngjarje të tjera me karakter historik. Le të kujtojmë se një ditë më parë ishte takimi i shefave të shteteve dhe qeverive të shteteve të aleancës më të madhe politiko-ushtarake në botë – NATO-s, ndërkaq më 16 qershor u mbajt takimi mes dy presidentëve – Biden-it dhe Putinit, ku Ballkani ishte e mbetet temë e pa kalueshme”, pohon ai.

Në këtë linjë sipas Ramabajës, katër pikat e parashtruara nga kryeministri Albin Kurti, u përjetuan si një provokim i llojit të vet.

“Natyrisht edhe tonet kritike ndaj dialogut e sidomos ndaj marrëveshjeve të arritura deri tashti, që ishin në përputhje të plotë me interesat strategjike serbe, nuk ishte diçka që mund të paramendohej nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq. Sidoqoftë, fakti që pala e Kosovës u shpreh pa ekuivoke edhe në prani të diplomatëve evropian, se vazhdon të jetë e interesuar për dialog konstruktiv dhe të afatizuar, nuk ishte në frymën që do t’i konvenonte Beogradit, që tashmë pothuajse është e qartë se është përcaktuar për zvarritjen e dialogut, ose madje edhe për pezullimin e tij, por mundësisht duke bërë përgjegjës për këtë palën tonë”, shton ai.

Ai thekson se, Beogradi nuk e ka fshehur dot shqetësimin pas takimit në Bruksel, sidomos me agjendën e dialogut të parashtruar nga kryeministri Kurti. 

Image
Dr. Sadri Ramabaja

“Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor e avancojnë CEFTA-n në SEFTA (South-East European Free Trade Agreement) sipas modelit të EFTA-EEA, pra marrëveshje çfarë Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda kanë me BE-në. Ky propozim është krejtësisht në përputhje me frymën perëndimore që po pretendon ta promovojë në raportet e reja të demokracive liberale Joe Biden”, pohon Ramabaja.

Por, çfarë në fakt është EFTA-EEA?

 “Marrëveshja për Zonën Ekonomike Evropiane, e cila hyri në fuqi në 1 janar 1994, bashkon shtetet anëtare të BE-së dhe tre shtetet e EEA-s EFTA – Islanda, Lihtenshtajni dhe Norvegjia – në një treg të vetëm, të referuar si “Tregu i Brendshëm”. Ky Treg i Brendshëm  qeveriset nga të njëjtat rregulla themelore. Këto rregulla synojnë të lejojnë që mallrat, shërbimet, kapitali dhe personat të lëvizin lirshëm rreth ZEE-së në një mjedis të hapur dhe konkurrues. Kush do të mund të ishte kundër këtij koncepti sot, kur gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor mëtojnë të jenë në një të ardhme të afërt, anëtare të Bashkimit Europian?”, tregon ai.

Sipas tij, edhe më sfidues se propozimi i parë, për delegacionin serb ishte propozimi i dytë.

“E para, propozimi në fjalë promovon gatishmërinë e palës shqiptare si palë e përgjegjshme dhe  e gatshme për promovimin e paqes në rajon. Në këtë rast, përmes këtij propozimi, para diplomatëve europian, Serbisë i bëhet thirrje që, pavarësisht armatimit permanent që ajo ka marrë kohët e fundit nga Rusia, ta stivojë atë diku në tunelet e Uzhicës, apo ta zhdukë fare, duke u zotuar se nuk do ta sulmoj Republikën e Kosovës. Shtrëngohet të pozicionohet qartë: pro paqes e integrimit në BE, apo pro luftës së re me shqiptarët, tani si komb, e ritrazimit të Ballkanit për interesat ruse. Kosova dhe Serbia menjëherë nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën. Kjo është e rëndësishme tani si asnjëherë më parë, një ditë pas Samitit të NATO-s në Bruksel dhe porosive unanime që u dhanë aty”, pohon Ramabaja.

Sipas tij, në përputhje të plotë me Kartën Evropiane të fqinjësisë së mirë dhe të drejtës së garantuar të Shtetit amë për përkujdesje për pakicat minoritare, përmes propozimit të tretë, kryeministri Kurti, i bën me dije Serbisë dhe palës ndërmjetësuese, se Republika e Kosovës, e njohur tashmë nga 114 shtete, ka ardhë koha që të trajtohet si e barabartë në tryezën e dialogut.

“Pas njohjes së ndërsjellët midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në të dy vendet tona do të kemi reciprocitet bilateral, përfshirë çështjen e pakicave këtu. Pra, serbët në Kosovë mund të kenë Këshillin e tyre Nacional siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi. Ky propozim ia rikthen Kosovës sovranitetin e nëpërkëmbur, por edhe paralajmëron Serbinë se, për aq sa asaj i njihet e drejta për t’u kujdesur për pakicën serbe në Kosovë, po aq ajo do të duhej të lejonte Kosovën që të dëshmojë përkujdesin e saj ndaj popullsisë shqiptare (autoktone) në Preshevë, Bujanoc, Medokë (Medvegjë) e Sanxhak”, shton ai.

Ramabaja pohon se, ishte propozimi i katërt ai që e shtrëngoi diplomacinë evropiane dhe delegacionin serb të rikujtoj se, rikthimi i skenave të kampeve e masakrave naziste në Evropën e mynxyrshme e të zeza të Luftës së Dytë Botërore, i reprizuar në fund të shek. 20-të në Kosovë, duhet t’i risjellë në vëmendje jo vetëm çiftin e “Goebbels and Goering”, por edhe si vëllezërit e tyre ideologjik serb të viteve 1998/99 me emrat Veljko Odaloviq, Zoran Angjelkoviq dhe, gjithsesi, tok me ta,  edhe të dyshes: Slobodan Milosheviq dhe Aleksander Vuçiq.

“Për çështjen e të pagjeturve, të të zhdukurve me dhunë, duhet larguar nga pozita që ka dhe duhet marrë në pyetje kreun e delegacionit serb, z. Veljko Odaloviq, i cili në vitet 1997-1999, ishte “naçelnik i qarkut të Kosovës”, dhe udhëhiqte me Kosovën e okupuar bashkë me z. Zoran Angjelkoviq. Presidenti i Komisionit për Personat e Zhdukur, Veljko Odalović, në një deklaratë dhënë mediave serbe në orët e mbrëmjes, është shprehur se, na qenka “befasuar pakëndshëm” me propozimet e palës kosovare. Ndërkaq, ai tutje në diskursin e tij politik, nuk ka hezituar ta trajtojë Kosovën si “krahinë serbe””, thotë tutje Ramabaja.

Sipas tij, si duket as ai e as shefi i tij, nuk e kanë kuptuar ende se Republika e Kosovës tani ka zot.

“Por cili do të ishte çmimi për njohjen serbe për të cilën tashmë është prononcuar qartë Joe Biden-i? Gjasat janë që Serbia, duke vu re se rikthimi tek strategjia e saj nacionale agresive për zgjerim në veri, që nënkupton zhbërjen e Bosnjës përmes aneksimit të Republikës Serbska, tashmë është i pamundur, po investon për të përfituar “një injeksion me ndihma ndërkombëtare”, pa përjashtuar asnjë nga opsionet që i kishte trajtuar me aleatët e vasalët e saj gjatë vitit 2018”, përfundon dr. Sadri Ramabaja.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat