“Bomba” e kurdisur nga serbët/Vetëm kështu mund të ulen tensionet në dialogun Kosovë-Serbi

Politika

“Bomba” e kurdisur nga serbët/Vetëm kështu mund të ulen tensionet në dialogun Kosovë-Serbi

Nga: A.Z Më: 19 korrik 2021 Në ora: 17:03
Foto ilustrim

Ish-diplomati serb, Zoran Milivojeviq ka thënë se deri më tani nuk ka indikacione se mund të pritet ndonjë përparim në Bruksel lidhur me dialogun – dhe se sipas tij “gjithçka varet nga sjellja e Prishtinës”.

“Nëse nuk ka ndonjë ndryshim në pozicionin e palës së Prishtinës, e cila insiston vetëm në çështjet e statusit, vështirë se do të kemi ndonjë përparim. Kur bëhet fjalë për Serbinë, pozicioni i Serbisë është i pandryshupoar, shumë i qartë, dialogu po, normalizimi sigurisht, ajo duhet të të jetë në interes të të dy palëve”, tha ai.

Lidhur me këtë, analisti politik Adem Bytyçi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se Serbia gjithmonë insiston ta fajësojë Kosovën, edhe pse vetë është fajtore, madje duke kërkuar edhe koncesione për shndërrimin e Kosovës në shtet jo funksional përmes komunave serbe në Kosovë.

“Edhe pse është shumë e vështirë të jepet një gjykim i saktë se a thua do të arrihet një Marrëveshje paqësore Kosovë‐Serbi, në takimin e radhës Kurti - Vuçiq në Bruksel, Serbia, insiston si gjithmonë ta fajësojë Kosovën dhe shfajësojë veten pse nuk arrihet marrëveshja paqësore Kosovë - Serbi, me ndërmjetësimin evropian, edhe pse Serbia vetë është fajtore, sepse kërkon koncesione nga pala kosovare për ta shndërruar Kosovën në një shtet jo funksional si ai i Bosnjës përmes Asociacionit të komunave me shumicë serbe të pakicës serbe në Kosovë. Z, Kurti, do ta ketë të pamundur ta pranojë një asociacion një etnik serb, pa të cilin Presidenti aktual i Serbisë, Aleksandër Vuçiq thotë se nuk do të ketë Marrëveshje Kosovë – Serbi”, ka potencuar ai.

Bytyqi më tej ka theksuar se kërkesat negociatore Kosovë-Serbi janë shumë larg nga njëra tjetra dhe sipas tij, tensionet në mes dy vendeve mund t’i ulë vetëm ndonjë marrëveshje nga ndërmjetësuesit ndërkombëtarë.

“Edhe njëherë tjetër e kam pohuar se kërkesat në mes palëve negociatore Kosovë - Serbi, janë aq larg njëra tjetrës, sa që edhe pas 100 vitesh negociatash nuk mund të ketë marrëveshje. Vetëm një marrëveshje e imponuar nga ndërmjetësuesit ndërkombëtarë mund t'i ulë tensionet Kosovë - Serbi, dhe t'i obligojë të dy shtetet që ta pranojnë marrëveshjen, pavarësisht se marrëveshja nuk mund t'i përmbush tërësisht kërkesat e të dyja shteteve edhe të Kosovës edhe të Serbisë”, shtoi ai.

Ai po ashtu ka thënë se nga pranimi i këtij Asociacioni Serbia mund ta ndajë Kosovën herët apo vonë, madje ai thotë se kësaj ia ka pa sherrin Kosova dhe Qeveria e tanishme e ka të vështirë të shpëtojë.

“Pranimi eventualisht i Asociacionit të komunave me shumicë serbe të pakicës serbe në Kosovë, paraqet një bombë të kurdisur të Serbisë në Kosovë, të cilën Serbia, herët a vonë mendon ta aktivizojë për ndarjen e Kosovës. Atyre që kanë pranuar të negociohej Marrëveshja në Bruksel për Asociacionin e komunave me shumicë serbe të pakicës serbe në Kosovë, ai ua ka pa sherrin Kosova, nga i cili sherr e ka mjaft të vështirë ta shpëtojë Kryeministri Kurti dhe Qeveria e tij”, ka përfunduar Bytyqi për gazetën "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat