Prona në Malin e Zi, si duhet të veprojë Kosova nëse refuzohet kërkesa?

Politika

Prona në Malin e Zi, si duhet të veprojë Kosova nëse refuzohet kërkesa?

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 20 korrik 2021 Në ora: 22:44
Ilustrim

Në bregdetin e Malit të Zi gjenden disa prona që i përkasin Kosovës që nga koha e ish-Jugosllavisë, por të cilat aktualisht janë uzurpuar, privatizuar apo janë tjetërsuar nga ndërmarrje të ndryshme në vend.

Këto prona gjenden në qytetet më të njohura bregdetare, si në Budva, Ulqin, Tivar, Tivat etj., dhe paraqesin vendet më të bukura për zhvillimin e turizmit në Mal të Zi.

Ministria e Drejtësisë e Kosovës, kohë më parë, ka ushtruar një padi për kthimin e së drejtës së pronësisë, të cilin veprim e mbështesin si analistë ashtu edhe disa përfaqësues politikë në Mal të Zi.

Por, si duhet të veprojë Kosova lidhur me këtë rast?

“Të kërkohet kthimi i 8300 hektarëve tokë”

Lidhur me këtë, analisti politik Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se agjencia e privatizimit i ka evidentuar afër 35 prona të Kosovës në Malin e Zi, madje edhe në Ulqin, Budva, Tivar e disa të tjera, pra prona që i përkasin Kosovës.

Qarri thotë se është e drejtë që Kosova të ushtrojë padi për kthimin e këtyre pronave, gjë që mbështetet edhe nga Genc Nimanbegu.

“Siç dihet tanimë publikisht, Agjencia Kosovare e Privatizimit ka evidentuar më se 35 prona të Kosovës në Mal të Zi, e veçanërisht ato në bregdet dhe vendet më atraktive turistike e rekreative të këtij shteti, në qytetet më të njohura turistike si Budva, Ulqini, Tivari, Tivati etj, prona që dikur i kishte blerë shtrenjtë Kosova dhe ligjërisht i përkasin edhe sot Republikës së Kosovës që nga koha e ish-Jugosllavisë. Por duke qenë se mu këto prona, ka kohë që janë uzurpuar, privatizuar apo edhe tjetërsuar kundërligjshëm nga ndërmarrjet e ndryshme në Mal të Zi, Kosova është detyruar të ushtrojë edhe padi për kthimin e të drejtës së pronës së saj, gjë që është plotësisht e drejtë dhe që mbështetet publikisht edhe nga vet ish nënkryetari i Parlamentit dhe deputet aktual në Kuvendin e këtij shteti, Genci Nimanbegu, i cili edhe kërkon decidivisht, që të respektohet e drejta e pronës, së Republikës së Kosovës në vendet e lartcekura të këtij shteti”, është shprehur ai.

Sipas Qarrit, duhet bërë çmos për këtë sepse janë vende turistike, madje si dëshmi tjetër e saj është mbështetja nga disa përfaqësues të Malit të Zi.

 “Për aq më tepër, duke pasur parasysh faktin se këto prona gjenden në pushimoret më atraktive turistike, medoemos duhet të bëhet çmos, që vërtetë e drejta e pronës së Republikës së Kosovës të realizohet me të gjitha mjetet ligjore dhe juridike. Madje përveç z. Nimanbegu gëzon fakti që padinë e Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës, të ushtruar kohë më parë, për kthimin e të drejtës së pronësisë, e mbështesin edhe një pjesë e vet përfaqësuesve politikë të Malit të Zi, gjë që dëshmon se Kosova ka plotësisht të drejtë në kërkesën e saj”, ka vlerësuar Qarri për "Bota sot".

Tutje, ai ka theksuar se në rast se kjo kërkesë refuzohet, atëherë Kosova duhet të parashtrojë padi në Gjykatën Ndërkombëtare.

Ai thotë se pas sqarimit për të drejtën e pronës, duhet të aktualizohet edhe marrëveshja për kufirin me këtë shtet, madje edhe kthimi i 8300 hektarëve tokë.

 “Por, nëse megjithatë, kërkesa e Kosovës për kthimin e pronës refuzohet, nga Qeveria pro-serbe e Malit të Zi dhe neglizhohet apo vonohet me dekada për dhënien e vedriktit nga gjykatat malazeze, të cilat edhe Zv/ Kryeministri aktual i Malit të Zi, Dritan Abazi (Abazoviq) i akuzon për neglizhencë në zgjidhjen e problemeve pronësore, gjë që në fakt, do të ishte edhe shkelje juridike, Kosova duhet të parashtrojë padi edhe në gjykata ndërkombëtare, si Gjykata e Strasburgut, e cila sipas normave ligjore ndërkombëtare dhe vendimeve të deritanishme, për çështje të tilla dhe të ngjashme, pritet të vendosë në të mirë të Kosovës. Kështu që ky akt, pa asnjë mëdyshje, duhet të qohet deri në fund, ndërsa pas sqarimit me të drejtën e pronës, duhet të aktualizohet edhe marrëveshja për kufirin me këtë shtet fqinjë, si dhe kthimi i 8300 hektarëve tokë të Kosovës brenda kufijve të vendit tonë, të dhuruara pa të drejtë dhe të orkestruar në mënyrë klandestine nga partitë e ashtuquajtura të "dala nga lufta" dhe ish LDK”, ka përfunduar Gani Qarri për “Bota sot”.

“Nuk pritet zgjidhje”

Ndërsa, juristi Blerim Burjani, ka thënë se kjo ka pasur mundësi të ndodhte prej një marrëveshje me Malin e Zi, por tani nuk pranojnë arbitrazh nga ish-Jugosllavia.

Image
Blerim Burjani

Sipas Burjanit, nga kjo nuk pritet ndonjë zgjidhje.

“Kjo çështje ka mundur të ndodhë përmes një marrëveshje me Malin e Zi, më lehtë për të zgjidhur kontestin, por tash kjo do të jetë e komplikuar më shumë. Mali i zi nuk pranon arbitrazh, se nuk pranon sikcesionin nga ish Jugosllavia, pra ka shumë telashe të kësaj natyre të implikuara që shteti malazez nuk pranon kontekste të kësaj natyre. Pra, nuk pres një zgjidhje, por edhe ku është e ushtruar kjo padi e Kosovës, gjasat janë kurrëfare njëherë”, ka përfunduar Burjani për "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat