Çfarë fshihet pas lobimit të Erdogan për Kosovën, a mund të sjell njohje nga Serbia apo Rusia?

Politika

Çfarë fshihet pas lobimit të Erdogan për Kosovën, a mund të sjell njohje nga Serbia apo Rusia?

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 1 gusht 2021 Në ora: 13:11
Rexhep Taip Erdogan, Joe Biden

Njohja e Kosovës nga ana e Serbisë mbetet sfidë në vete.

Arritja e saj si duket ka mobilizuar edhe shtetet evropiane, ndër to së fundmi është shteti i Turqisë.

Ishte presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ai i cili është deklaruar që do të bashkëpunojë me presidentin amerikan Biden, që të sigurojë njohje të reja për Kosovën.

Profesori amerikan, njëherësh ekspert i çështjeve të Ballkanit Perëndimor, Alon Ben-Meir në një intervistë ka thënë se është në rregull që Kosova të ketë raporte të mira me Turqinë, por sipas tij Qeveria e Kosovës nuk duhet t’i nënshtrohet agjendës së këtij shteti si dhe agjendës islamike të Erdoganit.

Mirëpo përveç kësaj, Ben-Meir shprehet skeptik për fjalët e Erdoganit, pasi që sipas tij nëse ai do të dëshironte njohje të reja për Kosovën do të fillonte nga Rusia, pasi dimë që mban raporte të ngushta me të, shkruan “Bota sot”.

“Nëse Recep Tayyip Erdogan do të dëshironte që më shumë shtete ta njohin Kosovën, ai do të duhej që të përdorte raportet e tij të tërthorta dhe të bisedonte me Rusinë sepse Rusia është kundër faktit që Serbia ta njohë Kosovën. Pra, ai do të mund të përdorte këtë anë të tij, si një mik i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, që të kërkojë nga Serbia që ta njohë Kosovën”, u shpreh eksperti në një intervistë për Rel.

Ai ndër të tjera shtoi se çdo ndihmë nga secili shtet mund të ndihmojë Kosovën, mirëpo që ka dyshimet e tij në lidhje me ndihmën që Erdogan ka shprehur të ofrojë.

“Çdo ndihmë që vjen nga kushdo është e mirëseardhur, edhe pse unë kam dyshime dhe jam dyshues sa i takon qëllimeve personale të Erdoganit dhe se çfarë në të vërtetë dëshiron të promovojë”, shtoi ndër të tjera profesori amerikan.

Përveç këtyre, kujtojmë që profesori Ben-Meir në këtë intervistë foli edhe për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, për të cilin proces nuk është shumë optimist se shpejtë mund të përfundojë me një marrëveshje finale.

Voca: Turqia mund të ndikojë tek Rusia për ta njohur Kosovën, por vështirë të bindet kjo e funda

Image
Mirsad Voca

Në lidhje me këtë temë, Mirsad Voca, doktor shkence dhe ligjërues i gjeopolitikës në Paris, për “Bota sot”, u shpreh se Ben-Meir në prononcimin e tij konfirmoi që fati i shteteve të vogla varet nga raportet e fuqive të mëdha mes vete.

Profesori i jep të drejtë fjalëve të ekspertit amerikan, pasi që nëse Rusia do të bindej për ta njohur Kosovën, do ta njihte më pas edhe Serbia.

“Alon Ben-Meir, në prononcimin e tij e rikonfirmon hipotezën se fati i shteteve të vogla shpesh varet nga raporti i fuqive të mëdha. Natyrisht që edhe ecuria politike e Kosovës sikurse e shteteve tjera të rajonit, në sferën e politikës së jashtme, janë një gërshetim i natyrës së raporteve që rezultojnë nga fuqitë e mëdha. Nuk do mend se po të bindej Rusia për të njohur Kosovën, edhe Serbia do të bindej më shpejt për të marrë një vendim të njëjtë. Prandaj Ben-Meir, ka të drejtë kur thekson se duhet lobuar edhe pranë Rusisë për njohje të Kosovës”, u shpreh ai.

Nga ana tjetër, ligjëruesi nga Parisi thotë se Erodgan do të ndikonte tek Rusia në mënyrë që kjo ta njohë Kosovën e në këtë mënyrë Rusia do të ndikonte tek Serbia.

Mirëpo edhe pse Voca shprehet skeptik, ai nuk përjashton mundësinë që të ndodhë sepse sipas tij gjërat në marrëdhëniet ndërkombëtare marrin kahje të paparashikuar.

“R.T Erdogan, do mund të ndikonte tek Rusia që kjo e fundit të ndryshoj qëndrimin ndaj Kosovës, marrë parasysh marrëdhëniet e tyre ekonomike e gjeopolitike., Natyrisht që duhet lobuar sidomos pranë fuqive të mëdha përmes shteteve mike, përfshirë Turqinë përmes Presidentit të saj, në mënyrë që Aleatët serb të lindjes të bëjnë ndoshta një kthesë lidhur me qëndrimin e tyre ndaj Ballkanit perëndimor dhe ndaj Kosovës. Është e vështirë që tani të bindet Rusia për njohje të Kosovës por që duhet besuar sepse në marrëdhënie ndërkombëtare gjërat marrin shpesh kahje që nganjëherë askush nuk mund t’i parasheh”, theksoi Voca për “Bota sot”.

Shahu: Turqia nuk bind asnjë shtet ta njoh Kosovën, pa interes të saj

Image
Rexhep Shahu

Ndërsa, analisti tjetër politik, Rexhep Shahu, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë se njohja e Kosovës nga Rusia do të ishte e mirëpritur por që shprehet me dyshime se çfarë mund të fitojë si këmbim Turqia, derisa thotë se mund të ketë ndonjë interes që nuk është i ditur për opinonin publik.

“Do të ishte shumë e mirëpritur njohja e Kosovës nga Rusia, por më ngjan pak guxim i madh që Turqia të jetë kumbarë e kësaj njohje me Rusinë. Nuk e di sa fuqi ka Turqia të Rusia dhe sa interesa ka Rusia të Turqia që të bindet prej saj ta njohë Kosovën. Natyrisht që lëvizin interesa të mëdha që nuk mund t’i di apo lexoj unë”, u shpreh analisti.

Më tej, analisti thekson lobimi i Turqisë për ta njohur Kosovën shtetet e tjera e sidomos Rusia, mund të jetë spektakël që të qetësohen dallgët që gjithmonë kanë qenë të trazuara në Ballkan.

“Turqia vend i rëndësishëm në NATO, shtet partner i Amerikës, mbase bind Rusinë ta njohë Kosovën, por nuk di çfarë merr si këmbim. Nuk besoj se Turqia e ka nën hiqëm Rusinë dhe që të mos bëhet nyje strategjike Greqia me njohjen e pritshme të saj për Kosovën, ndoshta Turqia bën spektaklin që po përflitet me Rusinë. Njohja e Kosovës prej Rusisë do të qetësonte dallgët gjithmonë të trazuara në Ballkan”, ka deklaruar Rexhep Shahu për gazetën “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat