Nga PAN në PLAN/ Paralajmërohet bashkimi i opozitës në një parti te vetme

Politika

Nga PAN në PLAN/ Paralajmërohet bashkimi i opozitës në një parti te vetme

Nga: A.Morina Më: 5 gusht 2021 Në ora: 16:08
Kuvendi i Kosovës

Që nga formimi i Qeverisë Kurti, partitë opozitare kanë qenë të zëshme dhe kritike ndaj punës së saj.

Mirëpo, shumicën e rasteve kanë munguar argumentet bindëse karshi akuzave të tyre. Madje, ato kanë refuzuar të bashkëpunojnë me Qeverinë për tema me rëndësi të madhe për vendin.

Kurse, lidhur me kritikat e partive opozitare ndaj Qeverisë Kurti II dhe refuzimit të tyre për të bashkëpunuar, për gazetën “Bota sot” ka folur zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Zaimi.

Ai u shpreh se opozita ka ngecur, pasi nuk po mund të dalë nga streha e liderëve të kaluar. Duke shtuar se ata nuk po ndërtojnë dot “kartë morale” për kritika.

Image
Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Zaimi

“Në opozitë po shohim një ngecje për të kapur frymën e kohës e pamundësi për të dalë nga sqetulla e liderëve të së shkuarës. Për sa kohë ata nuk do të gjejnë forcën të denoncojnë të korruptuarit dhe ata që kanë mbledhur pasuri të madhe padrejtësisht gjatë 20 viteve të fundit, ata nuk do të ndërtojnë dot “kartë morale” për të kritikuar”, deklaroi Zaimi.

Në vazhdim, zyrtari i LVV-së kërkoi nga opozita që të bashkëpunojë për çështje kombëtare dhe reforma politike, pasi në të kundërtën ato do të thellohen edhe më tej në kriza të brendshme.

Zaimi përmendi edhe faktin se Qeveria Kurti nuk i ka hequr prej pune askënd prej dhjetëra mijëra anëtarëve të partive dikur në pushtet, madje ka emëruar në pozita të rëndësishme figura të spikatura nga ato parti.

“Po ashtu është e rëndësishme që të ketë bashkëpunim për çështje kombëtare apo reforma politike që janë në të mirë të zhvillimit. Nëse opozita nuk e bën këtë, atëherë ajo do të ballafaqohet me rrudhje të mëtejshme. Qeveria Kurti po ia ofron opozitës bashkëpunimin, në fakt nuk ka hequr prej pune askënd prej dhjetëra mijëra anëtarëve të partive dikur në pushtet, përkundrazi, ka emëruar në pozita të rëndësishme figura të spikatura nga ato parti, si p.sh. ish deputetin e PDK Andin Hoti. Kjo për shkak se për çështje të shtetit, shoqërisë e kombit, nuk duhet diskriminuar askush nga ata që kanë vlera e nuk janë korruptuar”, theksoi ai.

Në fund, Zaimi potencoi se nëse vazhdon kësisoj opozita, atëherë ekziston mundësia që të gjitha partitë opozitare të bashkohen në një parti të vetmen “PLAN”.

“Nëse opozita megjithatë vazhdon të këmbëngulë në mosbashkëpunim, në përpjekje për sabotim e bllokim, dhe në mosreformim të vetvetes, atëherë është mundësia që shumë shpejt partitë opozitare të bashkohen në një parti të vetme. Fillimisht një bashkim tip “LAN”, pastaj edhe një “PLAN””, përfundoi Arbër Zaimi, përcjell “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat