Humbje fatale për Kosovë/Tri gjenocidet, OKB ka shansin historik, kjo do të ishte padrejtësia më e madhe ndaj Kosovës

Politika

Humbje fatale për Kosovë/Tri gjenocidet, OKB ka shansin historik, kjo do të ishte padrejtësia më e madhe ndaj Kosovës

Nga: G.B Më: 24 korrik 2021 Në ora: 08:34
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

Nënkryetari i Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe të Arteve, në Nju-Jork, SHBA, Mehdi Hyseni

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ia ka përmendur tri gjenocidet e Serbisë ndaj Kosovës, presidentit serbe Aleksandër Vuçiq, gjatë takimit të mbajtur në Bruksel, në kuadër të dialogut mes dyja vendeve.

Kurti ishte politikani i pari që ia numëroi krimet Serbisë.

Lidhur me këtë, nënkryetari i Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe të Arteve, në Nju-Jork, SHBA, Mehdi Hyseni, ka thënë për gazetën "Bota sot" se Kurti ishte i pari që botërisht tha se Serbia ka kryer tri gjenocide ndaj Kosovës dhe si dëshmi ia dha edhe tri libra për këtë, derisa bëri që Vuçiq të tërbohej.

"Pas dy shekujsh (XIX dhe XX), Albin Kurti është i pari burrë shteti shqiptar, që në praninë e emisarëve special të BE-së, Josep Borell dhe Miroslav Lajçak në takimin e dytë në Bruksel, presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq ia tha botërisht se Serbia e tij ka kryer “3 gjenocide ndaj shqiptarëve, gjatë viteve 1878-2021”. Për të dëshmuar këtë të vërtetë të hidhur historike, Albini ia ofroi 3 libra, por këtë dhuratë të çmueshme, nuk e pranoi Aleksandër Vuçiqi dhe i tërbuar largohet nga takimi me Albin Kurtin, duke e akuzuar se gjoja ky “kishte devijuar” nga agjenda e bisedimeve të deritashme, duke u hedhur në shekullin XIX. Për këtë të vërtetë të dokumentuar historike, të paraqitur nga kryeministri Albin Kurti, më 19 korrik 2021 në Bruksel, unë kam shkruar që nga viti 1990 e, edhe sot (dekada e tretë, viti 2021 e shekullit XXI), se pa ndërkombëtarizimin (shqyrtimin) e të gjitha gjenocideve koloniale serbo-malazeze dhe greke ndaj shqiptarëve dhe ndaj Shqipërisë Etnike, nuk ka gjasë të arrihet asnjë pajtim paqësor me Beogradin, me Podgoricën dhe me Athinën. Thjesht për faktin se këto shtete kolonialiste, asnjëherë deri më sot nuk kanë pranuar para Evropës dhe para Kombeve të Bashkuara (1945-2021) se kanë kryer krime gjenocidale ndaj shqiptarëve, me qëllim të shfarosjes së tyre edhe si komb, edhe si shtet, edhe si nocion gjeografik në Ballkan", është shprehur ai.

Hyseni thotë se SHBA, BE, OKB e as NATO nuk duhet të tremben pse kryeministri Kurti ia tha në sy Vuçiqit të vërtetën për gjenocidin, pasi sipas tij, pa ndriçimin e tyre nuk mund të arrihet ndonjë marrëveshje politike në mes Kosovës dhe Serbisë.

"Prandaj, as BE-ja, as Amerika, as OKB-ja, as NATO-ja, të mos tremben fare, pse kryeministri Albin Kurti me plot të drejtë ia tha në sy të vërtetën presidentit serb Aleksandër Vuçiq, se në procesin e këtij dialogu, duhet të debatohet (edhe për “3 gjenocidet e Serbisë ndaj shqiptarëve, të kryera gjatë viteve 1878-2021) në frymën e ligjshme të së drejtës ndërkombëtare dhe të Kartës së Kombeve të Bashkuara (1945-2021), sepse pa ndriçimin e tyre në këtë vështrim të instrumenteve juridike ndërkombëtare, vështirë se mund të kalohet në tema të tjera, që të arrihej ndonjë marrëveshje kompromisi politik mes Prishtinës dhe Beogradit", ka deklaruar Mehdi Hyseni në një intervistë për gazetën "Bota sot".

Ndërsa, se a duhet bashkësia ndërkombëtare të marrë masa ligjore për 3 gjenocidet, ai ka thënë se nëse nuk e bën këtë, do të ishte mbrojtje ndaj Serbisë dhe ajo do ta vazhdojë këngën e vjetër të politikës kërcënuese.

"Nëse bashkësia ndërkombëtare nuk merr parasysh krimet e gjenocidit kolonial të Serbisë (1878-2021), atëherë çdo dialog apo multidialog me Serbinë, do të ishte vetëm në mbrojtjen e interesave të politikës kolonialiste dhe neokolonialiste gjenocidale të Serbisë. Pra, me një fjalë, nëse BE-ja, OKB-ja dhe Amerika nuk marrin masa ligjore për t’i ndëshkuar “3 gjenocidet e Serbisë të viteve 1878-2021”, atëherë, s’ka asnjë dilemë se Serbia do të vazhdonte “këngën” dhe “zejen” e vjetër të politikës së saj kërcënuese, kolonialiste dhe militariste nga pozita e forcës, duke kërkuar nga Amerika, nga BE-ja dhe nga OKB-ja, që Kosovën ta rikthenin nën sovranitetin e dikurshëm kolonial-gjenocidal të Serbisë (1912-1999). Mirëpo, kjo do të ishte padrejtësia më e madhe ndaj Kosovës së pavarur dhe sovrane, të cilën deri tani e kanë njohur mbi 100 shtete të OKB-së (2008-2021)", ka vlerësuar ai.

Hyseni thotë se do të ishte humbje fatale për shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës, nëse OKB, SHBA dhe BE nuk i shtrojnë për debat ndërkombëtar tri gjenocideve të Serbisë.

"Pra, nëse OKB-ja, BE-ja dhe Amerika nuk i shtrojnë për debat ndërkombëtar (“3 gjenocidet e Serbisë (1878-2021”) ndaj shqiptarëve në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, atëherë vazhdimi i çdo dialogu a multidialogu me Beogradin zyrtar, do të jetë humbje dhe fatalitet për shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës, si dhe, njëherazi, edhe për statusin kolonial të shqiptarëve në Preshevë, në Bujanoc dhe në Medvegjë.

Duke qenë se krimet e gjenocidit të Serbisë ndaj shqiptarëve (1878-2021) sipas konventave, marrëveshjeve, protokolleve, rezolutave dhe deklaratave të OKB-së dhe normave, rregullave dhe parimeve të së drejtës ndërkombëtare nuk parashkruhen (domethënë nuk u kalon afati kohor), por në çdo kohë janë të dënueshme, pavarësisht se cili shtet i ka kryer ato ndaj ndonjë shteti tjetër. Andaj, pse edhe gjenocidet e Serbisë ndaj shqiptarëve në Ballkan (1878-2021) të mos i nënshtrohen procedurës juridike ligjore ndërkombëtare të ndëshkimit të tyre nga ana e OKB-së? Deri kur Serbia do të amnistohet nga të gjitha gjenocidet e saj ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë Etnike në Ballkan?! Nuk ka asnjë dyshim se toleranca dhe amnistimi i gjenocideve të Serbisë ndaj shqiptarëve, ndaj kroatëve dhe ndaj myslimanëve boshnjakë fqinj, është shkelje flagrante e së drejtës ndërkombëtare, e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe e Rendit Juridik Pozitiv Ndërkombëtar", ka deklaruar ai për "Bota sot".

Sipas tij, OKB tani ka shansin historik që të përfshihet në dialog, duke vendosur në rend ditë në Asamblenë e Përgjithshme të saj, shqyrtimin e krimeve gjenocidale ndaj Kosovës nga ana e Serbisë.

"Pse standarde të shumëfishta ndaj krimeve të gjenocidit, pse të mos vlejnë të njëjtat rregulla, parime dhe standard ligjore juridike ndërkombëtare edhe për dënimin e krimeve të gjenocideve të Serbisë në zemër të Evropës së civilizuar e demokratike? Fundja, edhe pse kanë kaluar më se 2 shekuj (XIX –XX), OKB-ja ka shansin historik, që tani të involvohet në Dialogun e Brukselit, duke kërkuar urgjentisht, që ai të rivendoset në Asamblenë e Përgjithshme të saj, sepse vetëm ky Organ i OKB-së është me kompetencë, i autorizuar dhe meritor që në “Rend Dite” ta shtrojë shqyrtimin e krimeve të gjenocideve të Serbisë, të kryera ndaj shqiptarëve, dy shekuj më parë(XIX dhe XX), si dhe gjenocidin e saj të fundit në Kosovë (1989-1999)", ka thënë Mehdi Hyseni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat