26 vjet me gazetën “Bota sot”, gazeta e guximit intelektual e qytetar, që ndryshoi botën e shqiptarëve

Politika

26 vjet me gazetën “Bota sot”, gazeta e guximit intelektual e qytetar, që ndryshoi botën e shqiptarëve

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 26 qershor 2021 Në ora: 08:02
Ilustrim

Përballë sulmeve e sfidave të ndryshme, rruga e gazetës kombëtare “Bota sot” nuk u ndal për asnjë çast. Gazeta kombëtare “Bota sot”, përkundër se rrugëtimin e kishte me vështirësi të mëdha, me krenari e guxim shënon sot 26 vjetorin e themelimit të saj.

Falë seriozitetit dhe profesionalizmit të madh, kjo gazetë kombëtare ka arritur që për 26 vite jetë të jetë gazeta më e madhe në të gjitha trevat shqiptare, madje edhe në diasporë.

Ishin vitet e 90-ta kur gazeta kombëtare “Bota sot”, me kokën lart nisi të përçonte mesazhe të fuqishme për çështjen kombëtare, ndërsa, këtë frymë krenarie po vazhdon fuqishëm të përcjellë edhe sot.

Për nder të 26 vjetorit të gazetës kombëtare “Bota sot”, kanë folur disa nga bashkëpunëtorët më të afërt. Për këtë përvjetor ata kanë zgjedhur fjalët më të mira për ta uruar gazetën më të vjetër në trojet shqiptare.

Tomë Gashi: “Bota sot” e ka ndryshuar botën e shqiptarëve në të mirë të çështjes kombëtare

Avokati i njohur, Tomë Gashi, në përvjetorin e 26-të të gazetës kombëtare “Bota sot”, ka thënë se kjo gazetë ka pasur një rol të jashtëzakonshëm në të mirë të çështjes kombëtare.

“Gazeta kombëtare “Bota sot” e ka ndryshuar botën e shqiptarëve në të mirë të çështjes kombëtare. Është njëra prej medieve më të vjetra që kanë shqiptarët kudo që jetojnë. Roli i “Bota sot” për informim të drejtë dhe në interes të kombit tonë askush nuk mund t’i mohojë”, ka thënë avokati Gashi.

Image
Tomë Gashi

Tutje, Gashi ka uruar që “Bota sot” t’i gëzojë edhe shumë përvjetor tjerë në interes të informimit të drejt mbarëkombëtar.

““Bota sot” të jetë përherë bota e shqiptarëve të lirë. Urime 26 vjetori, dhe, urime edhe shumë e shumë përvjetor të tjerë në interes të informimit mbarëkombëtar”, ka uruar avokati i njohur Tomë Gashi.

Skënder Zogaj: “Bota sot” ndikoi për intervenimin ushtarak të NATO-s

E, Skënder Zogaj, ish-bashkëpunëtori i presidentit Ibrahim Rugova, ka thënë se gazeta kombëtare “Bota sot” ka qenë më e dalluara për informimin e mirë profesional, të saktë, të shpejtë, të drejtë dhe të gjithanshëm të publikut.

Image
Skënder Zogaj

Madje, Zogaj shprehet se kjo gazetë do të mbahet mend si zëdhënësja më e fuqishme dhe më e guximshme e denoncimit të fashizmit serb.

“Në informimin e Kosovës, për Kosovën dhe nga Kosova për shqiptarët kudo në botë, pas ish-gazetës madhore “Rilindja” është “Bota sot” gazeta më e madhe kombëtare dhe më kontributdhënësja ndër vite. “Bota sot” do të mbahet mend si zëdhënësja më e fuqishme dhe më e guximshme e denoncimit të fashizmit serb në Kosovë, fushatave gjenocidale policore e ushtarake para dhe gjatë luftës, duke e informuar botën për terrorin kundër shqiptarëve të Kosovës. Si e këtillë “Botës sot” ishte njëra nga ato që ndikoi për intervenimin ushtarak të NATO-s”, ka thënë Zogaj.

Me tej ai ka bërë me dije se kombëtarja “Bota sot” ka qenë i një idealizmi shembullor kombëtar, që nuk është thyer në kohë e rrethana kur gazeta dhe gazetarët e saj janë kërcënuar dhe janë flijuar fizikisht.

“Nuk ka dyshim se i pazëvendësueshëm ka qenë roli i kësaj gazete edhe pasluftës, kur i ka mbrojtur pa hamendje vlerat e vërteta të luftës, shenjtërinë e sakrificave liridashëse, orientimi demokrati të vendit, gjithnjë duke qenë e pakompromis kundër bandave kriminale të cilat instaluan strukturat mafioze të korrupsionit dhe të nëntokës së krimit të organizuar, që e shëmtuan lirinë dhe e penguan pavarësinë e duhur dhe të mundshme të vendit. Vlerësimet e 20-vjetëve më parë të gazetës “Bota sot” për dukuritë e rrezikshme janë vërtetuar dhe sot po i vuan populli i Kosovës, që ende nuk është krejt as i lirë dhe as i pavarur”, tha me tej Zogaj.

Sipas opinionistit Zogaj, “Bota sot” duhet ta ruajë me kujdes renomenë dhe nivelin kombëtar që e ka pasur.

“Ky është historiku i “Botës sot” që ka arsye ta festojë me krenari ditëlindjen e 26-të, por edhe të reflektojë për rolin e saj të mëtutjeshëm, sepse, luhatjet nuk i kanë hije. “Bota sot” duhet ta ketë parasysh se duhet ta ruajë me kujdes renomenë dhe nivelin kombëtar që e ka pasur”, tha Skënder Zogaj.

Saim Tahiraj: Po mos të ishte gazeta “Bota Sot”, terri informativ do pushtonte opinionin shqiptar

Kurse, ish-bashkëpunëtori i Sali Cekaj, Saim Tahiraj, njëherësh veprimtar i LDK-së, në 26 vjetorin e gazetës “Bota sot”, ka thënë se kjo e fundit ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në të gjitha etapat e zhvillimeve historike me karakter kombëtar.

Image
Saim Tahiraj

“Fillimisht, ju uroj përvjetorin e 26-të gazetës kombëtare “Bota Sot”. Uroj që të vazhdojë sukseset e saja në informimin e drejtë të qytetarëve, pa ndikime dhe anime politike. Dëshiroj të mbetet vërtetë gazetë kombëtare, siç jemi mësuar ta lexojmë ndër vite. Pikërisht edhe qëllimi i themelimit të saj ishte ky. Duke kujtuar historikun e zhvillimit të gazetës “Bota sot”, lirisht mund të them se luajti një rol shumë të rëndësishëm në të gjitha etapat e zhvillimeve historik me karakter kombëtar. Kujtojmë periudhën e luftës ku me një guxim të pashoq informoi dhe raportoi drejt opinionin shqiptar. Ajo pati guximin profesional të raportojë për veprimtarinë luftarake të formacioneve ushtarake të Ministrisë së Mbrojtjes të drejtuar nga ministri kol. Ahmet Krasniqi”, ka deklaruar Tahiraj.

Ai ka treguar gjithashtu se “Bota sot” ishte e vetmja dritare ku kanë pasur mundësinë të shkruajnë për ngjarjet, organizimet dhe veprimtarinë e organizimit institucional të drejtuar nga Presidenti Rugova.

“Gjithashtu, të gjitha veprimet destruktive të LPK-së që për qëllim kishin pengimin dhe eliminimin përfundimtar të vijës institucionale, falë gazetës “Bota sot” i publikuam dhe informuam opinionin mbarëshqiptar. Po mos të ishte gazeta “Bota sot”, terri informativ do pushtonte opinionin shqiptar dhe gënjeshtra historike mbi luftën dhe pas saj do triumfonte”, u shpreh ish-bashkëpunëtori i Sali Çekajt.

Veprimtari i shquar ka falënderuar shumë gazetën “Bota sot”, me stafin e saj drejtues dhe gazetarët e saj, që sipas Tahirajt, janë të mrekullueshëm.

“Falë gazetës “Bota sot” kemi një opinion real mbi organizimin e rezistencës së armatosur dhe luftës të organizuar nga institucionet e Republikës së Kosovës. Personalisht kam pasur hapësirë të mjaftueshme, qoftë përmes shkrimeve, intervistave dhe prononcimeve të paraqes opinionet e mia mbi ngjarjet e paraluftës, gjatë luftës dhe pas saj. Gjithashtu, për shumë procese politike dhe shoqërore pa kurrfarë censure janë botuar shkrimet dhe prononcimet e mija. Për gjithë këtë kontribut kombëtar dhe për hapësirën që më është dhënë, e falënderoj shumë gazetën “Bota sot” me stafin e saj drejtues dhe gazetarët e saj të mrekullueshëm. I nderuari gazetar Nesib urime edhe juve këtë përvjetor, ju dëshiroj shumë suksese. Ju faleminderit për bashkëpunimin e sinqertë dhe shumë korrekt”, tha veprimtari i njohur i çështjes kombëtare Saim Tahiraj.

Rexhep Shahu: Gazeta e guximit intelektual e qytetar

Ndërsa, gazetari i luftës, analisti dhe autori i shumë librave, Rexhep Shahu, ka deklaruar se për të gazeta kombëtare “Bota sot” për pjesën më të madhe të kohës ka qenë violina e parë e shtypit të lirë e demokratik në gjuhë shqipe.

Image
Rexhep Shahu

“Mos ta harrojmë kohën e Teki Dervishit, Skënder Buçpapës, Bajrush Morinës, Sylejman Aliut, etj, plot emra të rëndësishëm të historisë së shtypit shqiptar e të kësaj tribune të fjalës së lirë. “Bota sot” ka qenë shtëpia më e madhe e gazetarëve më të mëdhenj shqiptarë për shumë kohë. Ka qenë gazeta e guximit intelektual e qytetar. Ka qenë gazetë e hapur antikomuniste, e rreptë dhe i ka bërë vend gjithmonë të djathtës dhe antikomunizmit”, ka thënë Shahu.

Krejt në fund, Shahu ka treguar se në gazetën kombëtare “Bota sot” ka pasur hapësirë pakufi.

“Në këtë gazetë unë kam pasur hapësirë pakufi sepse kam gjetur aty gazetarë të mëdhenj që ia dinin peshën fjalës së shkruar. Në atë gazetë në fillim pasluftës kam publikuar intervista me Sali Çekajn e mjaft histori lufte, histori me UÇK-në, histori e fat shqiptarësh. Një kohë më ka paguar kjo gazetë dhe impenjimi ishte shumë i madh, tani shkruaj nga pasioni por jo se paguhem ndonjë cent nga “Bota sot”. Ajo vazhdon të mbetet sofra e parë e shtypit të lirë e të guximshëm shqiptar, një gazetë që është sizmograf e mendimit politik dhe lirisë së fjalës”, tha në fund opinionisti Rexhep Shahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat