Procesi i Vettingut, ‘shërimi i plagëve’ të sistemit të drejtësisë

Politika

Procesi i Vettingut, ‘shërimi i plagëve’ të sistemit të drejtësisë

Arife Morina Nga Arife Morina Më 3 korrik 2021 Në ora: 20:41
Foto ilustrim

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka bërë me dije se shumë shpejt do të finalizohet drafti për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Madje, ajo tha se në fund të gushtit do të dërgohet në Qeveri dokumenti që do t’i hap rrugë procesit së Vettingut.

“Deri në fund të gushtit ne do ta dërgojmë në Qeveri dokumentin që do t’i hap rrugë procesit të Vettingut. Ne tash kemi proceduar ndryshimin që heq pengesat për gjykimin në mungesë”.

“Ne si kabinet çdo të premte presim në takim qytetarët kryesisht lidhur me sistemin e drejtësisë dhe mbi 200 kemi pritur në takim”, tha Haxhiu.

Qeveria Kurti me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun, qe një kohë të gjatë e kanë potencuar se procesi i Vettingut është çelësi për zgjedhjen e problemeve në sistemin juridik.

Lidhur me këtë, juristët për gazetën “Bota sot”, shprehen gjykimet e tyre në lidhje me rëndësinë e Vettingut dhe kohën në të cilën mund të arrihet një gjë e tillë.

Kelmendi: E drejta pozitive vlen për të gjithë!

Profesori dhe njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se sistemi i drejtësisë në vend është në gjendje të rëndë dhe se vetëm procesi i Vettingu-t mund ta shërojë atë.

Image
Muhamet Kelmendi

Ai potencoi se Vettingu hyn në veprim, kur masat normale juridike nuk funksionojnë mbi bazën e ligjit.

“Sistemi juridik në Kosovë është keq, ai po ka dështime në lëndë dhe në ndjekjen e dukurive të rënda antiligjore. Ky sistem duhet të shërohet, ndërsa Vetting-u është një rrugë juridike për shërimin e gjendjes në fushën e drejtësisë. Zakonisht kjo futet në veprim kur masat normale juridike nuk ndikojnë apo kur sistemi ka rrëshqitur dhe nuk funksionon mbi bazën e ligjit”, ka deklaruar profesori.

Gjithashtu, ai tregoi se çështja për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme është e rregulluar me Kod Penal, mirëpo nuk po zbatohet nga ana e prokurorisë dhe gjykatave në vend.

Kelmendi u shpreh i frustruar se në Kosovë shumë rrallë bëhet konfiskimi i pasurive, kur po shihet se sa shumë individë po pasurohen, duke i tejkaluar kapacitetet ligjore të fitimit të pasurisë.

“Çështja e pronës së pajustifikueshme është e rregulluar edhe me Kodin Penal të Republikës, mirëpo, nuk ka treguar sukses, sepse nuk është zbatuar nga ana e prokurorisë dhe e gjykatave. Në Kosovë nuk është pothuajse asnjë pasuri e konfiskuar, natyrisht se ka përjashtime. Dhe po kështu shihet nga ‘aeroplani’ pasuria e krijuar në sektorin privat dhe në atë publik, ajo i tejkalon kapacitetet ligjore të fitimit të pasurisë”, theksoi ai.

Tutje, juristi tha se kjo çështje është në kompetencë të sistemit të drejtësisë dhe jo administratës. Kurse, vlerësoi se Vetting-u është mjeti që përdoret kur sistemi rrëshqet tërësisht jashtë ligjit.

“Natyrisht se kjo çështje duhet të i lejohet në kompetencë, vetëm organeve të sistemit të drejtësisë e jo administratës. Nëse administrata vepron do kemi çrregullime të rënda dhe sistemi do të degjenerohet.

Ndërsa, Vetting-u është një mjet i fundit i fushës së zbatim të ligjit, kur sistemi rrëshqet tërësisht jashtë ligjit”, nënvizoi ai.

Krejt në fund, Kelmendi radhiti disa fusha në të cilat duhet të veprohet në mënyrë që të shërohet sistemi i drejtësisë.

Ai tha se , e drejta pozitive vlen për të gjithë.

“Kuptohet se ky ligj mbështetet në disa fusha kryesore të veprimit të vetë juridik. Këtu mendoj:

1. Në performancën e treguar në punë,

2. Në gjendjen profesionale të të punësuarve në sistem,

3. Në gjendjen morale dhe të formimit shtetëror dhe juridik dhe

4. Në gjendjen ekonomiko-financiare të të punësuarve në sistem.

Janë këto fakte që domosdo duhet të futen në ligj në mënyrë që sistemi të shërohet. Këto janë punët që i nevojiten sistemit, atëherë kur ai nuk e zbaton ligjin në fuqi, e drejta pozitive vlen për të gjithë”, përfundoi profesor Muhamet Kelmendi.

Burjani: Në të ardhmen mund të ketë dy ligje të njëjta

Edhe njohësi tjetër i çështjeve juridike, Blerim Burjani për gazetën “Bota sot” foli në lidhje për inicimin e procesit të Vetting-ut në Kuvendin e Kosovës.

Image
Blerim Burjani

Ai tha se një gjë e tillë mund të përmbyllet, vetëm nëse përshpejtohen procedurat dhe Kuvendi nuk shkon në pushim deri me 15 gusht.

“Nëse nuk shkon Kuvendi në pushim deri me 15 gusht, ndoshta mund të ndodhë të kalojë në procedura të përshpejtuara”, deklaroi Burjani.

Tutje, ai tha se drafti për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme është duplifikim i ligjit të mëhershëm dhe është i panevojshëm bazuar në ligjet dhe kodet që janë në Kosovë.

“Ky ligj është duplifikim i ligjit të mëhershëm, pra në të ardhmen mund të ketë dy ligje të njëjta përafërsisht. Konsideroj se ky ligj është i panevojshëm bazuar në ligjet dhe kodet që ka Kosova”, përmbylli Blerim Burjani për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat