“Kosova po ndihet e çliruar pa këta politikanë”/ Analiza për raportin e UNDP: Ja çfarë ka dëshmuar Albin Kurti

Politika

“Kosova po ndihet e çliruar pa këta politikanë”/ Analiza për raportin e UNDP: Ja çfarë ka dëshmuar Albin Kurti

Nga: P.R Më: 29 korrik 2021 Në ora: 20:44
Albin Kurti

Është publikuar raporti i Pulsit Publik nga UNDP dhe USAID, ku në bazë të këtij raporti, Presidentja Vjosa Osmani gëzon nivelin më të lartë të kënaqshmërisë nga qytetarët e Republikës së Kosovës, me 63.7%. Më pas vjen kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca me 59.2%, dhe kryeministri Albin Kurti me 59.1%.

E lidhur me publikimin e këtij raporti dhe rritjen e besueshmërisë në institucionet shtetërore, për gazetën “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi.

Sipas tij, kjo rritje vjen pasi qytetarët me 14 shkurt votuan ndryshimin e madh në Kosovë.

“Nga anketimi i fundit i UNDP për performancën e institucioneve të Kosovës del se besueshmëria ndaj institucionit të presidentit është 64 për qind, për atë të kryeministrit 59 përqind dhe në përgjithësi për institucionet e qeverisjes mbi 50 përqind. Në dhjetor të vitit të kaluar, kur në qeveri ishte zoti Hoti u shprehën pozitivisht për punën e institucioneve vetëm 27.5 për qind e qytetarëve. Rritja me dyfish e këtij perceptimi pozitiv mendoj se vjen për shumë arsye. Qytetarët e Kosovës votuan ndryshimin. Ata votuan jo vetëm pro Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, por edhe kundër Hashim Thaçit, Isa Mustafës e Kadri Veselit. Vota plebishitare për Vetëvendosjen dhe Listën Osmani ngjalli shpresë për ndryshimin e madh në Kosovë”, thotë Bytyçi.

Sipas tij, largimi i Hashim Thaçit, Isa Mustafës dhe Kadri Veselit nuk i ka mërzitur qytetarët e Kosovës, përkundrazi Kosova ndjehet më mirë pa ata në pushtet.

Image
Enver Bytyçi

“Anketimi na bën me dije se besimi i qytetarëve te zgjedhja që bëri në votimet e 14 shkurtit të këtij viti nuk është zbehur, nuk ka rënë. Kjo do të thotë se nuk ka zhgënjim me qeverinë, presidenten dhe institucionet e tjera të shtetit të Kosovës, siç bërtet çdo ditë opozita dhe sidomos ish-kryeministrat, duke filluar nga Isa Mustafa, Ramush Haradinaj dhe Avdullah Hoti. Largimi i Hashim Thaçit, Isa Mustafës dhe Kadri Veselit nuk i ka mërzitur qytetarët e Kosovës, siç propagandojnë disa megafonë në Kosovë e madje edhe në Shqipëri. Përkundrazi Kosova ndjehet më mirë pa ata në pushtet. Është më komode pa këta politikanë nëpër këmbët e tyre”, shprehet Bytyçi për “Bota sot”.

“Kosova merr frymë lirisht pa praninë e këtyre politikanëve që patën krijuar një rreth vicioz, duke e rrezikuar edhe shtetësinë e Kosovës. Prandaj nuk pati asnjë problem me largimin e ish-komandantëve që shkuan në Hagë. Nëse ata do të kishin qeverisur mirë dhe Kosova do të ishte e kënaqur me ta, do të ishte shumë e vështirë që ata të përfundonin prapa hekurave”, thekson më tej profesor Bytyçi.

Por cilët janë faktorët që ndikuan që përformanca e institucioneve të Kosovës të vlerësohet pozitivisht nga ana e publikut?

“Së pari, këto institucione kanë më shumë transparencë. Autoritetet e reja të zgjedhura në Kosovë komunikojnë deri në detaje me publikun. Dinë të tërhiqen edhe kur gabojnë. Nuk lejojnë që gabimet të trashen. Ndjekin një metodë qeverisëse të drejtpërdrejtë, pa intriga, pa konspiracione, pa vendimmarrje në fshehtësi. Duket gjithashtu që vendimmarrja ka si kriter interesat e qytetarit dhe jo interesat e pushtetarit”, thotë Bytyçi.

Sipas tij, kjo do të thotë se qeveria e re e Kurtit ka hyrë tashmë në betejën e premtuar kundër korrupsionit.

“Janë bërë disa goditje. Disa grupe kriminale të korruptuarish kanë përfunduar në qeli ose po ndiqen penalisht. Po ashtu qeveria ka filluar të çmontojë korrupsionin e së shkuarës përmes shkarkimit të bordeve dhe heqjes së privilegjeve me paga marramendëse. Disa ish-pushtetarë duket sheshit se po shohin t’u rrëshqasë rëra nën këmbë dhe e kanë humbur ekuilibrin. Pra ka një ofensivë të luftës kundër korrupsionit. Një ligj i ri i propozuar për të provuar pasurinë me të ardhurat është ajo që do të vendosë drejtësi. Dhe qytetarët të gjitha këto i vlerësojnë seriozisht si akte që ngrejnë mirëqenien dhe garantojnë forcimin e shtetësisë dhe integrimet euro-atlantike të Kosovës”, deklaron profesor Bytyçi.

“Së dyti, këto masa kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar po konkretizohen me arritje në të ardhurat në arkën e shtetit. Dje parlamenti miratoi ndryshimet në buxhet për vitin në vazhdim 2021. Thuajse në të gjitha vendet e tjera ndryshimet në buxhet shkojnë në parlament për shkak të mosrealizimeve në të ardhura, në Kosovë ndodhi e kundërta. Ndryshimet në buxhet u bënë, sepse ky buxhet parashikohet tashmë të jetë mbi 500 milion euro më i madh se planifikimi që kishte bërë qeveria Hoti. D.m.th një rritje prej 20m përqind. Këto ditë u dha lajmi se doganat e Kosovës kanë realizuar në gjashtëmujorin e parë të ardhura prej 700 milionë euro, ndërkohë që e njëjta periudhë e vitit të kaluar kishte realizuar diku te 540 milionë euro. Një rritje me mbi 20 përqind”, shpjegon më tej Bytyçi.

Ai shton se këta tregues dëshmojnë se në arkën e shtetit po hyjnë paratë e korrupsionit, të cilat në vitet e shkuara kishin hyrë në xhepat e pushtetarëve.

“Ndaj dhe besueshmëria e institucioneve është e qëndrueshme. Do të ishte normale që kjo besueshmëri të binte e të shkonte në favor të opozitës, por nuk ndodhi kësisoj. Nuk ndodhi, sepse opozita vazhdon të jetë destruktive, të kundërshtojë reformat, të cilat i duan njerëzit. Ndaj dhe qeveria do të duhet të vazhdojë me vendosmëri në reformat për shtetin e shtetësinë e për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, thekson Bytyçi.

Sipas tij, në këtë ndikim ka edhe qasja ndaj dialogut me Serbinë, dialog të cilin Kurti ka dëshmuar se është i aftë ta drejtojë.

“Kryeministri i Kosovës, zoti Kurti, deri më tani ka dëshmuar se është i aftë ta drejtojë këtë dialog me aftësi dhe vendosmëri, me urtësi e duke kërkuar drejtësi. Ka një ndryshim si nata me ditën midis dialogut të mëparshëm dhe dialogut që zhvillon zoti Kurti përballë presidentit të Serbisë. Përveç kësaj transparenca në dialog është në nivele shumë të kënaqshme. Si zoti Kurti dhe zoti Bislimi informojnë jo vetëm parlamentin, qeverinë dhe presidenten, por edhe publikun deri në detaje. Transparenca është gjithmonë besim. Sinqeriteti përbën thelbin e krijimit të raporteve të besueshmërisë midis njerëzve, institucioneve dhe qytetarëve, qeverisjes dhe të qeverisurve. Kjo pati munguar në qeverisjet e mëparshme. Prandaj ato qeverisje i besonin vetëm militantët e partive në pushtet ose ata që kishin lidhje interesi me to. Sot kjo balancë duket të jetë krejt ndryshe”, përfundon për “Bota sot” profesor, doktor Enver Bytyçi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat