Kurti po e mund Serbinë me fakte, vetëm kështu mund të arrihet marrëveshja finale

Politika

Kurti po e mund Serbinë me fakte, vetëm kështu mund të arrihet marrëveshja finale

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 21 korrik 2021 Në ora: 18:44
Albin Kurti, Aleksandar Vuçiq; foto ilustrim nga "Bota sot"

Me 19 korrik u mbajt takimi i dytë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Kurti ka propozuar sërish që të nënshkruhet një Deklaratë e Paqes mes Kosovës dhe Serbisë, por kjo është refuzuar nga Vuçiq madje pa u lexuar fare.

“Unë sot propozova fillimisht një marrëveshje të shkruar me gjashtë nene, ose Deklaratë të Paqes mes Kosovës dhe Serbisë, që u refuzua. Atë çfarë kisha kërkuar herën e kaluar e kam përgatitur në mënyrë të balancuar me një tekst me gjashtë nene, mirëpo u refuzua ende pa u lexuar. Kjo tregonte mosgatishmërinë për marrëveshje pasi u refuzua pa u lexuar fare”, ka potencuar Kurti.

Lidhur me këtë, kanë folur edhe disa njohës të çështjeve politike.

“Kurti me fakte po arrin ta mund Serbinë”

Image
Faton Mehmeti

Kështu, njohësi i çështjeve politike Faton Mehmeti, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se e gjithë kjo është duke ndodhur për arsye se Vuçiq po ndjehet inferior ndaj Kosovës, derisa thotë se vetëm me ndërhyrje të SHBA-së mund të arrihet ndonjë marrëveshje finale.

“Nuk pres të ketë marrëveshje të shpejtë mes Kosovës dhe Serbisë, derisa qëndrimet janë larg njëra tjetrës. Vuçiq, si asnjëherë më parë po ndjehet inferior ndaj Kosovës, me këtë rast edhe nuk po arrin të pranojë asgjë që i ofrohet. Pa një presion të madh Serbia nuk lëshon pe, duket se BE është shumë e dobët në këtë aspekt. Vetëm me ndërhyrjen e SHBA do të mund të vinte deri tek një marrëveshje finale deri atëherë do të kemi këso ngjarje”, tha ai.

Më tej, ai ka shtuar se Kurti me fakte po arrin ta mund Serbinë, por po refuzohen nga Vuçiq, e që sipas Mehmetit, arsyeja këtij e refuzimi është se Vuçiq ka qenë pjesë e Millosheviqit kur janë kryer krimet, prandaj edhe nuk mund të pranojë marrëveshjen.

“Megjithëse e vlerësoj shumë pozitivisht paraqitjen e kryeministrit Kurti, i cili po arrin me fakte dhe prova ta mund Serbinë. I vetëdijshëm për këtë gjë, Vuçiq po refuzon çdo gjë nga z.Kurti. Mos të harrojmë se Vuçiqi ka qenë pjesë e kabinetit të Millosheviqit kur janë kryer krimet ndaj shqiptarëve të Kosovës, andaj nuk mund të pranojë marrëveshje paqe një kriminel. Kjo është e kuptueshme, me këtë rast edhe bota duhet të shoh se kush është Vuçiqi i vërtetë”, ka potencuar Mehmeti për gazetën "Bota sot".

“Kurti po i jep kohë Serbisë”

Image
Rexhep Shahu

Ndërsa, analisti Rexhep Shahu, ka thënë se Kurti provokon rëndë, sepse ai thotë se Kurti, sillet si lider i ndonjë fuqie të madhe, kështu duke e konsideruar Serbinë si shtet rebel.

Sipas Shahut, kjo është lojë e Kurtit që nuk e duron Vuçiqin.

“Këto deklarime e qëndrime të Kurtit në Bruksel me Vuçiqin të bëjnë të qeshësh në fillim se Kurti të duket si Donkishishot, por pastaj mendon dhe bëhesh serioz. Kurti provokon rëndë. Sillet si lider i ndonjë fuqie të madhe. Sillet sikur ai është shefi i shtëpisë së bardhë dhe e konsideron Serbinë e Vuçiqin sikur është një shtet rebel dhe Kurti i thotë të nënshkruajmë deklaratë paqeje. Mendoj se është lojë e ashpër e Kurtit që nuk e duron Vuçiqi që ta kërcënojë dikush e ta barazojë Kosovën me Serbinë. Kjo është njëra pamje”, shtoi Shahu.

Tutje ka theksuar edhe disa pamje, që sipas tij kjo mund të jetë edhe shaka e Kurtit, duke i dhënë Serbisë kohë, madje ai ka përmendur kur Serbia u dëbua prej Kosove, pra është pamje tjetër që e di edhe Kurti.

Shahu shton se qëllimi i Vuçiqit është që të kaloj sa më shumë kohë, vetëm se të bajatoset dialogu dhe të neveritet Evropa dhe Amerika.

“Por, kjo histori ka disa pamje. Një pamje tjetër është se ndoshta Kurti po bën shaka, nuk është serioz, por i jep kohë Serbisë të cilën Serbia e kërkon, pasi këto janë llogje fjalësh se deklarata e paqes është nënshkrimi i kapitullimit të tyre. Serbisë në mesin e qershorit 1999 në Kumanovë, ku Serbia e mundur u dëbua prej Kosove dhe nënshkroi paqen, nënshkroi humbjen e saj. Pra, kjo është një pamje tjetër që Kurti e di por do të luajë lojën e tij. Vuçiqi e di se nuk ka gjë në dorë për paqen e Kosovës, por vetëm kërkon kohë për Serbinë, që të kaplojë sa më shumë kohë e të bajatoset dialogu, të bëhet bezdi, të neveritet Evropa e Amerika me dialogun shqiptaro serb. Gjithsesi, Albini arriti t'ia prishë qetësinë Vuçiqit, kaq ka kjo deklaratë”, ka përfunduar Rexhep Shahu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat