“Reciprociteti, armë kryesore në raport me Serbinë”

Politika

“Reciprociteti, armë kryesore në raport me Serbinë”

Nga: A.Z Më: 3 gusht 2021 Në ora: 21:18
Foto ilustrim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se nuk ka hequr dorë nga vendosja e reciprocitetit me Serbinë, diçka që e kishte premtuar edhe para zgjedhjeve të cilat e nxorën fitues Lëvizjen Vetëvendosje.

Në seancën e së hënës, shefi i ekzekutivit ka thënë se janë të interesuar për zbatim të plotë të reciprocitetit por që këtë do ta bëjnë pasi të përgatiten mirë.

Lidhur me këtë, juristi Muhamet Kelmendi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se reciprociteti është armë kryesore në raport me shtetin Serb, ndërsa në raportet ndërkombëtare është parim i marrëdhënieve bilaterale.

Kelmendi shton se mbi të zhvillohen raportet ekonomike si dhe ato politike, andaj sipas tij, nëse kërkohet nga UE heqja e këtij parimi, atëherë është kërkesë e njëanshme kundër parimeve mbi të cilat janë ndërtuar raportet ndërkombëtare.

“Reciprociteti është armë kryesore në raport me Serbinë, reciprociteti si parim i marrëdhënieve bilaterale dhe në raportet ndërkombëtare është parim bazikë i ndërtimit të tyre. Kudo në mes shteteve ndërtohen raportet në bazë të reciprocitetit. Ai si parim është bazikë në çështjen e të drejtave të minoriteteve në shtete fqinje. Mbi atë zhvillohen raportet politike dhe ekonomike, si dhe edhe ato në kulturë dhe në arsim. Në këtë kuadër është e vonuar çështja e reciprocitetit. Kjo vonesë është mbi njëdecenje. Si e tillë nuk është e parakohëshme dhe as armiqësore. Dhe, nëse kërkohet nga ndokush, sidomos nga UE etj., heqja e këtij parimi, atëherë ajo është kërkesë e njëanshme dhe tipike kundër parimeve mbi të cilat janë ndërtuar raportet ndërkombëtare, të percaktuara me me Kartën e OKB-së. Kjo bazë vlenë në veçanti me shtetin serb”, tha Kelmendi.

Më tej ka shtuar se shteti Serb ka vrar e ka bërë gjenocid, ndërsa edhe tani nuk është ndarë nga politika nështruese dhe e dhunës, madje duke mos ua njohur shqiptarëve të Preshevës as edhe njëtë drejtë.

Kelmendi ka thënë se ka shumë çështje të cilat tregojnë domosdoshmërinë e reciprocitetit në raport me shtetin serb.

“Ky shtet ka dhunuar dhe vrarë e terrorizuar popullin shqiptar. Ka bërë gjenocid dhe tash po vazhdon me politikën ekspansioniste dhe tipike antishqiptare. As edhe sot nuk e njehë gjenocidin dhe nuk është ndarë nga ajo politike nënshtruese, e dhunës dhe e terrorit. Asnjë të drejtë nuk ua ka njohur shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Ndërsa, ndaj Kosovës kërkon Asociacion serb, eksterritorialitetin e kishave dhe manastireve, deri edhe ripushtimin e Kosovës. Ndjekjet shqiptare që kalojne nëpër Serbi, po bënë ndalimin e qarkullimit të mjeteve qarkulluese të Kosovës me regjistrim të Kosovës. Këtu ka shumë çështje që tregojnë domosdoshmërinë e këtij parimi të reciprocitetit në raport me këtë shtet”, shtoi ia.

Tutje ka theksuar se Beogradi pa masa të tilla nuk do të ndalet, madje sipas tij, Beogradi asnjëherë nuk ka treguar vullnet për zgjidhjen e çështjeve me Kosovën pa forcë.

Kelmendi thotë se përderisa të njëjtit si në kohën e Millosheviçit janë në pushtet, me këtë shtet nuk mund të dialogohet pa reciprocitet.

“Faktet tregojnë se vetëm masat konkrete, qoftë politike, qoftë nacionale, qoftë ekonomike etj, i njehë shteti kriminal serb. Klika e Beogradit pa masa të tilla nuk ndalet. Edhe në fushën ushtarake, këtë shtet e ndal vetëm arma. Kurrë historikisht nuk ka treguar vullnet Beogradi për zgjidhjen e çështjeve me Kosovën e shqiptarët pa forcë. Këtu dhe me këtë shtet nuk dialogohet dhe nuk bëhen marrëdhenie, pavarësisht fushës, pa reciprocitet. Pse? Sepse, e njëjta klikë si në kohën e Millosheviçit është në pushtet. Atëherë dhe sot, kjo klikë u ndalë dhe ndalet vetëm me masa të njëjta, qoftë ushtarake, qoftë politike, qoftë ekonomike etj. Reciprociteti është bazë e marrëdhënieve”, ka potencuar Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat