Infektimet me Covid-19 kanë filluar të rriten frikshëm kohën e fundit në Kosovë.
Ditët e fundit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, po raportohen mbi 1000 raste në 24 orë.
Afër 1400 raste janë shënuar vetëm brenda një dite.
Nga IKSHPK po bëhet thirrje vazhdimisht për vaksinim.
Edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka paralajmëruar masat për ata qytetarë të cilët nuk janë vaksinuar kundër Covid-19.
“Nuk mund të lejojmë që qytetarët të pa vaksinuar, për shkak të neglizhencës të kenë liritë e njëjta me ata që janë vaksinuar”, ka thënë Vitia.
Ndër vendimet e marra së fundi nga Qeveria e Kosovës, është që të gjithë qytetarët të cilët nuk e kanë marrë vaksinën obligohen ta marrin sepse nga 20 gushti do të kërkohet që të paktën dozën e parë ta kenë të përfunduar.
“Çdo qytetar i Kosovës në mënyrë që të marrë pjesë në çdo aktivitet shoqëror, qoftë qendër tregtare, klube të natës apo në ahengjet familjare obligohet që të marrë vaksinën anti-COVID sepse nga data 20 gusht do të kërkohet që të paktën dozën e parë ta kenë të përfunduar përndryshe nuk mund të marrin pjesë në asnjë aktivitet”, thuhet në njoftim.
Por, si po menaxhohet kjo situatë e pandemisë, që po përcillet me rritje të numrit të të infektuarve dhe po ashtu me humbje jete si pasojë e Covid? Si duhet vepruar që të parandalohet përhapja edhe më e madhe e këtij virusi që po merr jetë?
Sa i përket menaxhimit të pandemisë, vlerësohet se menaxhimi është dalë nga binarët i tëri.
Rrahmani: Nuk ka menaxhim të pandemisë
Ish-ministri i shëndetësisë, Imet Rrahmani, në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se sa i përket menaxhimit të pandemisë, më mirë të themi se kemi dorëzim para kësaj vale të re.
“Menaxhim të pandemisë nuk ka, më mirë të themi kemi dorëzim para pandemisë dhe valës së re! Ministria e Shëndetësisë dhe qeveria nuk arritën të vlerësojnë drejt gjendjen kur morën pushtetin. Rënien e rasteve e përvetësuan si sukses të tyre, e meqenëse ishte kështu, tash kur numri i rasteve është katërshifror, dikush duhet të marrë përgjegjësi”, është shprehur ai.
Sipas tij, Ministria po mundohet të gjejë arsyetim te mosgatishmëria e popullatës për vaksinim.
“Mund të themi se po bëjmë opozitë. Jo. Sikur të ishte vlerësuar drejt situata nuk do të kishim zvogëlim të numrit të personelit shëndetësor dhe ndërprerjen e përkrahjes materiale për ta. Tash Ministria po mundohet të gjejë arsyetimin te mosgatishmëria e popullatës për vaksinim, gjë që është e gabuar”, ka thënë Rrahmani i LDK-së.
Ai shton se është vonë për të marrë masa të reja ose edhe për t’i rikthyer të vjetrat sepse tashmë çdo gjë ka dalë nga kontrolli.
“Ministria ka humbur kontaktin edhe me institucionet shëndetësore, atje gati askush nuk respekton masat bazike, flas për mantelbardhët, në spitale mungon pothuajse çdo gjë. Janë bërë ndryshime në pozita menaxheriale kinse po bëhet diçka, a në fakt po shkohet mbrapa. Tash është vonë për masa të reja ose rikthim i atyre të vjetrave, çdo gjë ka dal nga kontrolli”, ka deklaruar Imet Rrahmani për gazetën “Bota sot”.
Krasniqi: Qeveria duhet të rikthejë masat mbrojtëse antiCovid
Edhe analisti dhe juristi Islam Krasniqi, për “Bota sot” ka thënë se menaxhimi ka dalë nga binarët dhe se është problem të rikthehet pasi tash ka arritur në pikën kritike të Covid-19.
Sipas tij, gjithë ky numër i infektimeve ka ardhur si pasojë e tubimeve, dasmave, festave në të cilat nuk u respektuan masat.
“Është e vërtetë se ka dalë nga binarët e menaxhimit Covid-19 dhe është shumë problem që të menaxhohet pasi që jemi rikthyer në pikën kritike aty ku askush nuk do të donte dhe e gjithë kjo ka ardhur si pasojë e tubimeve festave apo dasmave ku nuk respektuam rekomandimet e qeverisë dhe harruam se Covidi akoma është aktiv”, ka vlerësuar analisti.
Sipas tij, Qeveria duhet të rikthejë masat dhe të detyrojë ata që hezitojnë të marrin vaksinën.
“Institucionet përkatëse janë munduar që të mbajnë nën kontroll Covid-19, mirëpo qytetarët nuk mësuan nga e kaluara dhe vepruan si të verbër. Qeveria duhet të rikthejë masat mbrojtëse antiCovid duke i mbyllur me masa të rrepta edhe njëherë duke ju dhanë shansin që qytetarët që të pajisen me vaksina, duke i detyruar edhe ata që po hezitojnë të vaksinohen”, ka përfunduar Islam Krasniqi për gazetën “Bota sot”.