Parashikimi për zgjedhjet lokale: VV fituese në shumicën e komunave, kështu renditen partitë tjera

Politika

Parashikimi për zgjedhjet lokale: VV fituese në shumicën e komunave, kështu renditen partitë tjera

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 24 qershor 2021 Në ora: 11:07
Kryeministri i Kosovës dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar 17 tetorin 2021 si datë për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në të gjitha komunat në Kosovë.

Presidentja Osmani ka udhëzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që t`i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale në përputhje me këtë vendim dhe legjislacionin në fuqi.

Zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë u mbajtën më 22 tetor të vitit 2017 me 44.1 për qind të pjesëmarrjes në votime dhe fituese nga këto zgjedhje doli LVV.

Por, se çfarë pritet nga zgjedhjet lokale, a pritet të ketë rezultat sikur në zgjedhjet parlamentare?

Lidhur me këtë, për "Bota sot" janë deklaruar edhe disa njohës të çështjeve politike.

Lufta më e madhe për Prishtinën

Image
Analisti dhe profesori Sulejman Mehazi

Analisti dhe profesori Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se edhe në zgjedhjet lokale do të fitojë VV, madje sipas tij, zgjedhjet në Podujevë kanë qenë shenjat e para të ndryshimit politik, që do të thotë se edhe tani qytetarët me votat e tyre do të veprojnë njësoj edhe në zgjedhjet lokale.

“Fitorja e LVV-së gjatë zgjedhjeve parlamentare do reflektojë edhe në zgjedhjet lokale që do mbahen në tetor. Qytetarët e Kosovës me votat e tyre jo që ndryshuan kahjet politike gjatë zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, po kështu do veprojnë edhe gjatë zgjedhjeve lokale, zgjedhjet e parakohshme lokale në Podujevë ishin shenjat e para të ndryshimeve të forcave politike ku LVV-ja e Kurtit partisë së Agim Veliut, LDK-së i dha një shuplakë të fortë dhe se kjo shuplakë zgjedhore lokale e LVV-së do të vazhdojë edhe në shumë qytete tjera të Kosovës”, ka thënë ai.

Sipas tij, fitorja e zgjedhjeve parlamentare do të ndikojë edhe në ato lokale, gjë që ndodh edhe në shtetet tjera, si p.sh rasti i BDI-së në Maqedoni apo edhe PS-ja e Shqipërisë, pra sa herë që kanë fituar zgjedhjet parlamentare, i kanë fituar edhe zgjedhjet lokale.

“Fitorja horizontale territoriale parlamentare e LVV-së do të ndikojë shumë edhe në fitoret urbane, rurale, lokale që do të mbahen në vjeshtë. Psikologjia e qytetarëve të shteteve të Ballkanit është se partia që fiton zgjedhjet parlamentare, lehtësisht i fiton edhe zgjedhjet lokale. Kështu ndodh në Shqipëri, në Maqedoninë Veriore, në Serbi po edhe në Kosovë. P.sh. BDI-ja e Ali Ahmetit sa herë që ka fituar zgjedhjet parlamentare aq herë ka fituar edhe ato lokale, PS-ja e Edi Ramës sa herë që ka fituar zgjedhjet parlamentare aq herë i ka fituar edhe zgjedhjet lokale. Në Maqedoninë Veriore, Gruevski kur fitonte zgjedhjet parlamentare, fitonte edhe ato lokale, po dhe Zaevi kur fitoi parlamentin e qeverinë, fitoi edhe zgjedhjet lokale”, shtoi Mehazi.

Më tej, ai ka theksuar se votat nga qytetarët e bëjnë që Albin Kurti të ketë mbi 50% të prefekturave të fituara dhe se lufta më e madhe e zgjedhjeve do të jetë për Prishtinën, sepse prapë do të fitojë VV-ja.

“E njëjta gjë ndodh dhe me zgjedhjet parlamentare e lokale në Serbi, Mal të Zi e në Bosnjë-Hercegovinë. Rezultatet psikologjike të të votuarit të qytetarëve si fituese të zgjedhjeve lokale në Kosovë e bëjnë LVV-në e Albin Kurtit me mbi 50% të prefekturave të fituara në Kosovë. Partia që merr Prishtinën del fituese e zgjedhjeve lokale, prandaj lufta më e madhe zgjedhore do bëhet për Prishtinën që do ta fitojë LVV-ja e Albin Kurtit”, ka përfunduar Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

“LVV e para”

Image
Juristi Blerim Burjani

Edhe juristi Blerim Burjani, ka bërë një renditje të partive, që sipas tij, e para do të jetë LVV, pastaj PDK, LDK dhe AAK. Por, ai deklaron se zgjedhjeve lokale i kushtohet më pak vëmendje dhe se kandidatët sipas tij, janë mjaft të dobët.

“LVV e para me komuna të fituara, PDK e dyta, e treta LDK, e katërta AAK, NISMA gjasat reale për te fituar vetëm në Malishevë. Nuk pres ndonjë ndryshim të madh në qeverisje edhe ashtu pak është i popullarizuar pushteti lokal në Kosovë edhe pse ka rëndësi të madhe për qytetarin, më pak i kushtohet rëndësi zhvillimeve lokale se sa nacionale. Kandidatët për asamble janë mjaft të dobët të kualifikuar në kuptim politik dhe profesional. Me rëndësi për partitë është të kenë kandidatë për garë”, ka përfunduar Burjani.

Fuqia e partive politike në zgjedhjet nacionale do të reflektojë edhe në zgjedhjet lokale

Image
Analisti Hidajet Ahmeti

Kurse, analisti Hidajet Ahmeti, ka thënë se zgjedhjet lokale dallojnë nga ato nacionale, sepse te rasti i zgjedhjes së kryetarit, kemi të bëjmë me zgjedhje të drejtpërdrejtë.

Ahmeti shton se fuqia e partive politike nga zgjedhjet nacionale do të reflektojë edhe në ato lokale, por që varet edhe nga kandidatët e partive politike.

“Zgjedhjet lokale dallojnë për nga natyra nga zgjedhjet nacionale, por jo në kuptimin substancial. Kryetari i komunës dhe Kuvendi komunal janë dy organe të ndara, ku te rasti i zgjedhjes së kryetarit kemi të bëjmë me një zgjedhje të drejtpërdrejt e jo si në zgjedhjet nacionale ku kryeministri zgjidhet nga parlamenti. Kurse Kuvendi komunal përfaqësohet nga partitë politike me fuqinë që arrijnë të fitojnë, por jo domosdoshmërish fuqia e kryetarit të zgjedhur përfaqësohet në Kuvendin komunal. Besoj që fuqia e partive politike në zgjedhjet nacionale do të reflektojë edhe në zgjedhjet lokale, por prapë varet nga paritë politike me kandidatët për kryetar që përfaqësojnë, listën për asamble komunale, por edhe programin qeverisës që prezantojnë”, ka potencuar Hidajet Ahmeti për gazetën "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat