Specialja ia vazhdoi paraburgimin ish-presidentit Thaçi, juristi ka një shpjegim për refuzimin

Politika

Specialja ia vazhdoi paraburgimin ish-presidentit Thaçi, juristi ka një shpjegim për refuzimin

Nga: N. H Më: 23 korrik 2021 Në ora: 22:56
Hashim Thaçi

Përkundër kërkesave për lirim, Gjykata Speciale ia ka vazhduar paraburgimin ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit.

Ky vendim është marrë sot nga gjyqtari i procedurës paraprake, Nicollas Guillou.

Në këtë formë, gjyqtari francez paraprak ka injoruar garancën e ofruar nga dy shtete për lirimin nga paraburgimi të ish-presidentit.

Lidhur me këtë çështje, “Bota sot”, ka kontaktuar juristin e njohur në vend.

Njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani, në një prononcim dhënë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se lidhur me vazhdimin e paraburgimit të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka gjasa që prokuroria ka informata të shumta për personin dhe nuk pranon parimin mbrojtjen në liri.

Image
Blerim Burjani

“Duhet të ketë prova të sigurta se sa dhe si mund të dëmtojë procesin gjyqësor një i liruar nga paraburgimi, pra nuk mund të imagjinohet dhe paragjykohet se cilat do të jenë sjelljet e personave në mbrojtje në liri. Pra, provat dhe motivet dhe rreziqet tjera nuk mund të paragjykohen ose prokuroria ka informata të shumta për personin dhe nuk pranon parimin mbrojtjen në liri”, ka thënë juristi Burjani, për gazetën “Bota sot”.

Ai me tej ka thënë se është për t’u çuditur se si faktet paragjykohen nga prokuroria edhe përkundër garancive të dhëna nuk i beson askujt as shteteve garantuese.

“Pra, prej asaj e komplikuar deri të ajo që është thjesht mund të sillen faktet dhe rrethanat. Pra, për çudi faktet paragjykohen nga prokuroria edhe përkundër garancive të dhëna prokuroria nuk i beson askujt as shteteve garantuese”, tha në fund, njohësi i çështjeve juridike e kushtetuese, Blerim Burjani, për gazetën “Bota sot”.

Ndryshe, avokati i ish-presidentit Thaçi, Gregory Keohe, ka dërguar në Gjykatë parashtresat e tij për lirimin nga paraburgimi të ish-presidentit. Në këto parashtresa, Keohe përveç kundër-argumentimit të fakteve të prezantuara nga Prokuroria, jep detaje edhe për garancitë e ofruara për lirimin nga paraburgimi të Thaçit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat