Ballafaqimi i dytë në Bruksel, zbulohet skenari i Vuçiqit për asociacionin – vjen paralajmërimi për Kurtin

Politika

Ballafaqimi i dytë në Bruksel, zbulohet skenari i Vuçiqit për asociacionin – vjen paralajmërimi për Kurtin

Nga: A.Morina Më: 17 korrik 2021 Në ora: 22:00
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq - Foto ilustrim "Bota sot"

Takimi i ri mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të mbahet të hënën më 19 korrik, në Bruksel, ka thënë zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.

Ai ka konfirmuar se ata do të vazhdojnë bisedimet në kontekstin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Derisa, ky është takimi i dytë mes Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel.

Për herë të parë, dy udhëheqësve janë takuar më 15 qershor dhe gjatë takimit kanë prezantuar pozicionet e tyre të kundërta.

Profesori ndërkombëtar, Enver Bytyçi në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar takimin e dytë në mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq.

Fillimisht, ai rikujtoi takimin e parë në mes Kurtit e Vuçiqit, dhe presionin që Vuciq me Borellin dhe Lajçakun ia bënë kryeministrit Kurti.

Image
Enver Bytyçi

“Të hënën e ardhshme kryeministri i Kosovës, zoti Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do të takohen për të dytën herë në Bruksel. Axhenda dhe vetë takimi i parë u realizua në kushte të barabarta. Vuçiq përmes Lajçak e Borrell u përpoq të imponojë edhe datën e takimit, edhe axhendën e tij. Por, Kurti nuk ra në kurthin e Beogradit. Imponoi një datë tjetër dhe gjithashtu u përpoq të imponojë axhendën e tij (të Kosovës), deklaroi ai.

Sa i përket takimit të dytë, Bytyçi u shpreh se Vuçiq do të tentojë sërish që ta imponojë temën e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Madje, ai potencoi se për këtë gjë presidenti serb do ta ketë edhe përkrahjen e Brukselit.

“E njëjta gjë pritet edhe në takimin e dytë të 19 korrikut. Presidenti i Serbisë do të përpiqet të imponojë si temë diskutimi asociacionin ose më saktë shtetin serb në Kosovë. Për këtë do të ketë përkrahjen e përfaqësuesve të Brukselit. Ata vazhdojnë të thonë që "Marrëveshja e Asosacionit është nënshkruar dhe duhet të zbatohet"! Të njëjtën gjë thotë edhe Vuçiq. Por asnjëra nga këto dy palë nuk do t'ia dijë se Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka rrëzuar thuajse në të gjitha nenet e saj atë marrëveshje turpi të nënshkruar nga Thaçi dhe Isa Mustafa!”, theksoi Bytyçi.

Në vazhdim, profesori tregoi se çfarë duhet të bëjë në këtë rast kryeministri Kurti.

Ai kërkoi nga Albini që t’iu tregon se ajo marrëveshje duhet të rrëzohet, pasi është rrëzuar në mënyrë demokratike nga një institucion ligjor i demokracisë dhe në këtë mënyrë nuk mund të zbatohet assesi.

“Çfarë do të bëjë kryeministri i Kosovës në këtë rast. Duhet të mësohet me nocionin: "Keni nënshkruar, zbatojeni". Dhe duhet të reagojë se nënshkrimi është rrëzuar në mënyrë demokratike nga një institucion ligjor i demokracisë e për pasojë ajo marrëveshje nuk mund të zbatohet. Ndërkaq të thotë hapur edhe njëherë, edhe njëqind herë, po të jetë nevoja një mijë herë, se një shtet të huaj brenda shtetit të Kosovës nuk do ta pranojmë. T'u thotë Borrellit e Lajçakut se është Aleksandër Vuçiq ai që po e destabilizon Bosnjë-Hercegovinën për shkak se atje janë krijuar tri shtete brenda shtetit, ose më saktë për shkak se njëri nga këto tri shtete, Republika Srpska, ka bllokuar me urdhërin e Sandrit institucionet e vendit, integrimin e tij dhe po kontribuon me mosnjohjen e Kosovës për destabilizimin e rajonit. Kjo është e vërteta”, nënvizoi ai.

Tutje, ai kërkoi që kryeministri i Kosovës t’ia përmend Borellit edhe rastin e Katalonisë dhe baskëve, Lajçakut rastin e hungarezëve në Sllovaki.

Bytyçi theksoi edhe faktin se si komuniteti serb ka përparësi të mëdha në Kosovë.

“T'i thotë Borrelit, nëse Katalonja dhe Baskët kanë ndonjë asociacion si ky?! Dhe t'i thotë Lajçak nëse hungarezët në Sllovaki kanë ndonjë asociacion si ky apo jo! T'i pyesë ata dhe secili prej tyre le të përgjigjen. Sigurisht që nuk kanë status si ky i serbëve në Kosovë, edhe pse numri i minoriteteve që përmenda është njëqind fish më i madh se serbët në veri të Kosovës ose në Kosovë. Madje t'u kërkojë përfaqësuesve të Brukselit të dëshmojnë qoftë edhe një rast të vetëm në botë, ku 30 mijë minoritarë sa serbë janë në veri, apo 90 mijë, sa serbë ka Kosova, kanë apo nuk kanë ndonjë status, të cilin përpiqen ta imponojnë në Kosovë për serbët?!”, vazhdoi profesori.

Krahas kësaj ai përmendi edhe dy aspektet në të cilat Albin Kurti duhet të fokusohet. Gjëja e parë është gjetja e eshtrave të civilëve shqiptarë të masakruar dhe transportuar në territorin e Serbisë dhe për këtë të kërkojë hetim ndërkombëtar.

“S'ka nevojë të zgjatet ky diskutim. "Më sillni një rast të dytë si ky lloj asociacioni në botë dhe hajde të diskutojmë. Nuk ka. Absolutisht nuk ka në asnjë rast e në asnjë vend! Prandaj në vend të kësaj axhende, Kurti duhet të përqendrohet në dy aspekte:

Së pari, në gjetjen e eshtrave të civilëve shqiptarë të masakruar dhe transportuar në territorin e Serbisë. Për këtë të kërkojë hetim ndërkombëtar, nëse kemi të bëjmë me transplant organesh të këtyre trupave që janë dërguar në Beograd?! Ka shumë mundësi që ky të jetë shkaku kryesor i transferimit të trupave të masakruar në Serbi e sidomos mbytja e tyre në Danub. Ajo "Shtëpia e Verdhë" e shumëpërfolur është si shtëpi e zezë në Beograd. Absolutisht që organet e shqiptarëve të dërguar me kamionë frigoriferikë nga vendi i masakrës në Beograd janë marrë për transplant dhe shumica prej tyre janë shitur në Rusi. Kjo është një e vërtetë, që duhet të kërkohet të hetohet në bisedimet me Beogradin”, potencoi Bytyçi.

Po ashtu, profesori kërkoi nga kryeministri I vendit që të i hetojë edhe marrëveshjet të cilat nuk janë ratifikuar nga parlamenti i Serbisë dhe cilat nga ato që janë ratifikuar nuk janë zbatuar.

“Së dyti, zoti Kurti duhet të investigojë se cilat marrëveshje nuk janë ratifikuar nga parlamenti i Serbisë dhe cilat nga ato që janë ratifikuar nuk janë zbatuar. Dhe të kërkojë që në zbatim të këtyre marrëveshjeve të zhbëhen menjëherë strukturat paralele të Serbisë në Kosovë, të ndalet ndërhyrja e Beogradit te politikanët serbë në Kosovë për të imponuar zhbërjen e shtetit të Kosovës. Të zbatohen pikë për pikë të gjitha marrëveshjet e tjera që nuk janë zbatuar”, deklaroi ai.

Në fund, Bytyçi tha se pas shtjellimit të këtyre dy çështjeve, Kurti në Bruksel duhet të diskutojë krijimin e një organizate rajonale të tipit të CEFTA-s për tregtinë dhe bashkëpunimin në Ballkanin Perëndimor.

“Pas kësaj mund të diskutohet për axhenda tjera në dialogun Kosovë-Serbi. Ajo që kryeministri i Kosovës kërkon për krijimin e një organizate rajonale të tipit të CEFTA-s për tregtinë dhe bashkëpunimin duhet të jetë bazë e bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor. Me këtë projekt të kërkohet e arrihet që Kosova të jetë e barabartë me vendet e tjera dhe me të zëvendësohet minishengeni i Ramës, Vuçiqit dhe Zaevit!”, përmbylli Enver Bytyçi, përcjell “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat