“Po mbahem peng në Hagë”, ish agjenti i SHIK-ut me akuza të rënda për Kadri Veselin dhe Hashim Thaçin

Politika

“Po mbahem peng në Hagë”, ish agjenti i SHIK-ut me akuza të rënda për Kadri Veselin dhe Hashim Thaçin

Nga: P.R Më: 22 korrik 2021 Në ora: 20:52
Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli

Ben Emmerson, avokat i ish kreut të SHIK-ut, Kadri Veseli, ka deklaruar se Veseli mendon që po mbahet peng nga Gjykata Speciale, ku kjo e fundit e akuzon Veselin dhe të tjerët edhe për vrasjen e anëtarëve të LDK-së.

“Shqetësimi është për mënyrën se si prokuroria po vepron në këto procedon. Unë desha të them në emër të zotit Veseli që sidomos nën dritën e vendimit tuaj të fundit i nderuari gjykatës që nuk e keni dhënë liri të përkohshme, ai mendon, në mënyrë të arsyeshme, që ai po mbahet peng, ndërkohë që prokuroria po vazhdon të vonojë procesin e përgatitjes për gjykim”, ka thënë avokati i Veselit, gjë të cilën e ka kundërshtuar prokurorja e rastit, Clarie Lawson, e cila ka thënë se prokuroria i ka përmbushur detyrat e veta në mënyrë shumë të shpejtë duke ju përmbajtur afateve që i janë dhënë.

E ndaj kësaj deklarate të avokatit të Veselit, ka reaguar ish agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari, sipas të cilit, Kadri Veseli dhe Hashim Thaçin kanë menduar se shokët e tyre do të përfundojnë në Speciale.

Image
Naim Miftari

“Po deklarata e avokatit se Kadri Veseli po mbahet peng është deklaratë jo e drejtë, pasi Gjykata Speciale është gjykatë e Kosovës që Kadri Veseli e ka votu vet. Tash kur është vet në burg jo tash po mbahem peng, se ky si Hashim Thaçi kanë prit se tjetër kush, disa ish shokë me iu përfundu në burg, por nuk e kanë prit se kanë me përfunduar edhe vet në burg”, thotë Miftari për “Bota sot”.

Ai shton se Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli nuk po mbahen në Hagë se janë të pafajshëm.

“Por duhet me i kuptu avokatët, se detyra e avokatit pasi paguhen me miliona euro nga buxheti i Kosovës është të gjejnë mënyra që ta mposhtin pretendimin e prokurorisë. Por si Veseli, ashtu edhe Thaçi e dinë edhe vet mirë se nuk janë aty peng i askujt, dhe se as nuk janë të pafajshëm pa marr parasysh epilogun përfundimtar!”, shprehet Miftari.

Më tej, ish agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari thotë se Kadri Veseli dhe Hashim Thaçin e shndërruan SHIK-un në organizatë kriminale, në të cilën janë dhënë urdhra për vrasjen e kundërshtarëve politikë.

“S’ka pengje në Gjykatën e Hagës. Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi kanë qenë në krye të një organizate SHIK-ut, që është formuar për ta mbrojt Kosovën, por shumë shpejt e kanë deformuar SHIK-un dhe e kanë bërë një organizatë private që iu ka shërbyer interesave politike, financiare të vetëm 4-5 vetave, jo më shumë. Si Hashimi, si Kadria e din shumë mirë se në SHIK-aparat i PDK-së, janë sjell edhe urdhra e manipulime, nxitje për vrasjen e kundërshtarëve politikë, kundërshtarëve të bizneseve dhe interesave private të 4-5 vetave të PDK-së”, deklaron Miftari për “Bota sot”.

Miftari akuzon direkt Kadri Veselin dhe Hashim Thaçin për zhdukjen dhe vrasjen e Behajdin Hallaqit.

“Para do ditësh është dënuar kreu i UDB-së serbe Ivica Stanishiqi, dhe zëvendësi i tij me nga 12 vite burg, edhe pse ata personalisht nuk kishin vrarë askënd por urdhrat e tyre kishin vrarë qindra mijëra njerëz. Njëjtë është situata me Thaçin dhe Veselin, plus këta mund të akuzohen se të dytë direkt kishin marr pjesë dhe ishin akterët e vrasjes-zhdukjes së atdhetarit Behajdin Hallaqit, sekretarit të LPK-së dhe pa i cek rastet tjera”, thekson Miftari.

“Po mos te ishte Serbia karshi Kosovës që e mirëpret dhe e shfrytëzon kundër vendit tonë çdo dënim të ish pjesëtarëve të UÇK-së, unë Naim Miftari iu kisha tregu mirë se a do të ishin vetëm ‘peng’ Thaçi dhe Veseli, dhe sa vite burg do të dënoheshin në të ardhmen. Le t’i jenë mirënjohës aleatit të tyre, Serbisë edhe DGSE franceze edhe ashtu alet i tyre i përbashkët!”, përfundon për gazetën “Bota sot”, ish agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat